Mittwoch, 10. Juni 2020

Zëri unik i muzikës shqiptare

Hanife Sejfullah Reçani
Hanife Sejfulla Reçani

Hanife Sejfulla Reçani është këngëtare e njohur. Nga populli u kurorëzua me epitetet “Bilbil i Pollogut” dhe “Bleta e Pollogut”, e me të vërtetë ajo ishte dhe do ngelet bilbil që nuk i shteret zëri në vesh të popullit të vet, dhe bletë që gjithë nektarin e mbledhur nga trashëgimia jonë, e shfaqi në skenat ku debutoi 50 vjet me radhë. Hanife Sejfulla Reçani, veç se është “bilbil” dhe “bletë” e Pollogut, është edhe bijë e Lumës, trevës me virtyte të larta kombëtare shqiptare. Ishte e bija e Sahit Myrtës – Keçës, familje kjo me tradita e zakone tipike malësore shqiptare. Gjyshi Ismail Keça, bashkë me dy djemtë Sahitin dhe Malën për shkak të kushteve të vështira, në vitin 1934 u shpërngulën nga Shkinaku (Grykë – Çajë) i Lumës, duke kapërcyer Korabin dhe dolën në fushën e Pollogut, konkretisht në Gostivar. Këtu u pritën mjaft mirë nga vendasit, ashtu si qindra matjanë e dibranë që u shpërngulën në këtë periudhë. Pikërisht në këtë ambient, lindi dhe u rrit Hanife Keça. Ajo këngën e pat trashëguar nga familja e saj, të cilët e vazhduan traditën e tyre edhe pas shpërnguljes nga Luma, ku në odat e burrave, përveç kuvendeve, muhabeteve e shakave, ia merrnin edhe këngës. Gjyshi, Ismaili qe mjeshtër për lojë me çifteli, babai Sahiti gjithashtu luante në çifteli, ndërsa xhaxhai në lahutë. Motrat e saj, Fatimja e Xhemilja, si dhe vajzat e xhaxhait Lemja dhe Sevdija, kishin zë bilbili dhe i binin dajres. Vëllezërit Bajrami, Halimi, bashkë me djalin e xhaxhait Hakikun këndonin gjatë përcjelljes së gjyshit me çifteli. Talenti i motrave nuk mundi të promovohej më, shkaku se u martuan nëpër ambiente ku nuk kultivohej kënga. Hanifja u martua në moshë fare të re, diku si 17 vjeçare, por bashkëshortin, profesorin e nderuar të gjimnazit të Gostivarit Feim Sejfullai-Reçani, e pat përkrahësin më të madh të saj, i cili realisht rridhte nga një familje me vyrtyte kombëtare. Talenti i saj u zbulua herët, si nxënëse e klasës së dytë apo të tretë, gjatë manifestimit të këngëve dhe valleve të pionerëve në podiumin e vendosur në rrafshin e Leunovës dhe Niqvirovës, komuna e Mavrovës. Si 12 vjeçare, bashkë me shoqen e saj nga Gostivari Hidajete Vishka, të cilat u veçuan nga mësuesi i tyre i parë, i ndjeri Xhemail Pollozhani, së bashku edhe me mësuesen dibrane Lamika Bollçishta Kërliu, morën pjesë në organizime të ndryshme në Mavrovë, ku Hanifja hodhi hapat e para si këngëtare. Përveç kësaj, Hanife Sejfulla Reçani dallohej si një vajzë shembullore dhe e shkëlqyer në mësime, gjë e cila i ndihmoi të krijonte portretin e saj si artiste, qysh në moshë fare të vogël. 

Profesor Lorenc Andoni, në vitet e ’60-ta qe redaktor i muzikës në Radio Prishtinën. Ai duke gjurmuar për këngëtare tjera me vlera, meqenëse numri i tyre ishte i pakët (njiheshte vetëm Nexhmije Pagarusha, Nafije Smahoviqi, pak më vonë Liljana Çavolli…), kishte hasur në emrin e Hanifes. Hanifja në këtë periudhë si duket kishte pushuar paksa nga angazhimet artistike, dhe Lorenci me të hetuar këtë shkon drejt e në shtëpinë e saj. Këtu pritet me tradita të larta lumjane nga bashkëshorti dhe nga Hanifja vetë, e profesor Lorenci nënvizon se Hanifja duheshte detyrimisht të vjen të inçizojë në Radio Prishtinën, por ajo si 20 vjeçare, me dy fëmijë atëkohë Teutën e Ilirin, s’pranoi duke potencuar se e ka mbaruar punën me këngën. Në këtë moment, i shoqi Feimi, i kthehet: “Do të dëgjosh këngë, ndaj duhet edhe të këndosh…”. Lorenci, pasi e has dëshirën e flaktë të saj për të kënduar, i thotë se udhëtimi për në Prishtinë do i sigurohet me makinë speciale, e pas këtyre fjalëve, i shoqi Feimi, i thotë: “Oj lumjane, populli ynë shkon përpara, kurse ti don ta shpiesh prapa… 

Koha jonë është kohë e përfytirimit tipik, kohë e kthesave ku populli e legjenda përmes këngës shtojnë vlerat e komunikimit… Kënga shekullore rinohet tek fjala e popullit, këto thesare duhet të barten brez pas brezi…”. Fjalët e të shoqit, si duket u bënë frymëzim dhe shtysë që Hanifja të vazhdojë rrugëtimin artistik, për të përmbushur kështu amanetin e të parëve. Në Prishtinë pritet ngrohtësisht, ku i inçizoi dy këngët më të popullarizuara të saj: “Bien tri daire” dhe “Dil aty ku dole mbramë”. Pas inçizimit të këngës së parë, ajo merr një kompliment nga producenti i radios, duke i thënë se ka qenë e shkëlqyer. Ky qe një emocion i veçantë, i cili derdhi talentin e artistes sonë gjatë inçizimit të këngës së babait të saj “Dil aty ku dole mbramë”. Në vitin 1964, bashkë me vëllain Halim Keça, Hanifja merr pjesë në manifestimin garues midis Koçanit e Gostivarit, ku nën përcjelljen me kitarë të të vëllait, marrin vendin e parë, duke nderuar kështu jo vetëm qytetin e lindjes, por gjithë krahinën veriore. Në vitin 1971 i vjen ftesa përsëri nga prof. Lorenc Andoni dhe Isak Muçolli për të inçizuar këngë të tjera.

Tashmë, Hanifja e pat më të lehtë, meqenëse ishte popullarizuar tej mase dhe publiku kërkonte ta dëgjonte edhe me këngë të tjera. Pas kësaj, punëtorët e UDB-së e akuzojnë pse ka kënduar në Prishtinë e jo në Shkup, ndaj u trasua iniciativa e Talat Avçes dhe e muzikologut Ismail Hoxha që ta ftojnë për të inçizuar në Radio Shkupin. Të parën këngë për ta inçizuar e caktuan “Për midis pazarit të Durrësit” dhe kënga e dytë që planifikohej ishte “Mori cucë matjane”. Atëherë, z.Hoxha i thotë Hanifes së këto dy këngë, me të dëgjuar, i ka ndaluar Bllago Ivanov nga Radio Shkupi. Siç pat rrëfyer vetë artistja, ishte prekur nga vendimi që ishte marrë, por e pat ngushëlluar veten me arsyen se metëvërtetë ndryshonte cilësia e inçizimit nga ajo e Radio Prishtinës, kur dijmë se melosin shqiptar, në Radio Shkupin mundoheshin me çdo kusht ta kthenin në muzikë bullgare. Realisht, Hanifja hasi në ndihmesë të madhe nga kryeredaktori i Radio Shkupit Talat Avçe, i cili bashkë me babain dhe të afërmit e saj, e ndihmuan Hanifen që të shkolloheshte në formimin e zërit të saj. Ai fillimisht e paskësh dëgjuar inçizimin e Hanifes realizuar nga Parashqevi Maleska, kështu e fton atë në ambientet e radios që drejtonte. Hanife Sejfulla Reçani bashkë me shoqërinë “Besa” të Gostivarit, në vitin 1985 ishin ftuar të vizitonin Shqipërinë, e mes artistësh të tjerë, në këtë udhëtim qenë: Luan Hajra, Nazmie Hoxha, Fitim Domi (humorist), Shaban Çekaj, etj. 

Fillimisht Hanifja nuk e pranoi këtë oferët për dy arsye: e para, se duheshte të udhëtojë pa bashkëshortin dhe e dyta, sapo i kishte ndërruar jetë i ati. Megjithëkëtë, nëna e saj bëhet shkaktare që ajo të shkojë dhe në kthim e sipër, nga malli i Shqipërisë, t’i sjellë një grusht dheu. Ajo, në Tiranë i kishte djemtë e hallës, te të cilët i pëlqeu një lule kaktusi, të cilën nënës do t’ia çonte si “selam” nga mëmëdheu. Kushërinjtë ia dhuruan me gjithë dëshirë, por e gjithë lumturia që ndjeu Hanifja, u shua në kufi, ku gjithë çka patën, forcat policore ua hodhën pa pikë mëshire. Bashkë me Shaban Stafajn dhe Maksut Deharin e themeluan shoqërinë “Besa” të Gostivarit, e cila funksionoi fuqishëm 8 vjet me radhë. U paraqit me këngë dedikuar fatit të femrës shqiptare, për kurbetin, që u bë fat kolektiv dhe plagë e pashëruar për shqiptarët, por një pjesë të mirë të repertoarit të saj e përbëjnë edhe këngët lirike, siç kemi: “Dukanja”, “Pse je hidhnu ti me mua”, “Prej Tetove në Gostivar”, etj. Në vitin 1970 u shpall “Këngëtare e vitit” për interpretimin e këngëve të Pollogut e të Sharrit. U nderua me disa çmime e mirënjohje, por më e fundit iu dha një vit më parë nga presidenca e Kosovës “Medalja Presidenciale e Meritave”. Debutoi në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, por edhe nëpër shumë shtete tjera të Evropës, ku duartrokitjet nuk kishin të ndalur. 

Kur është fjala te Hanife Sejfulla Reçani, çdokush që merr guximin të flet për vlerat e saj, duhet të mendohet mirë. Është e vështirë të gjesh një artist me një bagazh artistik të mbushur vetëm me suksese. Rasti i Hanifes ndryshon nga gjithë të tjerët, pothuajse të gjitha krijimet e saj janë bërë hite, janë frymëzim i brezave të rinj artistik dhe që realisht i rezistuan dhe vazhdojnë t’i rezistojnë çdo furtune të kohës. Faktorët e një fenomeni të këtillë janë të shumtë: fillimisht malli i shkëputjes nga mëmëdheu (Luma) e një familjeje me tradita të mëdha atdhetare plot 83 vjet më parë, vokali i magjishëm i kësaj artistjeje, të cilën artiste e bëri vetë talenti i saj dhe e ngriti lartë populli që dijë të vlerësojë atë që i përkushtohet atij, më pastaj edhe gjetja e temave që e preokuponin shoqërinë shqiptare, përpunimi i tyre në mënyrë magjepsëse që pushtoi dejet e shpirtin e kombit, por edhe thirrja që i bëri popullit të vet që të mos harrohet tradita kombëtare e të luftohet për mbrojtjen e saj. Kulmin e saj e arriti në vitet ’60-’70 kur një plejadë e mirë artistësh dolën nga ai sistem monist, por nga kjo fatkeqësi, lindi mrekullia: populli ynë shënon histori me brezin e këtyre artistëve… 

Sado që t’jua ndryshonin bashkëkohanikeve të Hanifes emërtimet: Gonxhe Manaj në Gonxhe Manakovska, Mirvete Bellova ta prezantonin si Mirvet Bellovska, apo Nafie Stojkut t’i thonin Nafije Stojkoviç, aq më tepër kulturës shqiptare do t’i gufonte dëshira për të luftuar në përmirësimin e gjendjes së popullit shqiptar. 

Të veçantë e bënin edhe momentet kur i ofronin pagesë për ta paguar nëpër manifestime, e ajo, ashtu siç ishte, përgjigjej: “Unë nënçmohem nëse më paguani, sepse i këndoj popullit tim. Asnjë artist nuk duhet ta sakatojë këngën e bukur shqipe për para…!”. Këngët emblemë të saj do ngelen: “Bien tri daire”, “Prej Tetove në Gostivar”, “Moj fusha e Korabit”, “I hipa pamporit”, “Kënga e çobanit”, “Dil aty ku dole mbramë”, “Pse je hidhnu ti me mue”, etj. Në repertoarin e saj kemi një pasuri prej afro 200 këngësh, njëra më e suksesshme se tjetra. Vitet e fundit të jetës i kaloi pranë gjirit familjar, ashtu e sëmurë në shtratin e vdekjes, ku përkujdesje pat vetëm nga bashkëshorti, fëmijët e familjarët. Zemra e saj pushoi së rrahuri më 17 nëntor 2017, duke lënë pas vetes fëmijët, familjen, neve që e vlerësojmë thesarin e saj artistik, mbi të gjitha, la pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në zemrën e artit të kombit tonë. (koha.mk)