Montag, 20. Februar 2017

Poezi nga Hasan Qyqalla

Poeti Hasan Qyqalla

TA BËJMË SHQIPËRINË

Atje ku bebzë e Tokës buron gjak
Atje ku Bes’ e Flamur n’arkë, n’miqësi
Atje ku n’bisht ngreh kokë bajlozi plak
Krenarisht ajo Tokë quhet Shqipëri...

Atje ku janë ndërtuar kullat Dardane
Bajraqet ngritur lart në atë Troll
Loja e fëmijëve në gjuhë Ilirjane
Atje, ajo Tokë quhet Kosovë...

Atje ku fushëmejdanet kundërmojnë barot
Ku “Kali i Trojës” merr turr e vrap
Ku loket përkundin djepat me këngë e lot
Ajo palcë Tok’ e bekuar, Kosovë quhet prap...

Atje ku ëmbël përkdhelen valët e detit
Ku Nora e Kelmendit shkroi “parahistori”
Atje ku Oso Kuka n’krye t’arbanasëve të kepit
Derdhi gjakun shqip vetëm për Abëri...

Atje ku flasim, qajmë e qeshim edhe sot
Ku u mbajt kongresi n’zemër të Manastirit
Bilbilat e kombit n’akord me gaz e lot
N’Abetare të shkruhet kjo Tokë është ILIRI...

Atje ku vampirët sot luajnë lojën e djallit
Sofrat janë shtruar me bukë, krip e zemër
Është këngë e plumb roje mbi majën e malit
Luginë e Shqiponjave ju thonë për emër...

Atje ku edhe sot pallen bijtë e Helen – usit 
Edhe ai Dhe është i shqipeve Çamëri
Për ne tash po vie (ndoshta) treni i fundit
Unik në një Truall, ta bëjmë Shqipërin – SHQIPËRI




VDIS PAS BESËS

E putha Mirëditën në sy e faqe
Valbona më frskoi buzët e thara
Lisat e moçëm shtrojerë për konaqe
Sheshit të shpirtit vlon komb(a)betarja.

Atje Zana dashurohet në kroje t’bardha
Ku Besë e burrit trashëgon traditë
Ku shpirti prehet me fjalët e ëmbla
Ku damari shqipërisht zgjon çdo stinë

I zënë ngusht pa thënë asnjë fjalë
E mira Zanë, zbardhon mëngjeset
Sa do të doja të jem me moshë, djalë
Të vdes për Besë, t’i baltisim veset.




SONTE...

Sonte s’do zbraz gotën me verë
Në qelq shoh dy lot ngrirë për faqe
E zërin më sjellë butësisht kjo erë
Fytyr’ e saj fanitej lulemanushaqe

Rri e vrenjtur dhe Hënën bezdisë
Në parmak dritarje agu të ndritë
Ekzili tej brigjesh mallit harlisë
Prekja kah jeta teshen në pritë.

Sonte dot nuk zbraz gotën me verë
Në varkë lundrimi zënë pikë e vrer




EKZILI I ËNDRRËS

I mpirë pres n’ishullin e ngrirë
Prehjen e ëndrrës
Valsin tisbardhë
Kandil buzë muzgut
A thua larg vajte
Sa larg vajte
N’ekzilin e hijes
Strehim n’brigjet e pritjes.

2.
... e loti 
Po të trathëtoi loti
Pikëtim si kokërr misri
Në gjoksin e prushtë
Mbyllë dritaren e syrit
Mos të thej rrezja e agut
Mbase dhembjen shprushë

3.
Palos netët e vrugëta
E ditët e mugëta
Në kujtesën e trishtë
Ditarin varë në murë

N’pritje qesh Pikaso
me ngjyrat në pikturë.




ZANË MOJ ZANË 

 ne prehërin tënd
 derdhë buzëqeshjen si valë deti
 të të rrëmbej dallg‘ e parë...
 bebzat derdh në re qiellore,
 rrëfejm agun e bardhë
 Zanë moj Zanë...!

 Zanë e malit si vetëtim flakron
 mallin (s’)shuan ne largësi
 vetëm kujtimet ngelin hirësi

 edhe ëndërrat valviten si flamuj mbi mua
 ëndrrat si emblem i dua

 më mbulo me vellon e dashurisë
 të jem peng i natës
 dhe varg loti në mërgim
 të qëndis kujtimin e parë...
 Zanë...
 moj Zanë...

  agimin magjik vezulluar
 aty ku ëndërrat kanë ndalë

Zanë mos u trishto 
… oj Zanë
 se agu është duke ardhë

  me streho ne gjoksin e virgjer,
 ku prehet frymëzimi i jetes në hirësi
 të puthë prajshëm me vargjet në kitarë
 të përkdhelë një shekull pandarë...
 e vesa e mëngjesit sjell freski në buzë 
Zanë …

 oj Zanë

 të ndjej aromën e gushës sate
 e dielli, dielli mos të vij fare
 rreze spektri reflektojn aty
 as yllit t'agut falë t’mos i jem;
 dhe nga hiri ngrisim pullaz
 të strehojmë gjer n'përjetësi
 me këngën e mallit për ty
 Zanë …

 oj Zanë

 e krelat e flokut për fije
 do flak në këngën e dites
 me nota në telat e zemrës
 me vargjet e poezis
 e bilbili mysafir rasti në parmak
 dëshmitarë i merkullis
 një jetëshekull vardisë 

 Zanë…
 moj Zanë !

 07. 02. 2012




ORA E VARGUT

-poetit Sh. Cakolli-

1.
Bleron mbrëmjet e vona
moteve të përthara...
mrizon hijeve të vargut
pas vapës që djegën shpirtin e poetit
në katin numër shtatë të metropolit
mes dritave t’ylberta të neonit...

Në shishe ruan një dozë pluhur
të çatisë së vjetër
një copë djathë Dhie
një copë bukë oxhaku
(prej Nënes)
një fije bari të oborrit
(testament prej Babës)
në palë të Flamurit
brumos vargjet prej gurit
në sofrën poetike...!

2.
Sonte le të pëlcasin dejt e gjakut
le të blerojnë shkronjat e vargut
t’i bëjnë Hije shpirtit të Poetit 
Honit të morgut...!

3.
Miqtë nuk ndahen pa përshëndetje (vargu), o Mik
apo nxitove të prehesh
në mëndafshin e reve të bardha
në oazën e vargjeve
të “ORËS SË MADHE LETRARE”...!

... mos Poet!
mos thuaj se ike pa u parë
mos thuaj “s’do shihemi më kurrë!”
vargjet tuaja derdhen valë valë
si lotët për Ty gurrë gurrë...!

4.
Kush do të ligjërojë sonte në “Promenadë...”
plumbat e Zahirit* shkruajnë epope
frengjitë e Kullës i lamë hapë
pas perdeve të Dheut prehet një Korife!



ÇAMËRI

Urinë do shuaj me baltë
Etjen në krojet palcguri
Do shuaj mallin e flaktë
Në kalan dritëvajguri...!

Kuror lulesh pa çati
Ngopë shpirtin n’atdhe
T’frymoj shqim n’liri
Zgjohu Çamëri, pse fle!?

Besën vë peng n’asht
Pika gjaku n’epruvetë
Ndajë shtratin në kashtë
T’ndajm breng e jetë!

Të gjallët për Besë vdesin
Të vdekurit do ringjallen
Kujtimet ngrirë të mbesin

Engjujt vargojn Avra-lagjen!




NJOHJA ME ELIN NGA ÇAMËRIA

Jam molisur nga udhëtimet e gjata,
N'pritje t'këngës Çamëria shurdhër fle
Unë thyej kufi shtetesh e futem n'atllase
Më thuaj ku të lashë? Të pyes ku më le?

Me vizën e kuqe n'indeksin e kaftë
Për disa muaj do çmallemi në valë
Ty çame e njomë vesa mos te raftë
Shqip kur më pyete:_"Si të thonë,or djalë?"

Unë emër Orienti, ti paksa Helenase
Gjurmonim rrënjët në buzë të detit,
-Jam deg'e degdisur,-the,-s'jam Kretase
-Shikim' i parë si goditje e tërmetit!

Tok takuam Nolin ne teatrin antik
Dramë arvanitase luante çuditërisht
Loti i vakët mbi faqe të rrëshqet
Kodi i gjakut tuaj foli arbërisht.

-Ç'ke zemër të pyeta me qetësi
-Duke ndjerë tënden zbrazëtirë-hon
-Fjala zemër, si në shqip u gjegje
-N'asnjë gjuhë BESA nuk tingëllon!

U njohëm që të vuajmë,apo kush na ndau?
Ti ngele në ishull,unë kthyer n'atdhe
U dogjen dhe letrat,syri shqip qau
S'më kujtohet ku të lashë? e di ku më le!?

Në fillim të kthimit e mora disi lehtë
Madje s'thosha dot as fjalën "dashuri"
Por tërësisht i qullur nga stuhia jote 
Thellë në zemrën time po ndjeje mërdhi!

Mbaje premtimin me forcën e dëlirësisë
Letrat e malluara si rërë e zhuritur
Ruaje emrin tënd Eli e Çamërisë
E yllta ime arbëreshë gjakshprishur!

Nëse më pret diku, pse këtë s'ma the
Nuk di që të lashë,nuk di që më le
Nëse më lexon, të lus për një Ftesë
Çamërisht më fto kurrë të mos vdes.

Atje do të vij prap në një ditë gushti
Trageti i fundit do më sjellë në Kretë
Të të gjej gjurmët në hirin nga prushi
Apo vetmin të zgjoj në plazhin e shkret.




 DO KTHEHEM PËRSËRI

Në majat e bjeshkëve
Në fushat e blerta
Në çdo konak
… dhe në rrugë
Gdhendim emrin Kosovë
Kryedashurinë tonë

As veriu kur fërfëllinë
Germat e emrit s’i luan dot
Në rrepet e lashtë çdo germë ka rrënjët
Në shqotat e kohërave qëndruam fort.

Fëmijë a plak
N’Atdhe a mërgim
Në varr, a gjallë
Japim kumtin krenarë:
“Jam SHQIPTAR!”.

Nuk tretet etnia
Boshti i gjuhës
Gjaku i Jasharajve
Derdh shqip

Ligjëroj arbërisht
Dasmë me Flamur
Lehonën e bartëm mbi supe
Me gjoksin e zbërthyer.

Në çdo vend ku qëndruam
Pas shtegtimit biblik për një strehë liri
Si ritual-lutje para prekjes së bukës:
“Kosovë do kthehem përsëri”.

Vitet kalojnë shpejt
Unë mërgimtari i huaj-busull e mbetur
Një biletë kthimi si hajmali në xhep
Si fëmija – Nënën, Kosovë kam për të rigjetur!




KOSOVË, FJALA IME E FUNDIT

Të takoj në botën e Dreqit
Me samar të thyer
Flladit të mëngjesit
Ku mrizon Zanë e Malit
Kosovë: Histori n’labirinth
Peng i dashurisë
Gaz i fëmijërisë
Psherëtimë e nusërisë
Ofsham e burrërisë
Kosovë, fjala ime e fundit
Kosovë, Fjalë e bekuar
Burim i pashuar
Kullë, tirq e plis
Kronik e shkruar në fis
Kosovë, ftesa e unit
Kosovë, FJALA IME E FUNDIT!



 MOS

Mos më thaj sonte lotin e njomë
Ka mall Kosove
Mos ma ndal këngën e re
Ka etje Kosove
Mos më sulmo ëndrrat e natës
Kanë ngjyrë Kosove
Mos më lëndo samarin e shpirtit
Me të bartë Kosovën
Mos më vrit me maskë në lak
Shkel gjakun, vret Kosovën…!




VDEKJA KRENARE
-Familjes Jasharaj-

U përkula para Teje: t’më dëftosh Ti, o Trim
U gjunjëzova para syve: t’thellë sa deti I Arbërit
U përshëndetëm pa zë: për Nder të fisit tim
U ndamë në heshtje: unë n’udhën e mërgimtarit.

Shqiponjë në këngë Kosove
Gjergj epokal i trungut të ri
Baladë shekulli hyre prore
Kandil kombi i brezit të ri…

Fryj një çast puhi marsi: flladit qerpikun e atdhetarit
Ndal rënkimin lum Prekazi: flakadan përtej malit
Zjarr, o trim nga trimëritë: Kosovë djep i Shqiptarit
„Ndal!“ – i the dhunës barbare mbi bijtë e Arbërit.

Kur këndohen këngë Lirie
Sjell voglushët çdo shkurt e mars
Të takoj në tel poezie 
Dritë, legjendë,…histori në laps…! 




PREKJA E ËNDRRËS

Sot nuk kërkoj aromë lulesh
As lakmoj retë qiellore
As kërkoj ndihmë shenjtërish

Sot le të mos vijnë yjet
As rrezet e hënës
Se s'bie më terr në Kosovë




PREKËM
ËNDRRËN!

Sot Kosovë e Pavarur
Është vet dielli i rilindur
Dhe unë shtetasi i saj Shqiptar

PAVARËSI E KOSOVËS
Prekja e ëndrrës së brezave

Qarkullim i gjakut tim në deje...


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen