Samstag, 18. Februar 2017

Bajram Kallaba - Shtegëtimet katrahurë

Bajram Kallaba
Tregim

        Fusha e golfit ish një oazë më vete. Një vend pitoresk ,përgjat së cilës drunj të llojeve të ndryshme mbyllnin hermetikisht këtë rezervat sportiv. Ishte pasdite e vonë. Akoma mund të vëreje ndonjërin syresh,që lëshonin këto fusha kaq atraktive, duke tërhequr valixhet me paisje zvarrë në drejtim të hotelit.
        Përball këtyre fushave, dëgjoheshin krisma sistematike të bombolave , qe frikësonin korbat dhe sorrat që të mos dëmtojnë vreshtat.
        Dielli po numëronte çastet e fundit të rrugëtimit të tij , kurse rrezet e kuqërremta preknin mektësisht majat e pirgut brenda kompleksit hotelier. Mbrëmjen e bënte akoma më të errët, mjegulla tepër e dendur. Pastaj, terri ngryste dalëngadalë çdo gjë në vorbullën e saj.Roja po mbyllte portat e hyrjes kryesore më herët se zakonisht. Hoteli kish mbetur një godinë e boshatisur, qëkur pronari i saj , z. Müller ishte gjetur i varur në tavanin e hotelit të tij.
        Në dhomat sipër, dikush po fikte dritat një nga një, ndërsa poshtë reflektorët ndriqonin pjesët kryesore te kompleksit hotelier. Pirgu mbetet pika më kulmore brenda këtyre godinave.
        Në një nga dhomat e rezervuara për personelin shërbyes,banonte familja treanëtarëshe e një azilkërkuesi . Një dhomë fare e vockël , që pak dallonte nga një dhome burgu.

Kur u bën gati të flinin,atij seç iu kujtua zarfi diku në raftet e komodinës.
        - Nuk paske fjetur?-pyeti ajo.
        - Jo - tha ai,sapo bëra një sy gjumë. Më pushuan nga puna...e dëgjove këtë? Sot mora 50%-shin e pagës. 

Zonja Müller nuk dha asnjë sqarim. Duket se zbatoi qeranë e banesës.
        - Bëre ankesën?
        - Jo, gjegji ai. Të gjithë shkuan në komemoracionin për z. Müller
        - Për hir të zotit , mos ma përkujto këtë emër!
        - Eh pra,që ta kujtosh lakun në tavan...e kupton?

        I gjori plak!- tha ajo.Sa gjë e tmerrshme ishte! Zonja Benetti, kish qenë dëshmitari i parë okular. Ajo, kur pa një skenë kaq trishtuese,u lëshua shkallëve teposhtë duke uluritur si e çmendur.
        Një britmë kaq lebetitëse, alarmoi gjithë personelin e hotelit. Të nesërmen , për shkaqe të sigurimit të hetimeve, organet e rendit urdhëruan mbylljen e hotelit.
        - Ti e njihje mirë z. Müller? Cila është e vërteta rreth lakut-pyeti ai?
        - Zonja Benetti më pati folur gjatë një dreke kohë më parë. Flitet tha ajo,se z. Müller paskësh mashtruar pronarët e tokave në mënyrë të paligjshme, por ata nuk u ndalën së ankuari. Pastaj, mbi pronat shoqerore paskësh ngritur fusha të tëra golfi, duke rrethuar ato ma plantacione pemësh.
        Beteja e fshatarëve për kthimin e pronave nuk ishte ndalur, gjerësa kërkesat e tyre morën përmasa publike deri te protestat popullore .
        Zotëri Müller, duke nuhatur disfavoret e tij rreth pronave, shpesh dukej i shqetësuar.             Pas aktit tragjik ne tavanin e hotelit, hetuesit , pranë trupit të pajetë të tij gjetën një letër të shkruar. Askush nuk ish në gjendje të komentoj përmbajtjen e letrës, sepse hetuesit menjëherë e kishin futur ne një folie plastike atë si një provë materiale. Ata ,në të njëjtën kohë kishin shoqëruar deri në stacionin policor, çiftin e ri Müller- pasardhësit e padronit plak Müller, si dhe dëshmitaren okulare zonjën Benetti.Kjo e fundit ishte liruar menjëherë, pas marrjes në pyetje. Ajo, ishte personi i dytë në hierarkienë e stafit menaxhues te ketij kompleksi hotelier, e cila kishte ingerenca të plota në përgjegjësitë rreth menaxhimit. Ajo, jo vetëm gëzonte besimin e padronëve, por kishte tipare organizative dhe profesionale ne fushën gastronomisë.
        Natën kritike,ajo thuhet të ketë shoqëruar padronin plak përgjat gjithë hapësirave të hotelit. Çuditërisht, ai nuk kish shfaqur asnjë shenjë depresioni , përpos dekoncentrimit në hapa, kur po zbriste shkallëve të bodrumit. Në ndarje, përballë dhomës së gjumit, ia kish shtrenguar asaj fort dorën, gjë të cilën nuk e kishte bërë asnjeherë më parë.Ai nuk kish folur asnje fjalë të vetme,përveq një shikimi të mekur e shfajësues.
        Zonja Benetti, mbeti e ngrirë për një çast me vështrimin përtej dritareve...në hapësirat e fushës së golfit, brenda çiflikut të z. Müller. Asaj i kish bërë përshtypje kjo sjellje e pazakontë e tij ,ndaj këtë ndjesi , ajo ia kish shfaqur edhe padronëve të rinj- çiftit Müller. Prandaj, duke dashur të dëshmoj para tyre besnikërinë, ajo kish rrëfyer për gjërat më të thjeshta në raport me padronin plak.
        - Po ti e njihje karakterin e tij?-pyeti ajo
        - O zot , si nuk ke harruar! Të kujtohen gaforret? Sa e tmerrshme është kjo histori. .. kazani me ujët valë.Pastaj mënyra se si vriteshin ato! Askush nga ne që punonim në kuzhinë, nuk deshironte ta shihte këtë skenë trishtuese. As z. Müller nuk e bënte këtë veprim me dëshirë, sepse thoshte ai më shqetësojnë pa masë lemeritjet e tyre gjerësa ato vdisnin.
        - Po, ajo femra e çmendur?
        - Ah, ajo flokëshprishura po mendon? Po, ish parë të kalonte këtej pari, pas rrethojave të kështjellës.
        Dikush paskësh thënë, se z. Müller kish lënduar rëndë shpirtin e saj. Prandaj, si pasojë e një depresioni të madh, ajo qenkësh shëndërruar në një lloj fantazme. Moldavja që kujdesej për pastrimin e rrobave, kishte dëgjuar shpesh klithje rrënqethëse dhe rrapëllima tek portën kryesore.
        - Mendon se kishte diçka misterioze rreth këtyre historive?- pyeti e habitur teksa mbështolli foshnjën ajo.
        - Ndoshta një lloj hakmarrje...mund të jetë. Mallkim i vonuar.Apo... ku ta dish?!
        - Janë gati valixhet?- e ndërpreu ai.
        - Shshshsht!-murmuriti ajo. Do ikim...s’është heret thua?!
        - Patjetër,se nuk e përballojmë dot. Bëmë jetën katrahurë!- tha ajo e dëshpruar.
        - Nuk kemi edhe një shansë tjetër...do kthehemi ne pikën zero, atje prej nga erdhëm.
        - Mos, për hirë të zotit!. A nuk përjetuam ferrin atje?! Mos e zgjo Albën...merr valixhet, se dita po agon- tha ajo.Nga sipër , dritat e reflektorëve shpërndaheshin në horizontin plot mjegull, kurse katroret e syldisur vezullonin oborrin e rrethuar. Mëngjes me ndriçim të brishtë.
        Duke u siguruar se çdo gjë është në rregull, ata nëpër derën gjysmë të hapur, u lëshuan shkallëve teposhtë me hapa cubi dhe padiktueshem u ngjitën në rrugën kryesore. Duke u larguar, trupat e tyre tretën si hije nate.
        - Ec! - tha ajo qetësisht ,duke e shtyrë nga pas. Kalorës të natës jemi- tha dhe për një çast ktheu kokën prapa...atje ku gjetën strehimin e parë në statusin e refugjatit. Eh...fati ynë djerrinë! Ne, shtegëtarët e jetës pa strehë. Shtrojerave te botës për një kothere bukë. Sa gurët i kemi lëvizur nëpër botë!
        - Gurët e shtegëtimeve !- tha ai i zemëruar.
        - Shtegëtimet e katrahurës sonë, xhan!-shfryu ajo nga thellsia e shpirtit dhe hodhi shikimin kah horizonti, atje ku hëna akoma shpërndante rrezet e kristalta bashk me yllin e mëngjesit. Ndoshta, do të gjendet diku një fat tjetër i ri . Diku , në një skaj tjetër te botës.Ndoshta...nuk i dihet fatit!
        Atje , ku rrezet shpërndajnë shpresa të panumërta për njerëzit që jetojnë me to. Diku, ku dora s’i prek...por zemra i admiron.Ndoshta ,diku...ku ta dish!!!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen