Montag, 20. Februar 2017

Poezi nga Hamit Taka

Poeti Hamit Taka

NE DHOMEN E POETIT

Ju bren kureshtja për dhomën e poetit?
Hyni pa emocione, është e qetë dhe e thjeshtë,
Sa të hedhësh hapat në qilimat e heshtur
Do të ushtojë sa qindra zgjoje me bletë;

Mjafton ta prekësh pak tavolinën e vjetër 
Do të kumbojnë në çast partiturat muzikore
Simfonitë e Moxartit e Bet’hovenit të verbër
Gjatë një mbrëmjeje miqsh në paqe dimërore;

Në çdo nyje druri ka brenda më tepër
Cicërima zogjsh se gjithë zemra e një pylli
Dhe karrigia e hershme me damask e veshur
Ka pamjen flurore të një peme në mëngjes;

Një vajzë fluturake mali vjen e të shërben
Në se është kohë për kafe a për të drekuar,
Përparsja e saj sjell aromën e bukës së ngrohtë,
Të trëndafilit të freskët dhe qershisë së lulëzuar.




DORE E ZOTIT

Vështroj detin që përkund,
Mijra valë perçeshkumë;
Duke dëgjuar detin e dashuruar
Vetëm ty të mendoj unë!

Era bredh me natë e ditë
Nëpër grunjëra, përmbi lumë;
Duke dëgjuar erën e dashuruar
Në shtigje malli të ndjek unë!

Natën shpirti bredharak
Përkund ëndërrat nëpër gjumë;
Duke dëgjuar shpirtin e dashuruar
Me ty në ëndërra jetoj unë!

Bebëza e syrit të dashuruar
Pa rrëfyer nuk lë asgjë;
Po bebëza ime e zbetë, e shuar
Të sheh ty, jo tjetër më!

O Zoti im, që mijra botë
I përkund fare pa zhurmë,
Dorën tënde duke ndjerë
Për gruan time lutem unë!




TI, PULEBARDHE E DETIT

Ti më erdhe si shpërblim i Zotit
Kur fati vitet m'i treste nëpër duar,
Ndonëse shpirti dridhej nga të ftohtit
Zemra vlonte-vullkan i ngujuar.

Ti erdhe si pulëbardhë për t’i zgjuar
Mëngjeset e prillit me bilbilë,
Mbi rrëpira e bokërrima ishte shtruar-
Buzëqeshja jote, lëndinë me trifilë.

Ti s’e kishe vështrimin magjepsës
Që dhe hëna lart ta xhelozonte
Pupil i syrit prej zjarrit i ndezur
Gjithë botën përflakte e ndriçonte.

Kryesorja, ti ishe pranë meje
Të ma dyfishoje forcën e rininë,
Pemët çelnin sytha e lule të reja...
Ne kupën e jetës pa reshtur e pimë.

Me ty në krahë kam harruar vitet,
Nuk jetoj dot pa sytë e tu të qashtër
Si dita që s’jeton dot pa dritën,
Si yjet dhe hëna pa qiellin e kaltër.

Mbi kreshtat e bardha të valëve
Anijen tonë me vela të grisura
E shtyu era, kënga e pul'bardhave
Në brigjet e ëndërrave të fëmijëve.

Ti, e para dhe e fundit që s’u plake
Dhe ruan zemrën e gruas plot hire
Me sytë e tu të heshtur, të dashur
Shikoj ngado veç fytyra të mira…




MENGJES NE

Një mëngjes i vetëm pa mendime.
Tej dritares ç’më lëkundet plepi.
Kjo dhomë e ngrohtë e kaq intime
Më nanuris me këngë djepi;

Mbi luginë borë, mjegull e kaltër,
Kreshtat lëpinë me gjuhë agimi,
Nëna trazon prushin në vatër 
Ku bubullon një flakë trishtimi;

Më iku dhe kjo natë dimërore
Drita hyn qetë-qetë në konak;
Ç’më kujtohen kokoshkat gazmore
Si kërcenin mbrëmë në oxhak;

Thinjat e nënës ujvarë besimi,
Me reflekse brengash si shenjtore,
Dhëmbja e qetë si lule kujtimi
Më kthen prapë në vitet foshnjore…

* * * * *
Më donte pëllumb të nisja fluturimin 
Me flatra të hyja e të dilja në derë,
Dhe herët e mora udhën e shkollimit,
E ajo më përcolli me zemër të prerë;

Unë e di mirë se ato lekët e shkreta 
I mblidhte për ditë në cep të kuletës
Sa herë ndaheshim te udha me plepa,
Fshehtaz m’i fuste në xhep të xhaketës…

Ç’t’i thoja nënës e çfarë t’i premtoja,
Se pas shkollës do ta bëja mbretëreshë,
Në pëllëmbë të dorës do ta nderoja,
Me çitjane mëndafshi do ta vesh?...

Në shtëpinë e vjetër mblidhet e vetme
Nëna e dhimbshur e lodhur e mpakur
Me një pension sa për bukë e kafe
Dhe ende tjerr e më pleks çarape…

Prej vitesh jam në shtet nëpunës
Për rrogën asnjëherë ajo s’më ka pyetur.
Bir, më thotë, ke fëmijë e halle,
Se mua ende diçka më ka mbetur…

Prapë më përcolli sot te udha me plepa.
Sytë e përlotur mes rrudhash ia pashë;
Ca kursime të miat që më kanë mbetur
Nën mbulesë të tavolinës fshehtaz ia lashë…




E DI

E di,
Dashuria ka mbetur zog pa fole,
Zemra fole e braktisur,
Pasioni i përdhosur,
Virgjëria-zhele e grisur,
Shpresa një shkretëtirë e pasosur;

E di,
Zemra ka mbetur fole prej bari
Tharë nga zhegu i verës,
Ku vezët ngrohu zog shtegëtari,
E lënë shkret nga ikjet e vjeshtës…

E di,
Virtytet shiten si mallra démodé
Në pazarin e xhambazëve pa fytyra:
Servilë, hipokritë, hafije, monstra pa ide
Që vesin e shumojnë në burdellot e ndyra…

Po mos i merrni aq seriozisht fjalët e mia
Dëshpërimi im duhet vërtetuar,
Se në fund të fundit s’ka mure liria
Dhe dashuria bën krahë për të fluturuar;

Mund t’ju jap dhe të tjera garancira
Barkun e bukur të nënave që lindin,
Mallin e mërgimtarëve,
Puthjet,
Endërrat,
Vargjet e dlira…

A mos janë pak që juve t’ju bindin?...
E di,
Zemra është lëndina e katër stinëve
Ku rigojnë rezet e shirat e zhveshur,
Ku kumbon blerimi i të gjitha bimëve
Dhe bien gjethet e lisit të heshtur…

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen