Donnerstag, 21. Dezember 2017

Radio Liria: HOMAZH PËR SHKRIMTARIN NEHAT HOXHA

Shkrimtari Nehat S. Hoxha, nga piktori Salih Lutolli - Agi

Në Radio LIRIA:

HOMAZH PËR SHKRIMTARIN NEHAT S. HOXHA

Të premten më 22 dhjetor 2017, pëmes një emisioni special në Radio LIRIA, do të nderohet poeti, prozatori dhe përkthyesi i njohur Nehat S. Hoxha. Ky emision do të jetë formë e homazhit për letrarin e nderuar qe vetem para disa ditësh, më 10 dhjetor 2017, ka ndërruar jetë.

Për jetën dhe veprimtarinë letrare e kulturore të Nehat S, Hoxhës do të flasin kolegët dhe miqtë e tij.

Referues kryesorë do të jetë shkrimtari Faruk Tasholli, Kurse kontributin e tyre do ta japin edhe anëtarët e stafit te Radio LIRIA: Alketa Maksuti Beqari, Rizah Sheqiri, Hasan Qyqalla dhe Haxhi Muhaxheri. Po ashtu, për Nehat Hoxhen do të flasë edhe miku i tij Ekrem Arifi.

Njëherit, mirëpresim edhe kontributin e dëgjuesve dhe të bashkëpunëtorëve.

Transmetimi i emisionit fillon në ora 22:00

Skype: ===>>  live:radioliria
Tel. & Viber:     +43 664 374 9040 


Shënime për autorin Nehat S. Hoxha

Nehat S. Hoxha u lind në Ferizaj, Kosovë, më 1951. Edukimin themelor dhe atë të mesëm i mbaroi në vendlindje, kurse studimet e ekonomisë në Universitetin e Prishtinës dhe Provimin e posaçëm profesional për punë të tregtisë së jashtme(specializim) në Beograd.
Në skenën e letrave shqip u shfaq nga vitet ’70, me poezi,tregime, vargje për këngë, përkthime, sidomos ato letrare nga anglishtja. Ka pëkthyer edhe shume filma artistik, arsimorë e vizatimorë për TV, Radio, Gazeta dhe Revista. Ishte redaktor i shumë librave të krijuesve letrarë, figurativ, muzikor. Po ashtu, fitues i  dhjetra çmimeve letrare dhe nëtarë i Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Ndërroj jetë më 10 dhjetor 2017.

Vepra të botuara:

1. Vdekja e poetit, Rilindja, Prishtinë, 1990;
2. Lindje në plojë, Redaksia “Fjala”, Prishtinë, 1992;
3. I mërguar në atdhe, Druck Art, Prishtinë, 1996;
4. Fjalor Elementar Anglisht-Shqip, 1996
5. Oguri, roman, Ministria e Kulturës, 2003

Vepra të përkthyera nga anglishtja:

1. T. Williams, “Menaxheria e qelqtë” (dramë), 1983
2. L. Hjuz, “Mbretëria e frushkullit”, (Poezi), 1985
3. R. Tagore, “Bukurezat”, (Poezi), 1986 4. H. Xhibran, “Profeti”, (Poezi), 1987
4. H. Xhibran, “Profeti”, (Poezi), 1987
5. O. Uajlld, “Kallëzime”, (Tregime për fëmijë), 1988
6. U. B. Jejts, “Ringjallja” (Katër drama), 1989
7. E. A. Poe, “Politiani”, (Dramë), 1989
8. L. Gillis, “Korb midis egërsirash”, (Dramë), 1987
9. S. Beket, “Fundi i Lojës”, “Jehona, Shkup, (Dramë), 1987
10. K. Marlo, “Dr. Fausti kobzi”, (Dramë), 1989
11. N. Shop, “Furka e mistershme”, (Dramë), 1990
12. A. Gajtani, “Lule më lule”, (poezi, nga shqipja në gjuhën serbo-kroate, Tuzla, BH) 1989;
13. O. Uajlld, “Je ai që je”, (Dramë), 1988
14. F. A. Hajek, “Individualizmi dhe rendi ekonomik”,“Eureka, Prishtinë, 1996;
15. Panteon i Laureatëve të Çmimit Nobel për ekonomi: prej klasikëve deri në shekullin tonë;
16. O. Uajlld, “Saloma”, (Dramë) 1985 17. T. S. Eliot, “Vrasja në Katedrale”, (Dramë), 1988 18. Kënga e Rolandit, 1987 




Poezi nga Nehat S. Hoxha


LULE DHE KËNGË

Lulja e do këngën
Kënga e rrit lulen
Kështu ka thënë Zoti

Njëra-tjetrës i përkulen

Lulja i jep këngës
Ngjyrën kuq të gjakut
Kënga i kthen lules
Shpirtin e zambakut
Kur ligjëron kënga
Lulja e merr ngjyrën

Dritëson nga brenda

Zbukuron natyrën
Fryte dashurie
Janë lulja dhe kënga
Lumturi njerëzie
Për një jetë pa brenga

25 gusht 2006



SI QUHET DËSHPRIMI

Për 55 vjet rresht trupi më mblodhi të gjitha fëlliqësirat e botës
e njerëzit e mi i quajnë bukuri përrallore.

Për 55 vjet rresht turpi shtresoi bukurinë e shëmtisë si rreng dashurie
kurse të mitë ngazëllehen me gënjeshtrën që u zbukuron jetën

Kishim ëndrra nga më të fismet
për stolinë e virtyteve që bëjnë të kamur
jetesën me identitet estetik për dashurinë globale
në sofër bote shqiptare dhe atë të botës së madhe

Nanuritëm iluzione për t’i ikur vërtetësisë së rrojtjes në këtë jetë
dhe fituam zhgënjimet më të fundme të fundrrinave tona
teksa synonim të shquheshim për zotërinj të cilësive dhe fatit

Arritëm ballë muri pa derë dhe na u humbën rrugët
që kishim shtruar me limfën e shpirtit

Si quhet dëshpërimi me gjuhë bote




MBRETËRIA E JETËS

Mirëmëngjesi vdekje
Urdhëro urdhëro
Do çaj kafe llokum raki
apo një kupë shpirt
Mysafire më e përditshme në derë
për ty nozullimet i kam si përherë

(Si s’më le një ditë të vetme të më marrë malli
për emrin tënd - për praninë tënde?)

Urdhëro urdhëro
Kam një gjysmë nate qyshse gjë nuk di
cilin nga njerëzit e mi ke mbetur pa marrë në gji

Do çaj kafe llokum raki
apo një kupë gjak

O ç’i krisur që je i lumi poet
Ku flet mbretëresha me mbret varfërie?!

Vajti gjysmë jete, u bë pikë e ditës
Erdhi si në çast ora e vizitës:
- mirëdita vdekje - urdhëro urdhëro
Do supë prej angrrash a prej kockë kafke
Do zemër të pjekur, shkrumbuar në prush
apo mushkëri a veshka të njoma
sa s’më janë ftohur të sotmet kufoma

Urdhëro urdhëro
E di që nuk flet
Ti mbaro gostinë fjalët i them unë
Ndaj më more burrat që ruanin votrën
më more dhe nënë motra edhe bija
more moshë urtie dhe more ferishte
për jetesë më le yajet e mërgimit
kurse për çdo kremte: këmishë të pikëllimit

A ngopesh a s’ngopesh s’është gjëpunë për mua
shko në Mbretërinë tënde - në daç rri tek unë
Por s’vij dot me ty pa mbaruar punë!

Mirëmbrëma, vdekje! Urdhëro!
Urdhëro! Hyrë. Rri sa të duash!
Gjë gosti nga unë mos prit pa dalë dielli!
Atëbotë të pres me tryezën plot.

Mirëmëngjesi, vdekje!
Urdhëro, urdhëro!
Do çaj, kafe, llokum, raki
Apo një copë zemre 3.000 vjet përditë kopanisur
mbase me të ngop barkun tënd të grisur!

Pra, ti frymën ma merr!
Ma merr edhe trupin siç more lirinë edhe robërinë.
Ja që (Sic!) s’të jap - S’të jap Dashurinë!



NOJMA E SHQIPES

I kushtohet Shqipes aq të kamur nga bukuria
dhe kaq të drobitur nga robëria


Pushtetin sterrë netve djallëzore
me ditët tash kaq vjet që vijnë me rroba zie
e përballa falë nojmës së syrit tënd
tek më hapte shtigje një orbite të bruztë
tej territ tej retinës tej zemrës sime

Net bartolomejsh në sund sterre
i mbaja në dry me shpresën tek ti
në rendje pareshtur tërbimi
më shkulnin dorën
më shkulnin krahun
këmbët rropullitë ballin me dritë
Po zemra ngjeshur me dashurinë për ty
i zbonte e më gdhinte një tjetër ditë të zisë

Lirikën aq shumë e dua
porse ma vrugon patetika
Kordhëzhveshur më përmbys edhe mbretërinë e ëndrrës
Je nojmë dashurie - nojmë djalli je
Shtojzovalle a bijë bushtre
Orëshuar jetën mos e le
Sepse vjen dhuna vjen ankthi vetmia vjen
Drobitem zgërlaqem ronitem
Por, vjen Shqipja e më shenjon
Davaritet vagëllia
dhe unë rilindem
rilindem rilindem



I MËRGUAR NË ATDHE

O moj botë, e lumja botë
në sytë e tu a nuk ke lotë
Për të qarë, për të qarë
për ç’më ndodhi, ç’më ka ngjarë
në vendin tim plot pikëllim
ku gjëmon e oshëtin
ku qan nëna përmbi dhe
mbi kokë djali besë e fe
Ti ku je moj, ti ku je?
Si s’e sheh moj? Si s’e sheh?

Dhjetëqind vjet, moj!
Dhjetëqind vjet me kuj në tokë e det
s’mund të shihet me vëllanë ndaj e ndanë
dhe e ndanë me sinorë
e sinorë ku ndrin dielli, bie borë
i kërkojnë pasaporta
kur i shkon birit ke porta:
A ke parë moj, mbi këtë dhe
mërgimtarë në atdhe?

Na dhe jetën, na dhe Torën
Shenjtin Libër, edhe shkollën
Ramajanë Mahabharatë
ku na njeh dhe gur’ i thatë
Na dhe besë na dhe Kur’an
këngë kreshnike e Rolan’
Nibelungë, ah e bung
për t’na bërë gurë e cung
për t’na thënë: të pa-fe
pse mërgoheni në atdhe!?

I mbrujtur me kuq e bardh
me zemër e me karar
kisha marrë udhën e botës
me trastën e dijes mbarë
Kaq qindvjeç që isha bërë
terr e dritë më kishin vrarë

Donnerstag, 14. Dezember 2017

Gazetari dhe poeti Demir Gjergji, sonte në Radio LIRIA.

Gazetari dhe poeti Demir Gjergji


E enjte, 14.12.2017 / Ora 22:00

Sonte në emisionin "Personazhi i javës" në Radio LIRIA, i ftuar special është gazetari i Radio Tiranës dhe poeti i njohur z. Demir Gjergji. Emisioni është i drejtpërdrejt dhe fillon në ora 22:00. 
Përpos bashkëpunëtorëve, kontributin e tyre përmes skajpit mund ta japin edhe degjuesit. 
Adresa e skapit të Radio LIRIA është kjo: live:radioliria



Jetshkrimi:

      - Poezinë e parë e boton në vitin 1970.
      - Libri i parë “Ngjyrat e tokës”, sheh dritën e botimit në vitin 1974.
      - “Në sytë e mi” është përmbledhja e dytë poetike e botuar fill pasi përfundon studimet në Ut Tiranë, për gjuhë letërsi.
      - Më 1997, pas kthimit nga Italia, ku qëndron 2 vjet si emigrant, boton librin me poezi “Mërgimi i bukurisë“ 
     - Në vitin 2000 nxjerr në qarkullim librin tjetër me poezi “Vera në ikonë“
     - 2001, nxjerr në qarkullim libri me profile shkrimtarësh “Shtëpia e shkrimtarit”
     - Një vit më pas boton përmbledhjen me poezi “Digjet ylli i ikur.
     - Në vitin  2004 shkruan dhe boton monografinë “Haxhi Gjyli, një jetë për shkollën”.
     - 2005 Boton përmbledhjen poetike “Ishujt e mbrëmjes”.
     - Në vitin 2008 shtëpia botuese “Toena” i boton në serinë e poezisë shqipe, cikli “Kambana”, përmbledhjen poetike “Vetëm (V)era vjen” .
     - Po në këtë vit i jep lexuesit adoleshentët një libër me përralla “Pse nuk qeshte bija e mbretit”.
     - Para pesë vjetësh, pikërisht në ditën e Shën Valentinit të atij viti, ky autor u dhuron lexuesve të dashuruar përmbledhjen me poezi dashurie ”Bibla e buzëve”, që është libri i parë i një triptiku botimesh me poezi dashurie.
    - Botim tjetër është libri poetik:”Orë akulli”, si pjesë e dytë e triptikut. Botimi i fundit është romani “Biri i Botës”. Ndërkohë përmbledhja e tretë me poezi, që po përgatit për botim, me titull, “Alfabeti i algave”, është libri i fundit i triptikut.
         Ndërkohë Demir Gjergji ka qenë dhe vazhdon të jetë mjaft aktiv në faqet e shtypit të shkruar dhe në medien e folur. Ka 20 vjet si gazetar në Radio Tirana, duke realizuar një nga emisionet më jetëgjata dhe më interesante “Fjala si Fillim. Fjala si Flijim”, i cili i kushtohet tërësisht letërsisë dhe autorëve të saj.
      - Krijimtaria e këtij autori është vlerësuar me ]mime të ndryshme si Çmimi i dytë kombëtar për poemë në vitin 1986,  Çmimet “Ditët e poezisë Shqipe” në vitin  2001, “Skampini” etj.
      - Se fundi vjen me përmbledhjen poetike “Shkreptimë tjetër moti”



Poezi nga Demir Gjergji

SKENË NË PRAPASKENË

1.

Hije e frikshme, përtej e pështyrë:
Dy koka, dy supe dhe tetë gjymtyrë.
Hije, velë e zezë, me terrin e fryrë.
Hije mënxyrë, thellë në natyrë;
Gjysma, mbi barin pa ngjyrë,
Gjysma, mbi ujin e ndyrë.

2.

Dy kurme të ngrohtë,
Të hijshëm, të njomë,
Lidhur me frymë, me puthje, me lot,
Nën dritën e zbehtë të llampës së ftohtë
Japin e marrin llavë në shqotë.

Një qenie në qiell, me hijen përtokë.




MATERIE E TEJDUKSHME

Ajo kthjellohet, kristal i tejpamshëm fundemajë.
Flijohet, që bredhin ta shoh matanë në pllajë.
Dhe druri i moçëm shkrihet në gaz e shkrehet në vaj,
Ma thotë gjithçka që dua të gjej në qenien e saj.




MËSIME VJESHTE

Të zbehta meite, të thata, të shkreta,
Në slow motion lëshohen gjethet nga dega...
Kush ua mësoi këtë valle prej engjëjsh,
Që lindjen dhe vdekjen t’i thonë njeherësh?!

Si mund të jenë kështu, kaq të qeta,
Në ritet mortore të ndarjes nga jeta?!
Gjethet që bien nga qielli, nga vjeshta,
Na mësojnë si shkundet i gjalli nga vetja.

E dinë, se kaq i duheshin pemës,
Dhe hijes, dhe frutit, dhe rrënjës, dhe erës,
Na thonë, si mund të iket prej jetës,
Pa kuje, pa gjëma, pa zinë e të zezës.

Më mësojnë dhe mua si iket prej teje,
Pa ndjesë, dënesë, pa lutje, pa leje,
Siç ndahesh me formën çudi të një reje,
Siç kthehet në paqe një trim pas beteje.




HEMATOMË

Hija e Tokës
Shkeli e shkoi...
P-lojës sonë!

Nën lëkurë, në gjak,
Më çel një zambak!

Mëngjesi u gdhi...
Mbylli sytë e fli,
Mbi zambak të zi!

Mbama dhimbjen ti!




SHKELJA E HIJES

Hija e Tokës,
Shkeli trupin tim
Dhe çeli aty,-
Trëndafil mavi.

Fli, zemër, fli,
Fluturz e bardhë,
E lehtë puhi,
Mbi natën pusi!




KE DALË E MË PRET...

-Serenadë-

- Kthehu! - më bën zë mengjesi nga pushi i butë i faqeve,
Nga pjalmi i zemrave të
manushaqeve,
Nga puhiza e kaltër mbi bluzën e hollë,
Nga avulli mbi lëkurën e qullur me qiell,
Nga mrekullia e ëndrrës së parë erotike...
- Kthehu! - ma bën me dorë ajo paradite.

Kthehem dhe nisem!
Thërrmohem dhe një herë nëpër cicërima,
Në sy mbaj kraficën e hënës, dhuratë për ty.
Shkrihem, - petale dëbore përmbi luleborë.
E marr përdore kometën e humbur në dritë të paradites...
Fishkëllej në kërcej, kapërcej vise, qiej,
Sa vjen, më i lehtë, sa vjen, më fshehtë, sa vjen, më i nxehtë.

Ke dalë e më pret,
Në mesudhë, në mesditë, në mesjetë,
Cicërimë dhe puhizë, polen ëndrre dhe kometë.

- Kthehu, - mëngjesi thërret.
Manastiri i mbrëmjes bën gjumin vet.




GJUMË I TRAZUAR

Ëndrra
Erdhi,
Më pa
E të tha:
“Në tjetër shtrat...
U shtri yt atë!”

U zgjove.
Kërkove nënën,
Nga frika mos ishte në gjumë
Dhe shihte të njëjtën ëndërr.



MJEGULLA

Ngrihet
Frymëmarrja e gjumit të ujit,
Si gënjeshtra,
Fjalë pas fjale,
Nga buzët e tua të bukura.

Bie mbi pyetjen time
Për sinorët dhe orët,
Prej nga nisen meteorët.



BETEJA

Ishte ai vit, ishte ajo ditë me orën e ligë,
Që m’u bënë udhë, të ikja prej teje...
Ndërsa shembem natën si vigan mbi vig,
Ende shpirti s’jepet mes asaj beteje.




TË THIRRA NË ËNDËRR

Mendjeshkalluar, gjakshkumbëzuar, sytë në të shuar...
Peng i papenguar
Në gjumin e ëmbël...

Të pashë në ëndërr!

Frymë e munguar, ajër i tërbuar, shtrat i shtruar
Me rroba të ngrohta,-
Prush prej trupit tënd...

Të thirra në ëndërr...
Të zgjuarit shohin vëngër.

...Drita ndjehet keq...

Një sure Kurani përplaset për qelq:
“Gruan e tjetrit kurrë mos e prek!”

Dola! Nuk më pe!
Thirra, shenjë s’dhé.
Renda të të prekja,
- Mos, - the, - na gjen vdekja!
Engjëjt e përjetshëm,
Prekja i bën njerëz!-

Ika prapë në gjumë,
Mjegull e furtunë!




TJETËR KALENDAR

-Akapela-

Një janar
Për t’u parë.

Një prill
Shkoi si trill.

Një korrik
U fik në frikë.

Gjithë vjeshtën,
Vetëm heshtëm.

Një dhjetor
I gjorë në borë.

Prapë janar...
Dhe të ndarë.

Ne u deshëm kaq ngadalë,
A koha rend revan si kalë?!



NJË FYTYRË TJETËR...

Më sulmonte një fytyrë tjetër,
Ndërsa ndjeja po atë zemër!

Në oazin e lotëve të vjetër,
Sytë dilnin tepër!

Qenka herët, ende herët,
T’i lë lamtumirën verës,
Ta nis ftesën për festën vjeshtës.

Ma zë pamjen një fytyrë tjetër...

Vera baret brengës,
Vjeshta bredh në breshër...




SHFAQMU, DASHURI!

Më humbe... Jo se s’të gjej dot!
Linkun ta kam! Adresën ta di!
Në mua je mbyllur si në password,
Që rrekem ta hap, e s’mundem kurrësesi.

Vërtitem përhumbshëm në zhurmën e turmës
Si gur bilardoje goditur pa shenjë.
E ndjej: s’je ti, po unë jam humbës.
Ti thjesht, je fshehur si fryma në ndjenjë.

Nga mesi i sheshit më sheh një shtatore.
Heroi mbi kalë shtrin dorën ngadalë:
- Zër vendin tim te kjo përmendore,
Nga ky piedestal, ti thirre, të dalë!-

Më jep përkrenaren dhe armët e luftës,
Më lë përjetësinë, më vesh me lavdi...
Nga kupa e qiellit, mbi zhurmën e turmës,
I them: “Dil prej humbjes. Shfaqmu, dashuri!”



NJË ORË

Një rrethrrotullim i majtë në të djathtë:
60 sekonda, 60 minuta, 1 orë.
Vetëm një rrethrrotullim akrepash
Dhe kaq!

Dhe ne, që gënjejmë se rrojmë
Me ditë, me javë, me muaj, me vite, me shekuj
Dhe më shumë se aq!



SI MUNDE TË MOS JESH?

Si munde ta bësh të pamundurën,
Ta lësh veten pa frymë e pa moshë
Dhe hiret në sofër insektesh t’i shtrosh?!

Si munde aq butë,
Të futesh ku s’dukesh,
Siç natës i shkojmë nëpër muzg?!

Të mos jesh, si mund...?!
Ma thuaj,
Që të di të të ndjek dhe unë!



PO TË MOS ISHE...

Po të mos ishe ti,
Tani do të mendoja për vete.
Mund të ndjeja papritur uri,
Ose do të shihesha në qelqe.

Do t’i fshihja gjërat e rëndomta,
Rrudhat dhe erën e djersës,
Do t’i hidhja lëkurës aroma,
Që s’i kanë as lulet e verës.

Do të bëhesha me dhunë i bukur,
Do të krihesha më nge, me kujdes,
Do të bëja marrëzi për t’u dukur,
T’i zgjoja një tjetre “interes”...

Po të mos ishe ti...
Po ja që je, siç unë për ty jam,
Që shpirtërat të gjejnë pak qetësi,
Për t’ia nisur sërish ku e lanë.




VJERSHA E PASHKRUAR

Më parë se të vinte, ku ishte kjo vjershë?!
Në ç’shpirt përpëlitej, në ç’plagë rënkonte?
Nga ç’harqe vështrimesh lëshohej si heshtë,
Dhe ku fluturonte; në ç’pa(r)qe, në ç’fronte?

Po fati i saj më tej si do jetë,
Nëse nga fryma e shtrij nëpër shkronja,
Po ta mbërtheja si gjethez në fletë
Dhe fletën në libër pastaj ta botoja?

Kam frikë se librin askush s’do ta marrë
Dhe vjersha do thahet si gjeth në herbar.
Prandaj, pa mëdyshje, i them: “Udhë e mbarë!
Andej nga më erdhe pak çaste më parë.”



SHTATË DIMËRA

“Mos të pafsha e mos më pafsh!”
Thirra fort dhe britmën ndoqa...
Dhe shtatë dimra erdhën bashkë...
Vdiste ndër lumenj dëbora.

Ujërat rridhnin kundër ikjes,
Me inatin tim në rrymë,
Me shtatë dimërat e braktisjes,
Që s’dija për ku më shtyjnë.

Humbur bora lumë më lumë,
Ti, murosur tej te britma,
Shpirtërat enden si furtunë,
Vetëtijnë në shtatë dimëra.

Breglumenjve, lule ngrice
Si thëngjij shkrepnin shkëndija,
Në atë prush, që po më ndiqte,
Ty të shihja e dot s’të fshihja!