17,06.2017 / Sonte në ora 20:00, në "Radio Liria" bëhet promovimi i albumit të parë të këngëtarit Burim Caka, që mban emrin "Melodi malli":
Burim Caka, u lind më 04. 03. 1975 në fshatin Vatë! Shkollen fillore e kreu në Doganaj të komunës së Kaqanikut, ku edhe shpalos talentin dhe pasionin për muzikë, mbase që në moshën 6 vjeçare, filloi lozë telat e qiftelisë. Andaj, pas përfundimit të semimaturës, u regjistrua në shkollën e muzikës "Prenk Jakova" në Prizren. Meqë ishte koha e ndryshimeve të mëdha gjatë vitit 1991, ku mbretronte një situatë e rëndë në Kosovë, nuk iu mundësua vazhdimi në këtë shkollë. Kthehet prap në vendlindje për t'u regjistrua në gjimnazin "Skënderbeu" në Kaqanik.
Në vitin 1986 anëtarësohet në SHKA "Zëri i Rinisë" në Dubravë të Kaqanikut, ku bënte kilometra të tërë këmbë, vetëm për dëshirën dhe dhe vrullin që kishte për artin muzikor. Pra, këtu fillon karriera e tij aktive, për të vazhduar edhe sot (në mërgim).
Burimin e shohim edhe në mediat e asaj kohe, si në Radio Prishtinën e atëhershme, Televizionin e Prishtinës, me Sh.K.A. "Zëri i Rinisë" në emsionin TINGUJ BURIMOR,...etj.
Më pastaj, për shkaqe objektive, SHKA "Zëri i Rinisë", ndërpreu aktivitetin. Burimi nuk rri dot duarkryq. Kështu, gjurmon hapsira ku mund të luaj rol aktiv në kultivimin dhe ngritjen e vlerave të thesareve tona kombëtare. Me të dëgjuar për nismën e re në fshatin Doganaj, nga një grup entuziastësh, Burimi anëtarësohet në SHKA "Idriz Seferi" të këtij lokaliteti. Këtu pati edhe rol udhëheqës në grupin e instrumentalistëve.
Mori pjesë në shumë shfaqje e manifestime me karakter kombëtar. Aty njihet, edhe me bashkëshorten, dhe u bënë shtylla të kësaj SHKA.
Në vitin 1995, për shkaqe të rënda ekonomike, Burim Caka merrë rrugën drejt emigracionit, për ta ndihmuar Familjen. Natyrisht, ishte shtërnguar së tepërmi hallka e mbijetesës, sikur edhe e frymëmarrjes. Andaj, Burimi sakrifikoi veten, profesionin dhe pasionin për t'u mos gjunjëzuar para pushtuesit serb. Vite të tëra, larg Familjes, larg atdheut, larg brigjeve e pemishteve të vendlindjes, Burimi, për asnjë çast nuk i ndahet muzikës. Bile, sikur e jetësoi edhe fjalën e urtë popullore: "vaji i burrit është kënga"!
Burimi, edhe sot jeton e vepron në Austri, bashkë me bashkëshorten Xhevën dhe fëmijët.
Ky është albumi i parë!
__________________
Biografinë e këngëtarit e pëgatiti për Radio LIRIA, Hasan Qyqalla.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen