Poeti Miftar Dragidella |
TË FALAT E KOSOVARËVE
Shkumbë bardhoshe nga Radavci,
përmes rrafshit të Dukagjinit,
sjellin freskim për ju voglushë,
janë këto valet e lumit t´Drinit.
Të gjithë i thonë i bardhi Drin.
E bën rrugën nëpër Dukagjin.
Ku e ke vëllain më të ri,
që i thonë Drini i Zi?
Vjen nga Struga - thotë ai.
Kështu përgjigjet e vazhdon Drini,
dhe së bashku dora-dorës,
kalojmë andej përtej kufirit.
Kalojmë fusha e kalojmë male,
bartim të falat e kosovarëve,
që nga zemra ua dërgojnë
vëllëzërve të tyre - të gjithë shqiptarëve.
KUR NJË DITË TË KTHEHEM
Kur krejt i vogël,
kam qenë thuaja fëmijë,
pata dëgjuar,
për kurbetin e zi.
Gjyshja pasdarke,
përralla ka rrëfyer,
se një i ri nga kurbeti,
kurrë nuk është kthyer.
Sa i ka pëlqyer, mendoja,
të jetojë në kurbet,
ndërkaq shtëpinë ku ka lindur,
ta mbyll, ta lë shkret.
Ndoshta atje,
ka më shumë lodra,
si të shkretin s´e merr malli,
për fusha e kodra.
Shkoj, thoshin dhe Vali,
atje në Gjermani,
la gjyshën pran votrës,
duke qarë si fëmijë.
Çfarë zemre mund të ketë,
ai që atdheut i kthen shpinën,
a i shkon ndërmend të mjerit,
se lënë verën atje gjën dimrin.
Ndoshta paraja,
mendjen ta ndërron,
por jo edhe atij,
që për vend të vet rron.
Një ditë prej Gjermanisë,
na erdhi një letër,
kishte shkruar Vali,
kush të na shkruante tjetër.
Nëse dëshironi,
të mësoni diç për ne,
vazhdoni të lexoni,
ju tregoj fill e për pe.
Në Kindergarten time,
s´ka Mirëmengjes,
veç Guten Morgen,
a ka gjë më keq.
Në shtëpi televizori,
nuk di të flas shqip,
por veç në gjuhë të huaja,
sa jetë e pa kripë.
NËNË TEREZA
Në këtë botën tonë të re,
është një nënë me zemër të madhe,
nga Kalkuta nis misionet,
është Gonxheja, bijë shkupjane.
Toka shqiptare këtë nënë e lindi,
e botës bëmirëse atë ia fali,
ruan ajo shumë dashuri,
e ndanë për të botës shumë fëmijë,
zëri i saj në çdo anë jehonë,
ajo është motra, është nëna jonë.
XHAXHI PIKTOR
Xhaxhi piktor,
ka shumë ngjyra,
e bën një pikturë,
siç është vet natyra.
Po deshi të madhe,
po deshi të vogël,
po deshi sa bjeshka,
po deshi sa një gogël.
Ai ylberin,
e ka vizatuar,
të gjitha ato ngjyra,
ia ka dhuruar.
E vizaton edhe botën,
ashtu si do vet,
kujt të mos i pelqej,
lë ta hudhë në det.
YLBERI
Sa herë që del ylberi,
vrapoj ta shikoj,
një ditë motra ime,
mua më tregoj.
Bac, mos shko te ylberi,
se ai ka rënë në lumë,
lërë të lahet pakëz,
pastaj vij dhe unë.
Jo, - oj motra ime,
ylberi nuk lahet,
ai na tregon,
se shiu po ndalet.
BABAI IM
U thosha shokëve,
pa shaka,
si babai im,
tjetër s´ka.
Më blente bombone,
edhe çokollata,
më tregonte përralla,
deri sa ikte nata.
Heronj të tij ishin,
trimat shqiptarë,
në beteja me armiqë,
përherë fitimtarë.
Pos përrallave,
tregonte për historinë,
si populli im,
e donte lirinë.
Gjergj Kastrioti - më i madhi,
më trimi më bujari,
gjithmonë në beteja,
në ballë të ushtrisë - i pari.
Për Shaban Polluzhën,
për Ymer Berishën,
për Ndue Përlleshin,
për Shotë Galicën.
Pak para vdekjes,
e donte shumë Rugovën,
nuk urrente askënd,
sepse e donte Kosovën.
Por, shiko biri im,
më tha pak ditë pa u ndarë,
Kosova ka një burrë,
që s´e ka bota mbarë.
Është Anton Çetta, bir,
trim i çmuar si ari,
burrë i shkuar burrave,
kurrë s´e harron shqiptari.
Sikur sot në jetë të ishte,
shumë do të derdhte lotë,
për Anton Çettën,
që na mungon sot.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen