Montag, 20. Februar 2017

Janaq Pani - Vrimë e miut pesëqind grosh

Shkrimtari Janaq Pani

VRIMË E MIUT PESËQIND GROSH

         Rrëfenjë - Fabul

Thonë kjo na paska ngjarë
Shumë e shumë vite më pare...

Një maçok sa një bulldok
Dhe miushi vocërrok
Shkonin rrugës të dy tok.

Miqësinë e mbanin fort
Sa në botë s'u gjendej shok.

Miqësinë fort e mbanin,
Në një pjatë bashkë hanin,
Vëllazërisht çdo gjë e ndanin,
Bashkë qeshnin e bashkë qanin.

Po miushi kapedani
Haj e na përmbys sahanin.

Ja, që na mësoi vesin
Gërr, gërr, gërr të shponte thesin.

"Sillu mire!"- i thosh maçoku,
Ja, ia hapa grykën thesit,
Ikë fut turinjtë e ngopu
Vetëm miell mos derdh sheshit.

Edhe thesin mos ma gris,
Ndryshe do të kullufis."

"Sot më fal, nuk e bëj më!"
Thosh miushi me gjysmë zë,
Pastaj loz e qesh me të.

Ia kthen shoku:- "Ja të fala,
Veç mos më lozësh nga fjala,
Ndryshe të përpiu vala!"

Dridhej miu gjer në flokë:
"U pajtuam, jemi shokë,
S'ka maçok si ti në botë,
Të kam mik e mik me kokë."

Kështu miu bënte lajka
Deri sa të vinte darka.

Pastaj fërr te thesi shkonte
Dhe zakonin s'e harronte,
Gërr, gërr, gërr thesin e shponte.

Dhe premtimet si ngahera
Fuu e fuuu i mirrte era.

Veshëngritur dhe maçoku
Prapa shpine ç'punon shoku
Ky miushi vocërroku.

Gërr, gërr, gërr i vin te veshi
Sikur po i shpohet thesi
Ndaj inati xixat ndezi.

Zjen i tëri nga inati,
Miqësia kaq e pati.

Dhe si shpatë nxori  thonjtë:
"Miush, ti e nise lojën,
Në ta pafsh diku bojën
Ta dish do të ta brej kockën."

Që ta dini si e qysh,
Vrap maçoku me yrysh,
Miqësia na u prish.

Ta mësoni, qysh ahere
Porsa miu bën potere
Dhe maçoku thonjtë nxjerr
Jetën për t'ia bërë ferr.

Po miushi e ndjen frikën,
Qoftë natën a qoftë ditën
Dhe nga sytë - këmbët ikën.

Që lëkurën të shpëtojë
Iu desh shumë të gërmojë
Dhe turirin të hollojë.

Sa ia ndjen mikut gërhimën
Vrap te vrima e mban frymën.
Që maçoku s'mund të hyjë
Këtë e di çdo fëmijë.

Mbeti fjala qysh aherë
"Vrima na qënka me vlerë"
Ndaj dhe frikacaku thosh:
"Vrimë e miut pesëqind grosh."

Kur njeriu s'e do njerinë
E kur mbjellin armiqësinë,
Bie cula në një vrimë:
"Shkojnë si macja me minë..."

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen