Dienstag, 19. März 2019
Shyqyri Alushi, artist që i dha shpirt këngës shqipe.
10 maj 1934 - 18 mars 2019
Shyqyri Alushi ka lindur në Shkodër më 10 maj të vitit 1934. Këngëtar i shquar i ahengut dhe këngës popullore qytetare shkodrane në gjysmën e dytë të shekullit XX-të. Rrjedhë nga një familje me origjinë fshatare. Prej babait të tij Alushit, trashëgon pasionin për muzikën popullore. Shyqri Alushi ishte këngëtar dhe muziktar popullor në fyell dhe zumare.
Realisht Shyqriu bëhet këngëtar nëpër ambientet muzikore të shtëpive dhe lagjeve të Shkodrës duke dëgjuar drejtpërsëdrejti ose nga pllakat e gramafonit mjeshtra të ahengut si Shuk Prifti, Sadik Spahija, Marku i Kranjanes, Sait Hoxha, Hasan Prezën etj. Në moshën 10 vjeçare këndon me shokët e lagjes dhe më 1956 këndon këngët e para popullore në koncertin me rastin e inagurimit të kinema “Republikës” në Shkodër.
Për një kohë të gjatë Shyqri Alushi këndon si këngëtar nëpër dasma në Shkodër dhe në të gjithë fshatrat e rrethit të Shkodrës, në lulishte, lokale të ndryshme si dhe në shtëpinë e oficerave. Në lulishten “1 Maji”, Shyqriu shoqërohej nga orkestra popullore e Adil Ujkashit. Në vitin 1974-1986 këndon si këngëtar profesionist pranë Estradës së Shkodrës deri sa doli në pension. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet dhe koncertet e organizuara në Shkodër si dhe në të gjitha përfaqësimet e folklorit muzikor shkodran në festivalet folklorike kombëtare dhe në Kosovë. Ka marrë pjesë gjithashtu edhe në shumë turne ndërkombëtare si në Rumani, Portugali, Turqi, Francë, Gjermani, Mali i Zi etj.
Shyqyri Alushi mbahet si këngëtari i fundit i ahengut shkodran. Më 1984 i jepet titulli “Artist i Merituar”, në vitin 1996 në festivalin e këngës popullore qytetare i jepet “Çmimi i Karrierës”. Me rastin e 65 vjetorit të lindjes, Bashkia e Shkodrës i jep titullin “Krenaria e Qytetit”. Gjatë gjithë jetës së tij artistike ka marrë edhe shumë çmime dhe dekorata të tjera. Në Shkodër të gjithë e thërrasin “mjeshtri i ahengut shkodran”. Ndër këngët e arta të repertorit të tij përmendim: “Thotë lulja për lulen”, “Kur natyra kenka veshur”, “Nëpër fusha në kodrina”, “Pranvera filloi me ardhë”, “T’parën herë kur jena pa”, “Eni more shokë”. Regjistrimet e tij muzikore janë kryesisht pranë Radio-Tiranës dhe Radio-Shkodrës.
Intervistën e parë të pasluftës së Kosovës në vitin 2001, Shyqri Alushi me shumë dashuri e kishte dhënë për programin ‘Top Folk’ të Fitim Behlulit, atëherë tek Radio Dukagjini, me rastin e pjesëmarrjes së tij në koncertin e parë artsitik në Kosovën e lirë, e ku bashkë me mjeshtrin e fis-hamronikës, Luan Borovën e njderë kishin përzgjedhur Pejën për shfaqje.
Paraqitjen e fundit në Kosovë, Shyqri Alushi e kishte vitin e shkuar në koncertin solistik të këngëtarit të njohur Shkëlzen Jetishit-Xenit, në Gjakovë.
Shyqyri Alushi, padyshim, ishte dhe mbetet njëri nga viganet e këngës shqipe që do të kujtohet përherë. U nda nga jeta më 18 mars 2019.
Këngët e artistit të madh Shyqyri Alushi, zën vend të rëndësishëm në fonotekën e Radio LIRIA dhe transmetohen krahas këngëve të kolosve tjerë të muzikës shqiptare, si: Bik Ndoja, Ibrahim Tukiqi, Xhevdet Hafizi etj.
Abonnieren
Posts (Atom)