Sonntag, 5. März 2017

Rapsodi nga Rrahim Sadiku


Male, fusha, lumenj, lugina, det, bregdet... Iliri. I shoh të gjitha dhe pranverë e vjeshtë, dimër e verë, bora e acari nuk zbresin nga mendja, nuk largohen nga zemra.

E si të mos shpërthej në vaj e si të mos lëshoj zëre me ulërimë, që dridhin të gjallë e të vdekur, bimë e dhe, mbetur kështu në trollin e të parëve e pa atdhe. E si të mos pëlcas nga pafuqia ime tek shoh se si në Iliri iliri është duke u tretur si kripa në ujë, duke u ndjekur si të ishte gjah, duke u dhe e popullit tim, larguar nga vetja, duke marrë fytyrë tjetër, gjuhë tjetër, besim tjetër.


O, ky iliri. I liri. Pa liri. Duke dalë firi.

Në jug e veri, në lindje e në perëndim, tokat ilire të shndërruara në murana, në rrënoja, në troje që mbulohen nga heshtja e sundohen nga prania e vdekjes.
Eci e lëndohem, pushoj e stërlodhem, këndoj e vuaj, i pashpresë i përkushtohem shpresës.

Gdhen në vete e nxjerr si këngë trimërinë e bjerrur, madhështinë e tretur, lumturinë e harruar. Endem betejave të fituara dikur e nuk përmend humbjet e mëdha.
Dua të ruaj tëmadhërishmen ilire.

Me Mujsin e ushtarët e tij rendit veprat trimërore e kujtoj se ne kishim një Bato ilir, dalë nga derë e Desitiatëve, që mundi romakët në shumë beteja e i dërrmoi në betejën e madhe. Dhe kujtoj me heshtje e ia fal harrimit atë Baton e Breukëve, që na e vari litarin e tradhëtisë mu kur na lumturonte fitorja, mu kur shihnim se do të vendosej përjetësisht në këto troje liria.


E rëndë, shumë e rëndë, në ne zuri vend tradhëtia.

Dhe zgjodha Judbinën si vend ku e rrita trimërinë, ku duke shoqëruar Baton, u njoha me kreshnikërinë.

Dhe rrita Klladushën si vend ku besimi ilir, deri vonë, ishte vërtet i hyjnishëm. Dhe këndova e ҫlirova Kotorret e Reja, vendin më të bukur mbi këtë dhe, ku sundoi dhe ndërtoi e madhërishmja jonë, Mbretëresha ilire, Teuta. Ajo Teuta, që është Tanusha e këngëve të mia.

E dal në Panoni, ku fise të egra janë shtruar e na kanë vjedh historinë e lavdinë dhe zhdukin ilirët e marrin krejt ҫka kishin ata.

E kryej trimëri anembanë kësaj bote, për të harruar, së paku për një kohë plagët dhe dhembjet e mia.

E gjej prehje në bjeshkët e mahnitshmme të Lugjeve të Verdha, prej nga hedh shikime mallëngjimi mbi Malësinë e Madhe e mbu Fushën e Mëllenjave, duke marrë me mend hijeshin e Pindeve e mikpritjen e Korfusit.


Të gjitha më mungojnë e të gjitha i arrij dhe i bëj si dua, me këngë.

Me këngë e bëj të pavdekshëm Siyllin, simbolin e bukurisë e guximit ilir, të riun që e kam njohur me mijëra herë në beteja, në gëzime, në udhëtime të gjata.
Së paku nëpër këngë Iliria të mbetet ajo që ishte e që duhet të jetë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen