Samstag, 18. Februar 2017

Resmi Osmani - Burrat shkojnë në luftë

Shkrimtari Resmi Osmani

Tregim     

Kujtimit të gjyshit,Osman Taipi, që ra dëshmor në luftën për mbrojtjen e Janinës
më mars 1913.

Merjemja doli në çardak dhe hodhi sytë nga udha. Dita po thyhej dhe i shoqi duhet ta kishte lënë punën në arë, por nuk dukej gjëkundi. Në vend të tij, larg, ajo shqoi një re pluhuri që linte pas një kalorës, që e ngiste kalin si era. Kalorësi e la udhën dhe mori kthesën për në Puset e Dobrës. Duhet të ishte ndonjë lajmëtar dhe një zot e dinte se ç’lajm sillte në këto ditë të trazuara. Pati një parandjenjë të keqe. Kur kalorësi i humbi nga sytë, zbriti shkallët për në oborr që të mblidhte fëmijët, që luanin jashtë avllisë.

Osmani u kthye në shtëpi mbrëmanet,bashkë me muzgun. Merjemja e priti te porta. E ndihu të çmbrehte qetë, të shkarkonte barrën e kalit dhe t’i grazhdonte kafshët. I hodhi ujë të lante duart dhe fytyrën e u ngjitën nëpër shkallë në heshtje, njëri pas tjetrit. Kur hynë brenda, nën dritën e zbehtë të llambës, vuri re që i shoqi ishte i zymtë dhe fytyrës së tij i mungonte ajo buzëqeshja e zakonshme që i lodronte kur kthehej në shtëpi dhe ajo pati një parandjenjë ndrydhëse dhe shtrënguese. Ishte i heshtur si t’i kishin ikur fjalët. Dukej sikur muzgu i mbrëmjes vjeshtake dhe lajmet e dëgjuara i kishin vënë në fytyrë vulën e mërzisë. Ajo priti më kot që ai të fliste një fjalë. Shtroi sofrën, por ai i tha se nuk i hahej.

-Pse  mënove?

-U ktheva në Puset e Dobrës. Kishte ardhur një lajmës nga Janina.

-Qoftë për mirë!

-Nuk është.Greku ka sulmuar Çamërinë, përpiqen të marrin Janinën. Ushtrisë greke i prin princi Kostandin. Janë me mijëra. Po ra Janina, zere se ka rënë edhe Çamëria. Lufta ka trokitur në portat tona. Kërkohen ushtarë. Burrë për derë.

Merjemja u shtang. Osmani nuk tha tjetër fjalë. Pllakosi një heshtje shtypëse.

-Ti si i dhe karar?- pyeti ajo zëdredhur.

Osmani e vonoi përgjigjen duke e lënë të shoqen në ankth.

-Kujt do t’ia lemë vendin,Grekut? Do të vete në luftë edhe po ta di që s’kthehem i gjallë. Në Janinë ka rrjedhur gjithë Shqipëria, Lumi i Vlorës dhe Ergjëria.

-Edhe këtë na e bëre?

Nuk pati përgjigje.Pyetja mbeti varur në ajër. Ishte një heshtje e shurdhër.

Merjemes ju prenë gjunjët. Ajo u zverdh e u bë dyllë, trupi iu ftoh dhe e lanë fuqitë, klithmën që i erdhi e mbyti brenda vetes dhe u mbështet pas murit që të mos rrëzohej. Ishte e kotë të fliste. E njihte të shoqin. Ai e kishte dhënë fjalën. Fjalë burri, fjalë nderi. Kështu ishte ai, e mendonte mirë atë që do të thoshte. Fliste pak, por fjala i rëndonte si mali i Bozhurit.Fjalën e dhënë  s’e kthente kurrë.

E shoqja shtroi shtresat, por Osmani i tha t’i vinte ujë të ngrohtë, të lante trupin e të ndërrohej se do të falej. Teksa ai shkoi të falej, Merjemja  vuri fëmijët në gjumë. Kur u kthye në odë, ai ishte shtrirë në jatak. Ajo u ul, por nuk u shtri, zvisi fitilin e llambës dhe vetëm sa mbështeti shpatullat pas jastëkut, që e vendosi gjatazi pas murit.

-Po Mehmeti me Daminin?- e pyeti ajo për të kushërinjtë.

-Nuk i dhanë dot karar. Akoma gratë s’u kanë lindur djem dhe po u ndodhi gjë, u mbyllet dera. Do qëndrojnë t’u bëjnë  kujdes grave që t’u lindin nga një djalë. Në luftë shkojnë  burrat,- në zërin e tij kishte mllef dhe një shpoti të keqe, të hidhur dhe në fytyrë pezm.

Pas pak, nga lodhja e ditës, atë e zuri gjumi dhe Merjemja ndjeu një gërhitje të lehtë. Ajo nuk mund të flinte. Ishte e turbulluar dhe mendime të mugta , të zymta e të kobshme , të rrëmujshme , i silleshin nëpër mendje.

Lufta kishte ardhur si një mallkim dhe kishte trokitur edhe në portën e tyre. Greku donte Çamërinë. Era e vjeshtës sillte amzën e athët e të hidhur të barutit dhe jehonën e largët të topave, që nuk rreshtnin as ditë, as natë. Fjala luftë flitej gojë më gojë. Fantazma e saj e përgjakur pluskonte në erë bashkë me ajrin. Ajo hyri në çdo prag shtëpie. Ishte nje kumt ndrydhës, si nje mirazh i së keqes, i  turbullt e i flakëruar. Luftë! Ky emër ishte i ankthshëm dhe i frikshëm për Merjemen, për nënat që përcillnin bijtë, nuset që përcillnin burrat, për motrat që përcillnin vëllezërit. Shtatëmbëdhjetë vjeç, djemtë rrëmbenin dyfekun dhe nguteshin të përfshiheshin në vorbullën e luftës, të rrëfenin trimëri si etërit e tyre, të tregonin sa vlenin dhe të burrëroheshin. Luftëtarët vinin nga kodrat, fushat, bregdeti fshatrat dhe qytetet e Çamërisë. Linin krrabat e bariut, parmëndën e bujkut, zejet dhe mjeshtëritë dhe në duar merrnin dyfekët grykëgjatë. Me grupe të vegjël apo një e nga një, si ca rrëke të gjalla, damarë gjaku, që do të mbushnin zemrën dhe aradhet e ushtrisë shqiptare për mbrojtjen e Janinës. 

Merjemja nuk arrinte të kuptonte. Turqia kishte marrë rrokullimën. Nuk kishte shtet, nuk kishte qeveri, por me një thirrje, që s’dihet nga kush vinte, burrat bashkoheshin në çeta, mblidheshin tok, shkonin në luftë dhe zinin frontin. Askush nuk i detyronte. Kështu kishte ngjarë dhe herë të tjera, çdo brez kishte bërë luftën e tij dhe kishte derdhur haraçin e gjakut për Çamërinë e Shqipërinë. Ç’ishte ajo forcë, ajo magji, që i tërhiqte burrat në luftë, kur e dinin që mund të linin edhe jetën? Kjo, mesa dukej, nuk mund të kuptohej nga gratë. Ato ishin nëna lindnin djemtë, jo që të ushqenin luftën, dhuronin jetë, lufta ishte vdekje. Iknin ushtarët, linin gjithçka se i thërriste Mëmëdheu. Ishte një zë shungullues, që vinte së thelli, nga nëndheu, ku preheshin eshtrat e të parëve. Ishte amaneti i tyre. Po vallë a do të ktheheshin që t’u gëzonin zemrat dhe t’u qeshnin sytë, apo do t’u kalbeshin eshtrat, atje larg, nën muret e kalasë së Janinës apo brigjeve e kodrave të Bezhanit apo të Pesë Puseve[1] dhe ato do të mbeteshin kalogre, fillikate e të shkreta, me fëmijët jetimë dhe nën hatullat e shtëpive do të ulërinin kukuvajkat? Zot,o Zot! Ruaji burrat, vëllezërit dhe djemte tanë!

Osmani u zgjua.Po këndonin gjelat e dytë, ende kishte shumë natë. Zgjati dorën dhe e vuri në fytyrën e së shoqes. Dora iu lag. Merjemja nuk flinte, qante heshtazi. Ai e tërhoqi nga vetja. Ajo psherëtiu, fërgëlloi dhe mbështeti kryet në gjoksin e tij. ”Merjeme, nusja ime bukur, syshkruar, meskëputur, me kocat si ngjalë, mos qaj, mos u ligështo. Nuk po shkoj nizam në Jemen, atje ku piqet buka në diell, të luftoj shtatë vjet për Turqinë si etërit tanë, po në Janinë, të luftoj për Shqipërinë. E di që do të bjerë barrë e rëndë, se do mbetesh fillikat, por do t’ia dalësh, se je bijë nga Alizotët, shtëpi trimash e punëtorësh. Bindu se po bëj më të mirën, që kërkohet nga një burrë. Durim dhe më prit se do të  kthehem….”

“Ti po ikën. Ku do na lesh ne, mua dhe tre fëmijët, që janë si zogj të parritur? Kush do të na dalë krah, kush do të na hedhë dorë? Shtëpia do të mbetet pa burrë, pënda e qeve shkrehur, kopeja pa të zotnë, ullinjtë pa vjelur dhe unë mendjengritur, as në dhe as në qiell, ditë e natë zemërngrirë e duke u silloisur. Ti po ikën. Shtroja jote do të jetë toka, mbulesa qielli, në shi, të ftohtë, borë e llohë, ngrënë e pangrënë, pirë e papirë, përballë hasmit dhe breshërit të plumbave….Dhe mos o zot, që m’u thaftë goja!” Mendonte këto dhe lotët i buronin vetiu, teksa në gojë kishte një idhësirë të shëllirtë. Trupi i ishte ftohur  e mpirë dhe  s’gjente as prehje as të ngrohtë.

Ata ishin zgjuar. Gjumi ishte arratisur, por ishin si të huajtësuar, si të tjetërt, të pezullt e si në jerm.

Në mugëtirën e natës, pa fjalë, zemra i fliste zemrës, mendja i fliste mendjes.

Mugëtira e mëngjesit po ia linte vendin dritës së zbehtë. Merjemja u ngrit nga shtresat. Mori hejbenë dhe palosi në të një e nga një ndërresat borë të bardha. U kujdes që asgjë  mos t’i lipsej, pastaj i gatiti sillën dhe ushqimet për udhë. Zgjoi fëmijët, dy djemtë dhe vajzën, që të ndaheshin me të atin. Ishin të vegjël dhe nuk kuptonin se çfarë po ndodhte. Osmani u vesh, hodhi në sup hejbenë, në brez ngjeshi gjerdanin e fishekëve, u mbulua me gunën e hirtë.  Mbi krye vuri festen e bardhë dhe në sup pushkën grykëgjatë, që ngjante si një zgjatim i gjymtyrëve.

E përcolli deri te porta, jashtë avllisë . Ishte si e mpirë dhe këmbët mezi i hidhte,  por u përpoq ta mbante veten. Ai e tërhoqi dhe e rroku në gjoks. Ndjeu sesi zemra e saj fërgëllonte si zog.

-Mbeçi mirë! Mos kij merak për mua dhe kujdesu për veten! Amanet fëmijët!

Ajo e ndoqi me sy deri sa mori tatëpjetën, që zbriste për në fushë,te Puset e Dobrës. Ai qëndroi disa herë dhe e ktheu kokën pas. Nga shtëpitë e lagjeve të tjera të Mazërekut, dolën edhe burra të tjerë.  Ata u bashkuan dhe u bënë një çetë.

Kazaja e Margëlliçit do të grumbulloheshin në Paramithi  dhe prej andej drejt e në front, në Janinë. Nga Çamëria u bënë mbi pesë mijë burra luftëtarë.

*      *      *

Merjemja numëronte oret,ditet,javët. Kaluan muaj e po vinte pranvera. Në Janine luftohej, janina mbahej. Nga i shoqi asnje lajm. Herë-herë,vinte një kalorës dhe sillte mandatën e vdekjeve. Ajo vdiste dhe ngjallej,por sa kohë lajmësi i mortit nuk trokiste te porta e saj,Osmani ishte gjallë. Ne shtëpitë e të rënëve hapeshin kësodhet, pa trupin e të rënëve. Merjemja u mpak,u rrëgjua. Pesha e vuajtjes e kërrusi, flokët e bukur iu argjenduanm në cepat e syve , buzëve dhe në ballë u shfaqën rrudhat, nga punët jashtë shtëpisë lëkura e bardhë dhe e butë si mëndafshi, iu bronzua dhe  iu rreshk.

Në ditët e para të marsit, sa kishte hyrë pranvera, dy ditë para se të binte tradhëtisht janina, sjellësi i lajmit mortor trokiti edhe në portën e saj.

-Bëhu e fortë! Zoti të dhëntë durim! Të të rrojnë fëmijët! Osmani ra dëshmor për vatan,- tha ai me pikëllim.- E varrosën dje në Bezhan,- dhe i dha si shenjë kujtimi sahatin me qostek argjendi dhe kutinë e fakfontë të duhanit, që e kishte shpuar një plumb.

Merjemja  edhe pse ende e re, nuk u martua. Hodhi pushkën në krahë, mbrehu pendën e qeve, shaloi kalin, rroku parmendën, lëroi arat,mbolli dhe korri.  Vetë grua e vetë burrë , i doli zot mallit dhe gjësë, që i pat lënë i shoqi dhe rriti me nder fëmijët.

Mars 2014.

______________________
Marrë nga atunispoetry.com

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen