Poeti Mentor Thaqi |
FJALË BURRI
(Aqif Blytës, nderim postmortum)
N´mos i ruejshi Plisat,
as krenat s´keni me i pasë ma t´juvet
Tevona, ju marrin krenat erë
e s´i leni vetit nderë
Dijeni mirë që jeni n´gojë t´ukit,
se turku e shkjau janë dakord për guri t´hudutit
e na mund t´mbesim n´huhutinë t´hutit
Çetnik´të shajkaça po i mrehin thikat,
kujdes, boshnjakia nuk jav runë pikat
Unë jam ardhë me Dekret t´Shtetit
me i dhanë zemër Miletit,
me ju thanë: Mos hekni dorë prej m´vetit
N´mos e rujshi pragun
e n´mos u kollitshi vetë n´derë oborri,
s´ka me ju mbetë kund as gur vorri
Po ... a e dini që kemi hasmin soj morri
POETIT TË DËSHPRUAR
Urime, urime e gëzuar edhe ty vëlla Poet,
që n´shpirtë t´kanë thy dhe sivjet si vjet,
duhet të kthejm "bigen" kundër qejfit t´kuajve,
të marrim drejtimin e kundërt të djajve!
Pavarësia le të jetë një ndërgjegjësim
që t´kujtojmë përpjekjet që gjatë u bënë,
mos të na kthehet mundi në ofshamë, zhgënjim...
mos ta thëmi atë që kurrë s´do duhet thënë!
Shpirtërat po na i vrasin skenat e dhimbshme,
sytë e tyre mbushur e mbytur me lotë trishtimi,
çka duhet të bëhet që t´bëjmë luftë të bindshme,
që Lirisë t´i hiqet pushtimi e t´i kthehet kuptimi!?
Nuk kam qëllimin të mbjellë as korrë pesimizëm,
i besoj shumë Shpirtit të Kombit tim Liridashës,
por dua që të kthehemi në përkushtimin bindës,
pushtuesit e vlerave t´mos mbeten ëndërrvrasës!
ME 40 FIRMËTARËT
Për një t´pleqnuar të mbarë
dikurë moti,
40 pleqnarë
të kthjelltë
si loti
dhe t´këndelltë,
duheshin.
Fjala e dhënë
n´kuvend,
e thënë
me mend,
ishte vulë e përjetshme
me ngjyrë t´patretshme.
N´ktë dekadë
plot një shekull
kjemë n´rrokadë
por, Plisi mbi vetull
i bardhë
me t´skuqur,
luftrat n´radhë
shenjën pa huqur.
Sërish
u pamë,
tashmë n´Tiranë
njëqindvjet më vonë,
n´sytë tonë
sërish
shqipërisht
fjalën thonë!
Po, 40 Firmëtar
të aktit,
të faktit,
t´mos jemë t´varë,
fjalë e taktit,
refren shqiptar!
Mjeshtri Piktor
Arben Morina
me nuanca ngjyre,
n´buzëqeshje fytyre,
iu dha jetë
nga shpirti i vet!
Fjalë e tyre
vulë shembëlltyre,
edhe sot jehon,
si në Vlonë,
n´atë vjeshtë të vonë,
apo, vëlla Agron?!
LULE PËR LULEN
`Ep lule, merr lule, erëmon jeta...
kjo është urtia në arsye të të urtit,
bën mirë kur ecet n´binare t´veta,
çdo ditë e jo sall në të 14 Shkurtit!
Zoti i Madh, Boten krijoi me mjeshtri,
n´përsosshmëri i bëri t´gjitha gjërat,
n´fund tha: Po ju jepi edhe dashuri,
që t´i kurorëzojnë të gjitha të bërat!
Miti: Ai vetë mallkull, s´pari bëri mashkullin,
nga dheu që i dha jetë për dhe pas jete,
i dha ngrohtësi që shkriu dhe akullin,
ia bëri ndjenjat ashtu si deshti vetë!
Ev ev, bukuri nga ajo bri, tha le t´quhet Eva,
le të jetë pjesë kallëpi e Adamit,
unë për fillim, punën mirë e kreva,
veprimet tjera t´mbesin n´dorë t´vetësovranit!
Asaj nga dashuria, gjoksi buf, i gufoi,
e kënaqur me pamjen iu afrua Atij,
n´gjoksin e tij edhe të vetin e bashkoi,
dhe prej asaj dite, u shkrinë në Dashuri!!!
E ftohtë paskësh kjenë ajo ditë,
e ata t´lakuriqëzuar, por me mëndje t´urti,
u ngrohën nga afshi që i ripërtëritë,
po thonë se paska kjenë vetë 14 Shkurti!
Nuk ka rëndësi se a po më besoni,
se a e ka thënë apo jo Shën Valentini,
rëndësi ka të duheni ... të dashuroni,
sall me dashuri, zemrat i përtërini!!!
MOS MA LUNI POSTAJEN
(Mulla Zekë Berdynës me shokë, nderim)
Tucat, babo, as Zoti nuk i don,
jau ka falë dreqit e t´birit
Postajen mos ma luni venit n´hapsane,
mos mujsha me ardh´ vetë,
vijn tjer´t n´ven temin ...
Selim Delia, Xhemë Ferizi, Idriz Ala ..
Selim Tali a Cen´ Smajli ...
se azganat nuk rrijnë dupë për Vatan
Për me ju folë rreth Rrug´s t´Zotit,
m´zavenson Mulla Isa a Mulla Ramushi,
e jo gjithkushi e kurrkushi
Jo pasha baben, jo
mos u mashtroni mas sharanash
se ma laramana se sharovat, janë
Nji herë kçyrne Qellen e tri herë Token,
e hapin mos e nalni
se pasha shejtninë e At Luigj Palit,
baba s´i dahet frontit as malit
e Rrug´s t´Vatanit ... jam ushtar i Mulla Idriz Gillanit
... e krou ballin e rrudhun
prej sènev´ n´hapsane,
nji lutje shqip e bani:
Zot, m´jepë takatë se po m´lypë Vatani,
sall e mara përpara shkoftë,
ashtu kjoftë!
Eh, qe besa as bora, shiu, fryma as bryma,
nuk e ligshtu´në ... i thanë Mulla Zekë Berdyna
MUSHKNITË RRETH QAFE
I moren në strajcë mushknitë e kingjit,
ia varen rreth qafe ujkut, pa mendu hiç,
thanë se tash me miqësim do ta bindin,
sepse sprova po vlejka edhe për miqë!
Sa shumë u çudit "Kasapi" Ujk sarhosh,
tha: Deri dje më ndiqnin për t´më therë,
tha: Athua është i vetëdijshëm ky soj kodosh,
se kuj mushknitë në qafë ia kanë vjerrë!
Epo, pasi u bë kështu, "Kasapi" u betua,
në nderin e tij prej një kasapi zanatli,
se miqësinë deri n´fund ka për ta respektua,
dhe do ti bindë edhe kundërshtarët e tij!
Turma i fërkonte duart me kënaqësi,
thanë se paskan bërë veprimin e duhur,
të tjerët, t´pakënaqurit fyheshin zi e më zi,
se kot për "mikun" e çonin gjithë atë pluhur!
Dhe, ujk daija u takua me miqtë e vjetër,
i kullufiten dhe shkrryen mushknitë pa vonim,
tha: Budallënjtë e dinin që s´kam zanatë tjetër,
vetë ma mundësuan të bëj zanatin tim!
Turma si turma sillej si pula pa krye,
dikush sa mund shante, tjerët turfullonin,
po kishte prej tyne që mushkni kishin shkrrye,
duke mbrojtur ujkun dhe më zi shkretonin!
E ujku si ujku, ai kasapi i hiles, sarhosh,
i nënçmonte të gjithë, filloi me kërcënime:
- Le ta din mirë ky milet, ky farë soji kodosh,
unë tashmë veç se e kam lukuninë time!
E të pa kënaqurit, kundërshtarët e hershëm,
që sa mund shaheshin e fyheshin nga turma,
zemra iu vlonte, mundoheshin t´jenë t´ndershëm,
por ujku mushknitë veçse i bëri kavurma!
Eh, përralla n´shkallë, dukati mbi ballë,
shumëkush lindë, rritet dhe vdes me përrallë!
VJERSHË PËR DASHURINË
Thashë, sot do shkruaj vjershë,
jo, nuk do shkruaj poezi,
do i nënshtrohem i tëri
sakrificës së Shën Valentinit,
shpresoj të mos bie ndesh
me bashkëpoetët e mi,
por, zemra "fërk" më bëri,
kur ia fillova këndimit!
Asaj që m´zbutë zemrën
më të butë se të qengjit,
dhe, harroj se jam "BURRË"
i traditës së hershme,
paj, s´dua të vras mendjen,
për thashethëmet e vendit,
nuk kam pohuar kurrë,
se është punë e pandershme!
Me dashuri u bë bota,
Zoti dashurinë e fali,
Adamit, kur nga brinjtë
e nxorri të dashuren Evë,
me pallavra të stërkota,
kush plleshmërinë s´e ndali,
e sa për gojëkëqinjtë,
dashurisë iu bëfshin levë!
Po ç´faj ka sot Adami
që është secili prej nesh,
që i rrehë zemra fort
kur është pranë asaj,
sytë katër ke fustani
që ajo mbanë veshë,
e mbërthen n´krahëror,
ah, ... po ç´bëhet pastaj?!
Të falem nderit o Zot
që e krijove femrën,
nga brinja ime që e dhashë
pa m´u dhimbsur aspak,
e thëm sot e gjithëmot,
ajo e rinon zemrën,
po, e di mirë çfarë thashë,
shpirtin më ndezë flakë!
Ajo është vet jeta
që bulon në brëndi,
dhe fare pa u ndalur
rrjedhë si lumë i gjatë,
është gjysma ime që e gjeta
dhe u bëra një tërësi,
brinja ime që kam falur,
Dashurisë, Dhuratë me Uratë!
TRAJTAT E DJERRAKOHËS
Unë bëj pus,
ti bën dri,
n´pus me dri
unë e ti!
Ne bëjmë bjerrje
pa tjerrje
dhe n´përmerrje,
keq
vetes
dhe jetës,
të tjerë
na bëjnë t´mjerë,
na shkelin
Derë
dhe Nderë
si shumë herë!
Kur luajm
me kokën
luajm edhe
me tokën,
tevona
priti kusuret
nga "zuhuret"!
Trajtat
mund t´ndryshojnë
e koha djerrë mbetet,
nga dita në ditë
zhagojnë
shtyejm veten,
dikë edhe mallkojmë!
E ç´rëndësi ka
se kush e bën,
unë, ti apo cili?!
Eh,
këtu ka një sherr
që, pas lë gverr,
arsyen kanë vra,
mirëqenies
iu ndez fitili!
ËNDËRR E THYER
për një realitet,
një ëndërr theva
nuk e di sa vlerëshëm doli,
nuk ishte e pritura
ëndërra u thye, tashmë
hë për hë
realiteti, ndoshta kuptimlidhur,
por, i hidhur
eh, kur ëndërronim
diçka ndryshe donim
TOKË E KOKË
alternativë e pa alternativë
n´tvetmen përzgjedhje
jo vetëm t´keshë,
më shumë, t´jeshë
apo mos t´jeshë
dy duar për kokë
e koka n´duar t´arsyeshme
kur je me këmbë n´tokë
i pa mëdyshje
pëllëmbë për pëllëmbë,
tokës,
dhëmbë për dhëmb,
botës,
me peshën e kokës
paj, tokë e kokë
s´i ndava dot
Mentor Thaqi u lind në Llukë të Epërme të Deçanit më 08 Qershor 1965. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm (Gjimnazin) i kreu në Deçan. Ka studiuar ekonominë në UP. Që nga viti 1989 jeton dhe vepron në mërgim, kryesisht në Gjermani. Me shkrime merret që nga rinia shkollore, në fillim botoi në revistat dhe gazetat e kohës: Zani i rinisë (tevona Zëri i rinisë), Fjala, Shkëndia, Thumbi, Bota e Re, Bota sot etj.
Botime nga ky autor:
- "Rrënjët", poezi, SHB ADA, Tiranë 2011,
- "Pesë degë trungun thërrasin", poezi, bashkautor, SHB Marin Barleti, Tiranë 2012,
- "Rrjedhat e kristalta", poezi, SHB Focus, Prishtinë 2012, bashkautor,
- "Tokë Arbërore 1", poezi, bashkë me Musa Jupollin, SHB Olymp, Prishtinë 2014,
- "Tokë Arbërore 2", poezi, bashkë me Musa Jupollin, SHB Zef Serembe, Prishtinë 2014,
- "Çamëria në vargjet e mia", poezi, SHB Faik Konica, Prishtinë 2015.
Bashkëpjesëmarrës në disa përmbledhje poezishë (antologjishë):
"Një shekull dritë", "Bekim për Bekimin", "Trinomi i Lirisë", "Flakadani i Lirisë", "Puhizë përmbi Koshare", "Antologji për çlirimtarët, A. F. dhe I. K.", ...!
Në parabotim (të dorëshkruara dhe përfunduara):
"Lis me Plis", poezi, "Sandraqa jote", tregime, "Bukë e brumne", tregime, dhe tri përmbledhje tjera me poezi ...!
Autor i dhjetëra tekste këngësh të realizuara (kënduara). Punon dhe vepron në Gjermani. Veprimtar në shërbim të Çështjes Kombëtare mbi tri dekada.
Momentalisht është në Kryesinë e LKSHM (Sekretar Organizativ-Administrativ) dhe në Kryesinë e LSHAKSHGJ (më heret ishte Nënkryetar).
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen