Samstag, 18. Februar 2017

Poezi nga Rrahim Sadiku

Poeti Rrahim Sadiku

SHTEGËTARËT

Presin ngrohtësi shëruese
Netëve ku humbja harrohet
Atdheu i ri pa formë
Atdheu i vjetër ëndërr
Horizontet edhe më joshëse
Shtegu hapet e mbyllet
Hapet e mbyllet shpresa
Deri te një përrallë arritur
Botës shumë reale
Asgjë romantike në atë bukuri
Asgjë e përjetshme në atë romantikë
E lodhja lodhja lodhja
Jetën e kap ashpër
Jetën e menduar të ëmbël
Largësitë gjithnjë të pafundëta



MËRZI

Kanë ikur të gjithë
Vetmia nis e gërvisht zhurmshëm
Rrugëve nga kanë shkuar
Hapave që kanë hedhur
Fjalëve që kanë folur
Heshtjes e të pathënave
Zgjohet një kohë tjetër
E ftohtë hëna
E djegshme bora
E brishtë koha e shpresës
Edhe ikja nis e ik
Pikëllimi merr rrjedhë me lotin



ZOGU I ZI

Korbëzoi ditën e festës
Jam pa fat tha jam pa fat
Gjithnjë fatin pa e njohur
Gjithnjë ditën pa e ndjerë
Pse dhe pendët krejt të zeza
Pse del i zi dhe zëri im
Jam pa fat tha jam pa fat



DRITËHIJA

Të dua e bardha dritë këndoi
E ty hije të kam në shoqërim
Përziej ngjyrimet e fatit
Deri te pranvera dimër i ashpër
Deri te vjeshta vjelur nga lotët
Verës duke shkuar deri te varri
Kujtimin për ta zhvarrosur
Për ta varrosur përsëri zemrën
Agimeve përmes muzgut ikur
Ardhur muzgut me shpresë agimi
Lutjet duke ngatërruar mjegullës
Sot me nesër pa parë shtatë bjeshkët
Ngrafisur nga mëri e kohës
As ditë as natë pa e ndjerë kohën
Një kohë vdekjesh duke kënduar



DUKE PREKUR FUNDIN

E këputur lodhjesh endet e bie
Kujtimeve madhështore mbetur 
Pa bukuri pa horizonte 
E hedhin tutje e degëdisin
Kund pa gjetur një trohë qetësi
Andej ku ishte dikushi s’është më
Vetmisë së madhe përhumbur 
Ftohtësisë fort duke iu trembur
Kalbjes tek i afrohet plot neveri
Kësaj bote duke ia prekur fundin
Duke e ditur fillimin as e ka nisur
Nga brendi e saj një zhurmë se si vjen
Ndoshta pak gjallëri diku ka shpëtuar
Edhe pak prani në botën mashtrim
Gjithë ato dashuri zbehur heshtin 
Ulërimave të erës rëndesës së stinës
E një lojë vazhdon në udhëtimin pa krye

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen