Montag, 20. Februar 2017

Poezi nga Bajrush Zeka

Poeti Bajrush Zeka

FYTYRA, 
KJO PASQYRË PREJ LËKURE

Nëna, ndjesë pastë, 
ah, e kisha babë e nënë,
shpeshherë më thoshte kur binte fjala:
-Biri im, ruaje fytyrën 
se njeriu vetëm një fytyrë ka.
Atëherë isha fëmijë, e nuk peshoja fjalën.

Kur u rrita pak, 
e më ranë në kokë detyrime,
fjalët e nënës 
më binin ndër mend ditë për ditë.
Më silleshin në kokë, 
ndryshoi jeta ime,
se njerëzit,
nuk donin t'ia dinin,
bënin bisht...

Ah, moj fytyra ime,
qe sa vite vjen pas meje,
e njomë dikur ishe, 
pa rrudha, pa qime fare,
sa herë të laja, 
para pasqyrës të thosha:
S'të ndërroj kurrë...

E vitet ikën dalëngadalë, 
si mjellma mjegullash.
Qimet u rritën ditë për ditë, 
burrë më thirrnin të tjerët.
E për çdo mëngjes,
të kam rruar e stolisur,
"Llumi fytyrën time gjithnjë e ka bezdisur.

Ah, moj fytyra ime,
pamja, pasqyra ime prej lëkure!
Letërnjoftim
I personalitetit tim pa fotografi.
Letër e bardhë ishe kur u linda unë, 
pa asnjë vijë,
e unë shkrova në faqet e tua 
timen biografi.

Në lëkurën tënde 
kam shkruar ditar
në çdo çast të hidhur
e të bukur të jetës sime,
kam shkruar 
edhe kur isha hamall i dhimbjeve,
kur kisha uri, 
kur isha i zbathur, 
kur isha i buzëqeshur...
Gjithçka lidhet me zemrën, 
shpirtin e fytyrën,

E di. S'është fare lehtë
të jetosh me një fytyrë.
Se lakmia e korit gjithmonë njeriun,
shkon fytyra.
Meqë do të ikim nga kjo jetë,
lakuriq dhe duarthatë,
dua të vdes faqebardhë,
pa më vdekur fytyra.




ÇAST ME REFUGJATËT E MI
( e kaluara jonë jo e largët)

Akrepat e orës ishin ndalur,
Nëpër gropa të mbushura me ujë,
Rruga ishte e gjatë sa dhimbja,
E një ditë sa një shekull,
Sa një sekondë...

Pak gjumë për t'u çlodhur
Me lodhjen,
E buka kishte shijen e gjakut
Dhe të lotit...

Rrugët me gropa e puse
Të mbushura me ujë
Mateshin me orë,
Akrepat e orës aty thyheshin,
Hëna me yjet e diellin
Aty bashkoheshin.

Shpresat jetonin bashkë,
Me avullin e hukamës së atyre
Që kërkonin strehë atdheu.

Në Kombinatin e Duhanit në Shkodër,
Gjithçka avullonte
Me shijen e tymit të duhanit, 
E të blozës së Kosovës,
Në dyndjen e madhe biblike.

Dhe copat e atdheut
Griheshin si fletët e duhanit,
Kur Shqipëria po i arnonte.




LOTËT E DIELLIT

Kush tha që nuk qan dielli?
Por vetëm qesh e qesh,
Qan dielli, si nuk qan dielli,
Po ne kurrë s'e morëm vesh...

Rrezet e arta kur na ngrohin,
Pastaj papritur fillon të bjerë shi,
Me shumë ngjyra na shfaqet ylberi,
Ata janë lotët e diellit, s'bie shi.

Sa i ndjeshëm është dielli
Si s’e kuptuam asnjëherë,
Dielli është zemra, është shpirti,
Ah, qan, posi, qan ngaherë.

Ah, qan dielli kur perëndon,
Rrezet e mëndafshta i ngre zvarrë,
Gjysmës së botës rreze u lëshon,

Gjysmës tjetër fanar me hënë i var.




DHÉ PËR ATDHE

Grumbulloni dhe për atdhe,
Përsëriteni mitin
Për njeriun e parë të gjithësisë!
Dhe vetëm dhe,
Sa më shumë dhe,
Të ringjallni Ibrahim Rugovën,
Me vegla prej dheut,
Farkuar me zjarr,
Me shpirt për shpirtin,
Grumbulloni dhe,
Sa më shumë dhe,
Në Dardani bie një tupan,
Dhe Zoti dëgjon
Pa Rugovën
Nuk e bëjmë Kosovën.



MË MUROSNI 
BASHKË ME ROZAFËN !

Më murosni bashkë me Rozafën,
Unë jam vëllai i vogël,
Mes dy gurëve të rëndë.

Unë mes gurëve e baltës,
Të lagur me ujin që kalon nën urë,
Të bëhem dhe unë një urë,
Të bëhem dhe unë një shtrat me ujë,
Që të laj një të kaluar të keqe,
Për një të ardhme më të mirë,
Le të shkelin mbi trupin tim!
E syrin tim të ma lini jashtë,
T'i shoh fytyrat e njerëzve,
Që shkelin mbi mua,
Me kokën lart.

Murosmëni dhe mua, ju lutem!
Murosmëni mua të tërin!
Mes gurëve e baltës,
Që nga sytë tuaj ta kuptoj,
Se të murosur më doni,
Bashkë me Rozafën,
Me gurë e me baltë.



NATË MAGJIKE

Vargjet sonte, 
Me flakën e zjarrit i vargëzova, 
E flaka e zjarri 
Pagëzoi ndjenjat e mia lozonjare, 
Dehur me verë.

Emrin vargjeve ua vura këngë,
Kurse ndjenjave u lashë emrin flakë.

Lehtë-lehtë si flutur,
Flaka lëpin vargjet
Në këtë natë magjike.



ANDEJ KOPSHTIT

Nga ec ti, 
Të bekon toka, 
Bari i njomë gufon hovshëm, 
E fluturat me shumë ngjyra, 
Mbi flokët e tu duken si gërsheta, 
Zogjtë në qiellin e kthjellët, 
Marrin frymë lehtë-lehtë, 
Për një çast ndalin fluturimin, 
E pushojnë mbi supet e tua qetë, 
Edhe gjethet e vyshkura në pemë, 
Shikimi yt bojën jeshile ua kthen, 
Trëndafilave ju shton aromë, 
Andej përreth kopshtit kur kalon.




PROFILI I LOTIT

Nuk i dëgjohet zëri,
Rrjedh faqeve i qetë, 
Burimin në shpirt e ka.

I nxehtë, sa i ftohtë del, 
Pa shkumë,
Ujëvara ia merr lakmi.

Loti rrjedh 
Që të pikojë poezi,
Fjalë e pashkruar të heshtë, 
Fjalë e pathënë të lotojë.
E gjithë bota 
Brenda një pike loti është.



METAMORFOZË

Si është kjo botë!

Kjo baltë,
Kur të thahet
Pluhur bëhet,
E kur pluhurin shiu e lag,
Prapë bëhet baltë.

Qullemi,
Thahemi...



ARNA NË GJETHE GJUHE

Sa bukur është,
Kur flladi shpirtit vrapon
E lëkund degët e fjalëve,
E në folje mbijnë gjethe
Për çdo varg.

Ama kur i dredhojmë,
Fjalët e thëna,
Fjalët të pathëna,
Vret vetëtima
Në lisin e fjalëve.

Gjuha sa e ëmbël,
Kur flet ëmbël,
Sa e idhët,
Kur shtrëmbëron fjalët,
E mbledh ciflat e lisit,
Të arnojë gjethet e veta.


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen