Samstag, 18. Februar 2017

Poezi nga Ragip Dragusha

Poeti Ragip Dragusha

Babait tim

Sot vendosa të flas me Ty,
në këtë sofër të pashtruar.
Desha përballë të them në sy,
se fjalët tua s'i kam harruar...

E mbaj mënd mirë fjalën tande:
"Mos kij frikë nga e vërteta,
prit me durim der' ditën e mrame,
që të kuptosh se çfarë është jeta"...

Ditën që ke ikur Zotit jam lutur!
Një vënd në paqë të keshë Ti!
Se në këtë botë asgjë e humbur,
nuk paska vlerë, sa të jesh' NJERI...



Hakërrimi i pranverës

A mos ndoshta pranvera,
dimrit ka me ju hakrrue:
- Kurr mos gëzofsh' dit' të tjera,
që ma prishe zëmrën mue!

Çfar ti baj unë skamnorit,
kur prej teje vjen i ngrirë?
E ke çu deri 'buzë vorrit,
s'jam e zoja mi përtri...

Kush pranverës nuk ja diti,
se çfarë vuan ajo e shkretë,
për skamnorin që s'e mbrriti,
ka me e ba dimrin lanet...

Mblidhnu t'gjith' ju skamnorë
dilni dimrit ball për ballë,
mos i leni gja në dorë,
tanë pushtetin me ja marrë!



Era e përëndimit

Ti moj erë e përëndimit,
tash sa koh' që m'përgëdhel',
shtyje valën drejtë mjerimit,
bash njat' vënd ku un' kam le...

Pash' njat' Zot që m'ka gatue,
pash' njat'nanë që m'ka qit' n'drit',
pash' tem'Atë, që u përvlue,
veç njiher' ti me e flladiit'...

Fryj' moj erë drejtë vëndit tim,
për ty brezat janë flijue
dhe pse sot jan' në amshim,
ta dish' mirë, se kanë me u g'zue...

Kur të mbrrish' në Shkodrën teme,
mos harro dhe varret tona,
merri mbarë emër për emër,
me i flladit' me lutjet tona...

Un' e di qe vrulli jot'
ka me e ba mrekullinë.
Bane emër i madhi Zot',
ta shpëtosh dhe Shqipërinë...



Kanga e poezisë

N’vargun tand du me çelë lule,
yberit ngjyrat me ja marrë.
Du me t’pa gjithmonë t’gëzueme,
n’shekull t’ri shtatëmbëdhjetvjecarë.

Andërrat tueja du me i prekë,
ma t’mirë frutat me i vjelë,
kurrëjigja nuk du me t’hjekë,
n’aromë lulesh me t’mbështjellë.

Për ty shumë du me këndue,
shpirtin tim du me ta falë,
bashkë me ty me fluturue, 
dhe kur fryma ka me m’ ndalë.

Vargun tand du me ndriçue,
n'rreze t’diellit me e qëndisë,
me fjalë t’ambëla zbukurue, 
porsi veli i nusërisë.

Miqtë e mi të kanë rrethue,
Mos vono ti sa ma parë.
Vishu bukur ato me i gëzue,
thueju: - Mirë se kani ardhë...

Dil pra ti e mos ke frikë,
se për ty ata kanë ardhë,
tash sa koh' jan' tuj të pritë,
fillo, pra, me kamë të mbarë.



Vaji i shekullit të ri

Më vjen keq për Shqipërinë,
por më keq për shqipëtarët.
Edhe pse ajo sot ngrinë,
prap' këndojmë për "Baballarët".

Ç'ti bëj' nëna fëmisë së gjorë,
që në shkollë balli i ngrinë?
Ah Shqipëri s'ke gjë në dorë,
sepse ujqit të përpijnë!

"Ku e lamë e ku na mbeti".
Vajtoj Noli shekullin tjetër.
Po këtë shekull, ç'far' e gjeti,
rilind' kan' "ustallart' e vjetër?

"Ah si s'kam nji grusht të fuqishëm"
Vehtës t'ja hedhë trutë përtokë,
gaboj Migjeni i madherishëm,
veç me fjalë s'shpëton kjo botë!



Furfullaci

Fufullaci gjenë nji vrimë,
për poshtë derës tuj fishkëllue,
kamët e trupin krejt mi ngrinë,
nuk qan' kryet hiq për mue...

Pantallonat e arrnume,
përposhtë derës i kam shti.
Si bylbyl rrin' tuj m'fishk'llue,
ma kan' njitë, sharrzën n'kry...

Furfullaci s'don me e dijtë,
as për pleq e as për fëmi.
Nuk ka gajle se nji ditë,
gjini i nanës ka me u ngri...

Furfullac asht tan' Shqipnia,
kush ma shum' e kush ma pak,
e thue faj' ka qeveria,
që s'na jep ma shum dajak?

Furfullac more t'past' nana,
nuk jam nana që mendon ti,
por jam rrena me dy rr'fana,
që më quajn' nana Parti...



Dy fjalë penës

Ah moj penë që bojën derdhe,
n'flet' të bardhë tuj e shpërnda!
Nuk ma mbush' dot mëndjen teme
se ke të drejtë, me ba gjithçka...

Bash njat' vënd' ku s'ka ra boja,
dy fjalë m'duhet për me i thanë:
- Gëzoni miq', se s'asht nevoja,
se gëzimi lotin, ma shpejt e than'!...

Gëzuar Ju, pra miqtë e mi,
gjith' kushrij edhe kushrina,
me kamë të mbarë viti i Ri,
Ju realizoftë andrat ma të mira!...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen