Samstag, 25. Februar 2017
Fjala e kryetarit te LKSHM z. H. Qyqalla në Radio Liria...
RADIO LIRIA: LIRIKË MALLI...!
"Shpirti i një kombi është gjuha që flet" (e lexuar)
Hasan Qyqalla, kryetar i LKSHM
Kronologjia e popullit shqiptarë si për ironi fati, kaloi etapat më të tmerrshme që njeh historia e njerzimit në Europë, mbase ndoshta edhe në gjithë globin. Histori e dhembjes shpirtërore, kalvari i mundimit, mallit me ngjyrë loti, lapsit që skenon muzën në pentagram vargjesh, mbase si Pavarësia e Shtetit Shqiptarë të 1912, sikur edhe Liria e Kosovës së 1999, janë shkruar me alfabetin e gjakut. Prandaj, nuk ishte rastësi edhe nuni i kësaj radioje, kur e pagëzoi me emrin e idealeve tona kombëtare: RADIO LIRIA. Kjo, sepse ndjenja e poetit zhgrehet, pikërisht aty ku kullon plaga a ashtit dhe gjakut të gjenit e varrit të të parëve tanë. Aty, i rri mendja e poetit Haxhi MUHAXHERI, te Çamëria e përvuajtur, e aneksuar padrejtësisht... mendja e shpirti i tij sikur është i predestinuar për vuajtje, mbase është ngjizje prej delli do të thoshte poeti, këngëtari e gazetari i Dukagjinit Jusuf Gërvalla përmes metaforave poetike apo këngës "Do të kthehem Nënë" sikur edhe Aristidh Kola me "Gjuhën e Perëndive", apo Gjergj Fishta te poezia "Gjuha Shqipe"! Poeti e veprimtari Muhaxheri sikur rezymon konstatimin Lasgushian, kur thot: "Mos më bëftë mirë kjo gotë raki, po s'u bashkua Kosovë e Shqipëri". Prandaj, hapi kraterin e shpirtit që të shpalosim, rrëfimet, kujtimet, evokimet, mesazhet, narracionet në Radio Liria me emisionin poetiko-letrar "Lirikë malli..."; malli për më të dashurit, për ata që u flijuan, malli për dashurinë, për atdheun, për oxhakun e gjithë ato që lanë gjurmë të veçanta...
Andaj, realizimi i këtij emisioni, të vetmit të këtij lloji gjer tani në mediumet tona, është i pamundur pa praninë e vet krijuesve dhe krijimeve tuaja të dashur miq. Mundësi keni të lidheni përmes Skype:
Skype:radioliria ose edhe përmes viber-it: +43 664 374 9040
Moderator: Hasan Qyqalla
Regjisor në studio: Haxhi Muhaxheri
Dienstag, 21. Februar 2017
Këngë kreshnike (I)
Përgatiti: Rrahim Sadiku
Këngët kreshnike janë ndër krijimet afrtistike më me vlerë që ka krijuar populli shqiptar, gjatë historisë së tij të gjatë e të mundimshme. Besohet se ato kanë filluar të krijohen pas luftës së madhe ilire-romake (në vitet 6 – 9 të erës sonë) dhe kanë vazhduar të jenë inspiruese deri në ditët tona. Legjenda thot dhe historia dëshmon se Bato i Desitiatëve, pas humbjes së luftës, vendoset në qytetin Andet, që ishte kështjellë ilire në Dalmaci, afër Splitit të sotëm, afër Judbinës e Kladushës, ku është selia e Gjeto Mujsit e ku zhvillohen shumica e ngjarjave të këngëve kreshnike. Ato këngë, me vlera të mëdha artistike e edhe historike, gjatë viteve e shekujve u shtrinë në shumicën e trojeve ku kanë jetuar ilirët e më vonë pasardhësit e tyre, shqiptarët.
Hero i këtyre këngëve, pra, është Bato, emri i të cilit mandej, për shkaqe artistike, zëvendësohet me Gjeto dhe i jepet epiteti Mujsi, si luftëtar i që i mundëte të gjithë në beteja.
Këngë kreshnike
Siylli e vasha Ilirjanë
Nimoni zotna si na keni nimue,
Nuk jem kanë e jetën na e kini dhanë!
Venë po pijnë tridhjetë trima,
Tridhet trima të tanë nga Jutbina.
Venë po u sjellka vasha Ilirjanë,
E njohun për hije e për dituni,
I ka kallun trimat tek e kanë pa.
I thonë asaj tridhjetë trimat:
“A po na ngon ti ori vashë Ilirjanë,
Ilirjanë, ti ende e padhanun,
Na për ty japim jeten e gjanë!
Ҫfarë kushtesh ti po lyp nga ne,
Na do n’tokë a do me na pa në re?”
Ua ka kthye atyne vasha Ilirjanë:
“Nuk jam metun për fjalë pa u dhanun,
E due tokën e edhe qillin e gjanë,
Po nuk due unë burrin e pa mend,
Pa trimni unë burrin nuk e due,
E dua ma t’mirin nër të mirë dallue.”
“A po na do para teje me u mund,
A na do me muj tue shtegtue,
A na do me anmiq tue luftue?!
Apo na do ma na ma n’gzime mledhun,
Me lahutë e valle tue u knaqun?”
“Qe sa kohë unë ju kam venerue,
Për trimni fort nuk m’kemi prekun,
Për dije nuk ju kam pas si duhet.
Po nër ju kam vendos me pas fatin!
Do ta zgedhi njanin, ma të mirin,
Ata që munet Tunën me e kalue
Vajza t’bukra anej qi po ka,
Përmes tyne ai me kalue,
Sytë asnjenes jo, mos me ja hedhun,
Te unë menen ai me e mbajtun.
Lule dafine prej anejna me m’sjell
Me m’i sjellë edhe tri kunora t’arta.”
Kur e ndigjuan trimat e Judbinës,
Sikur shpata n’qafë me ju pas ra!
Të gjithë shikojshin në tokën e zezë,
Secilli kqyrke me dishka me u marrun,
Secili bajke se ishte shumë i zanun.
N’sy e shikon vetëm i bukuri Siylli,
Po ai pilqeu ata shka e tha vasha.
Fjalë ma s’bani, kalin ka shalue,
E ndër bjeshkë ai asht ftillue,
Ditë e natë gjokun e ka ngamun,
Tokën e rrafshtë derisa e ka shkelun.
Ujënat e Tunës mi kali i ka lundrue,
N’qytet t’madh ka hi me nji frymë,
Vashat mpi janë nga duk e ti,
Lak i kambve shumë i paska lshue!
Nja pej tyne synin s’ja ka mushun,
Ilirjanën si hanë e kishte përpara,
O për ta ai na paska menue,
Nga larg t’fala me za i i ka dërgue.
E ka mbledh, o, lulet e dafinës
I ka gjetun o, tri kunora t’ arta,
Mi shpinë t’gjogut i paska rendue,
Shpejt u nis e po kthehet mbrapa.
Kur na ishte mu në mes të Tunës
Qenka nalun ligsht ai kali i ti,
Zemrueshëm i tha ronoshit Siyll:
“A po shihte se jemi tue dekun?”
Ish rrezik e djali shumë asht prekun,
Po i duket se funi i ka ardhun.
Zana e Malit te veshi i ka ardhun,
At’herë ajo si nanë i paska folun:
“Mos u ligështo, o bukurosh Siylli,
Me shpatë bjeri kalit midis këmbëve,
Një peshk këmbët ia ka pengue,
Provë e re për ty kjo qi po asht.”
Kur e ndigjoi bukurosh Siylli
E ka ngritun aj shpatën e luftimit
Copa e bajka atë peshkun e madh
Mandej rrugën shpejt e ka vazhdue,
Në Judbinë hyni kangë tuj knue,
I ka habitun tridhjet trimat e mledhun,
Në krah e mori vashën Ilirjanë.
Gjama e Mujsit
Nimo Zot, si gjithë na ke nimue!
Gjamë të madhe Mujsi paska lshue,
kanë nis malet fort me shungullue,
kanë nis lisat o majet me i lakue
ka nis bari e do me u rrallue,
kanë nis prrojet ujin ma pakue...
Dhimt e madhe ka kaplue trimin!
“Po si mundet kjo tokë e të parëve,
met me u kanën pa frymën e t’gjallve,
si me pasun përmi vete mallkimin,
si mos me pasun kush krye me menue.”
Tridhet t’part kjo sikur i ka shitue,
janë nis shpejt e n’log na paskan dalun,
prit e kanë lajmin për me marrun.
Ka ardh Mujsi si tue fluturue,
bumullushëm m’i paska ngjatjetue,
idhshëm shumë synin mi ta e ka nalë!
“Po ku jemi na, burra t’ktij dheu,
mos harrue kemi ҫ’asht atdheu?!
Mos po mshifemi si carrok të vegjël?
Mos u hupëm e u bamë të egjër!
Du me ditun zemrën në ven a e kini.”
Uk Zemroshin vendi ma nuk e ka zanë,
I ka dalun para, pip në kamë:
“Shka ki Mujs, ti shka je tranue,
gurë e dhe meni pse je tue rrxue?
Mos n’tradhti ni neve na ke gjetun?
Mos nderveti na kenkmi la me gjak,
mos mohue kemi ne kemi shpi e plang!?
Apo don durimin tonë me e matun,
Apo don ligsht me ne me u idhnue?”
At’herë Mujsi sikur asht kthjellue,
n’krye t’logut ka shkue e asht ulun,
si nër fal përreth e ka lshue shikimin.
“Burra, jam kanë venit tue majt renin,
Mandej gjogu vrapin nuk e ka nalun,
larg kam shkue nga kjo tokë bekue,
kam pa gjindje qi fort m‘kanë habitun.,
keq me mrrimje ata na kanë rrethue
kam pa nrrime qi duhet me i ditun,
kam pa ushtri si me dorë renditun,
kam pa gjytete ndrequn si n’prrallë,
si pej qielli do kala na kanë dalë,
kam pa shpata si vetimë flakue,
krejt prej tunxhi shumë sene marue...
E me veti unë gjat kam menue:
na ku jena, ku kemi met me shkue!
Pse s’menojna edhe na me ditun,
Pse po rrina, shka jemi tue pritun?
Mos po dojna ata me na ardhun,
Mos po presmi ata me na e ba gjamën?
Idhshëm krejt kam ba e jam kthy mrapa
Binte borë e mue m’myste vapa;
Kishte udhë e unë greminave kam ra,
kishte pyje e unë nuk i kam pa!
Krejt me men tokën tonë kam kalue,
e kam pa si në gjumë krejt harrue,
po me mend e kam pa tue sharrue,
met pa neve e nga i huji keq mbulue…”
Ka hesht Mujsi e ka fshi djersën e ballit,
ishte bamun pak me i nga t’gjallit.
Krejt janë heshtun trimat e Jutbinës,
sikur ngrimja ata me i pas kaplue,
sikur bora ata me i pas mbulue.
Befas Zogu fjalën na e ka marrë:
“Ti nas fole Mujs si mos me u kanë gjallë,
si për s’gjalli kah vorret me na que,
po na jemi e kemi me qinrue,
kemi me pamun na, po kemi edhe me msue,
gjana t’reja e na kene ma marue,
para tyne shumë kemi me dalun...”
Ka kesh Mujsi e malet i ka zemrue,
Shumë do gurë si pluhun përpjetë janë que:
“S’ka ma keq se kot me livdue vetin,
me pa gjolin e me thanë pashë detin,
me kotsina vetin me e mashtrue...
Na nuk kena njetin shumë me nrrue,
na po knaqmi tue dalë me ҫetue,
njani tjetrit tue i britun, tue iu lavdue,
nuk po dojmë me pa shka ka tj kodrës.
Pranaj brita e sa nuk u tranova,
njeva dhimt e ma shumë sun durova.
Po ju tham se na duhet me pa nryshe,
me msue t’rejat edhe nga dreqi i zi,
krejt veten me shkri për Iliri.
Ose kena na si t’dishmit me veprue,
ose kena na tej dijeve t’tyne me shkue
ose kena me metun n’lahutë m’u knue,
jo si trima krenarisht kudo me shkue,
po si mini na kemi me u përbirue,
kanë me na shkelun e me lujtun me ne,
ashtu s’na duhet, jo, kjo jetë mi dhe.”
Po ky Zogu memzi ka majt veten,
“Nalu Mujs e thuna të vërtetën:
Mos ke pa anej vajza të mira?,
Mos ke pa pasuni të xhevahirta?
Mos t’kanë metun zemrës ato qytete,
sa je dalun e nuk je ma n’vete!
Na jetojna mirë, kshtu ilirisht,
Tue qetue e tue knue në kulla,
tue ba fmi e tue martumun ҫika,
tue punue për ato qi na i do zemra.
Na kshtu edhe kena me vazhdue,
me nrrue thue, po na s’dojna me nrrue,
dojmë si t’partë, po, ashtu me jetue!”
Idhshëm Mujsi në kamë kanka que,
Edhe ma idhshëm Zogun na e kqyrë:
“M’dhimen t’tjert, se tu le t’bahet mirë,
Se ti je një që punës gjithë i ke pritue,
me lavde veshun, lavde pa meritue,
me fjalë shumë e me tru pa menue,
gjithë je kunra e gja nuk na thue...
T’partë tonë burra ba mujni mi nerue,
tue pas kushte mu ktu na me rrnue,
tue pas mjete me t’tjerë me u matun,
tu ik nga skamja e tue u ba t’pasun.
Po ne kena fmij me lanë mas vetes,
krenarisht ata me hi rrugve t’jetës,
atyne rrugve ku duhet shumë dije,
me qenë mirë edhe n’shikime ardhmenije...
Na nuk mujna mu shti sikur nuk shohim,
na nuk mujna mu ba qi t’rejat si njohim,
na nuk munjva me rrnue me vjetërsina,
s’mujm me pritun dishka me thanë vet mrrina.
Ne na duhet me nga mas përparimit,
përparimi gjithë asht nana e gzimit...”
Zogu heshti e ma nuk u nie,
po me vete aj shumë dreqnisht keshi,
sikur hije aj u ba nga vesi.
Folën paria manej varg e vi,
do me me men e do hiq pa dituni,
do me t’mujshëm e do tue u fry,
do qortojshin Mujsin pse i kish tubue,
thojshin gjahun kot ua kish humbun,
se ata po jetojshin mirë,
se do rreglla iliri i pranojke shtirë...
E pa Mujsi se nuk po kish krah,
thirri gjokun e iki dikah...
Thonë te deti ai paska dalun,
gjamë të madhe ai na paska marrun,
detin peshë ai na e paska que,
shumë anija na qenka trazue,
nalt mi brigje uji kenka ngritun,
kush shka nodhi nuk e paska ditun...
Nuk di as unë, po kshtu m’kanë thanë,
bota nrronte kur Mujsi lshonte gjamë...
Poezi nga Agim Shehu
| Poeti Agim Shehu |
BALADË LIRIE E KOSOVËS
Posi nga zër’ i perëndive
u zgjua kontinenti plak.
Nga cili akt i tragjedive
sot mbi Kosovë kulloi kaq gjak?!
Në ç’kontinent jeton kështu
një popull si mbi rjedhë ujvare?!
Foshnjat, kaq breza, qiellin blu
e shohin mbi helmetat sllave.
Dhe sot i vranë në prag shtëpie, -
nga tym i predhës u thinj Zoti.
Te syr’ i nxjerrë i një fëmije
përmbys po rrotullohet globi.
Prindi puth baltën e varrezës;
qirinjtë luten në pak dritë.
Nëpër çdo rudhë të Nënë Terezës
rjedh lot i nënave për bijtë.
Të vrarë, burrat heshtur flënë
me qiellin e vet mbuluar.
Kapaku i syve u ka rënë
si perde drame e pambaruar.
Te trolli i vet ku shtrijnë shtatin
dëgjojnë…poshtë thellësive
mermerët pelazgjikë u flasin
me emrat e të gjithë ilirëve.
«Dhija» mbi kokën e Lahutës
thërret nga larg mitologjinë :
«Homer, ç’Iliadë me gjëmë të luftës
ke lënë bosh për Dardaninë»?
Nipat e Mujit vrarë mbrëmë
po pëshpërijnë me buzë të ngrirë
(nuk i dëgjuan sa qenë më këmbë,
le t’i dëgjojnë sot të shtrirë) !
Pa frymë hapësirat ngelin.
Gjaku i foshnjës sipër bore
te gjum’ i bardhë i Azem Shkrelit
ka ngrirë rubin prej metafore.
Jehoi bubullimat mali,
pylli kurorën butë e uli :
Azem Galica ka nxjerrë ballin,
thërret nga larg me zë Herkuli.
Lëviz një breg, drithmon një fushë
e mërmërin një këngë të lashtë :
«Drenicë, e bukura drenushë,
kush po guxon të vret kaq gjatë»!?
Shota vështron si dritë nga retë
motrën e saj mbi gjak lirie,
këput ylberin nga një bjeshkë
t’ia vërë kurorë nusërie.
Varr i Gjolekës rënë mes trimave
u kumbon pranë-polifoni :
«Kosovë, Labëria ime
udhën një hap e ka tek ti»!
Fishta me dhëmbjen e pafjetur
për shkjaun-shkja e fisin-fis,
me rapsoditë e tij nën sqetull
del nga një mriz, hyn te një plis.
Këndon lahutë vdekjet e bardha
me ligjërimet e mëdha.
Varur te lisi Sefë Kosharja
tundet pendyl: “Ora ka ra”!..
Ajkuna po ia vazhdon gjëmës
me flokë shkulur pranë të vrarëve:
Fëmia prerë në bark të nënës
bën gjumë nën dhè brënda dy varreve.
Hasan Prishtina zgjoi Veriun.
Vdekjen e tij e lë në hije:
s’sheh më pas vetes kush i shtiu,
vështron Drenicën – kush i shtie!
Kosova, muhaxhire e shekullit,
sheh qiellin e saj të prerë:
te reja e zezë që i derdh breshërin
nxin fraku i zi i zotit Grej.
Rizgjohen fjalët e mëdha
të Abdyl Frashërit profet:
Me gjak shqiptarësh në çdo krah,
Ballkani rri përmbi tërmet !
Gjer kur, Kosovë e Çamëri,
ngarkuar në sup pragun e portës,
do lidhni djepet n’arrati
me meridianët e gjithë botës!?
Në ballë të kombit bërë theror
iu kthye bubullimë heshtja:
gjersa po vdesim orë për orë,
pas vdekjes s’gjëndet vetëm vdekja!
Në shkumën e ujvarës sate
që tundi kombin sot nga rrënja
partitë e shkrehura po zgjaten
të mbushin “bateritë” e rëna.
Mbi plagë të tua tejendanë,
zinxhir i zgjatur – thikë në shpinë,
nxin kontrabandë e shtetit amë
që lidhi Beograd – Athinë.
Tërë hijeshi mban zi për vdekjet,
për vajzat që t’i veshi zia…
(Atdheu – amë, nën këngët greke
feston aheng “Miss Albania”)!
Ti gjak virgjin i racës sonë,
në duel me çdo mbretëri:
sa vriteshe në Fushë-Kosovë
ringjalleshe në Çamëri.
Ti, më e denja e të parëve,
ti – më e hijëshmja në rritje,
me „Shqipëri“ në frymëmarje,
me bukuri në kryengritje.
Djepet – dafina mbi alarme,
dasmat – ylberë mes rrebeshit;
mbi kodrat, lulet e bajames
çelin pranë kokrave të breshërit.
Dardane mbirë prej legjendës,
rilind te shtat’ i lartë i bijve;
nga kumbonarja e xhubletës
të kumbon bronzi i lirive.
Sa ke ushqyer zogjtë e pulës,
mendon një këngë për shqiponjat.
Zhurmat e tankeve pranë udhës
shpejtojnë lindjet te lehonat.
Me besën në pëllëmbë të dorës,
dafinë e parë e Lirisë,
Flamuri në ballkon të Vlorës
armët e tua pati shtizë.
Ti i dhe botës Kostandinin,
Ti që ke nxjerrë Niketë Dardanin,
në ballë – me Hymn të Krishterimit,
nën këmbë, prangat e tiranit.
**Prill, 1998
NAGANTI I ISA BOLETINIT
Bene udhe te gjate
te inglizi vinin
Ismail Qemali
Isa Boletini
.
Hynin dy shqiptare
brenda ne pallat
njeri luftetar
tjetri diplomat.
Shqiperi e tyre
kish halle e mjera
armet zoterinj
regull,rine te dera.
U ngrys luftetari
syte i shkrepen cike
lere diplomati
i tha me qerpike.
Dhe ua la tek dera
Isa Boletini
poshte nen brez,te vogles
syte i shkrepetinin.
Faqen vene te trupi
veshin vene te gjaku
je edhe per mua
thosh ajo se largu.
Hapat qete e qete
binin ne pallat
njeri luftetar
tjetri diplomat.
Here-here qerpiket
si gershere perplasnin
thua drite te huaj
syte nuk u qasnin.
Dhe tha lordi i madh
gjuhen duke zgjidhur
me humor te huaj
me nje gaz te hidhur.
Ja dhe carmatosur
zoterinj shqiptare
si kallkan i ngrire
ngriu fjal e pare.
Pa nagantit siper
brezit me si pritej
por nen brez e vogla
zu te hasharitej.
Mblidhte xixa zjarri
permbi trup te bukur
priste luftetarin
qe ti thoshte "duku".
Syte e diplomatit
zjarr te hidhur shkrepen
Isa Boletini
brrom nga brezi tjetren.
Brrom aty perpara
mu te lordi prane
"Madheri Shqiptarin
kurre s'e gjen pa arme".
Zbardhelloi sermaja
shkreptiu fildishi
...ndriten malet tona
andej larg,tek ishin.
Qelqe e shandane
dhane drite te lige
Ismail Qemali
qeshi nen qerpike.
Dhe naganti ulur
rrinte sic i duhej
dora nga i zoti
tyta nga ti duhej.
Nxinte tyte e vogel
brenda nxinin halle...
Shqiperi e vogel
ne tryeze te madhe.
KOSOVE PRANVERE 1998
Porsi nga zeri i Perendive
u zgjua kontinenti plak
nga cili ankth i tragjedive
sot mbi Kosove kulloi kaq gjak.
Ne cilen kohe jeton keshtu
ky popull si mbi rrjedhe ujvare
femijte kaq shekuj qiellin blu
e shohin mbi helmetat sllave
Dhe digjen strehet e shtepive
nga tym i tyre u thinj Zoti
tek syr'i nxjere i nje femije
permbys po rokulliset globi
Bota u ngjeth nga ai gjak krimi
lideret tane pelegrine
lotet per ty nga mallengjimi
nxituan ti fshijne ne Athine
E tera zi mban zi per vdekjen
per foshnjat qe ti veshi zija
atdheu ame nen kenget greke
feston aheng...Miss Shqiperia.
Por mbi fantazmen e percarjes
fisnike dhe ne dite te zeze
ti perterin zene e te pareve
PARA BUSTIT TE SELAM MUSAIT
Koha hedh paprere
permbi festen tende
dimri- floke bore
vera -drite hene
Dhe te vijme te veshim
rreth duke t'u mbledhur
ndersa ti ne heshtje
ri ne bronx i derdhur
Eh gjithe kete bronx
valle ku ta gjeje
vete do ta shkrije
plumba do ta beje.
Ri... po nuk te rihet
ndaj te vijne mornica
...vrapi yt po endet
poshte nga Babica
Lugjesh ne ato nete
zbrite si veri
projektoret ndiqnin
sharkun tend te zi.
Flaka neper duar
me rembim te futej
gjalmi mbi dyfek
dridhej mos keputej.
Plumbat neper xhepe
(gjetur breg pas bregu)
me therime misri
hynin tek dyfeku
Dhe kercisnin eger
plumbat tane te ralle
se kish shpirto mosri
se desh gjak ne balle.
Malet neper mjegull
sa i zgjoi pushka
kafshateb e gojes
varen poshte mbi mushka.
Buke per lirine
moj kasolle te erta
dhe dridhen kapisrat
nga muskat e serta
"Biruni o burrani
hop...ti zeme se gjalli
dhembet nga urrejtja
krisnin posi atralli
Deti sa te pa
kur ne qafe dole
te thiri si nena
ti si djale i fole.
Dhe vertiti valet
sa te pa tek shtegu
te te mir tek gjiri
te te sill te bregu.
Vlora krahelidhur
c'vrull te dha te gjuri
Malua nga ballkoni
te tundte flamurin.
Ndaj ti si i dehur
rrugen poshte e more
po c'kish aq shume tela
c'kish aq shume llogore.
Plage me plage si lule
sec te doli gjaku
me te kuq flamuri
t'u qendis shajaku.
"Keshtu rencim,-fole
e c'vlen sa liria
lule Labi yne
Selam Salaria.
Plumbat bresherime
t'u permlodhen brenda
Leberit koke me koke
u ulen te kenga.
Si prush kenga jote
u digjte ne balle
ndersa ti mes kenges
erdhe prap i gjalle.
Prape ti i pari
zgjuar nga liria
o ti lule stralli
Selam Salaria.
Zilet e kemboret
heshten permbi pllaja
lugjet prape gjemimet
gatuanin ne maja.
Dhe sot rete nga mali
qe gjemimet sjellin
posi iso labe
vijne e te peshtjellin.
Ti ngul syte mes tyre
si mes luftetaresh
sikur ri mendohesh
c'kenge do tja maresh.
Buzet ti te kenga
ballin te liria
lule,Selam Labi
Selam Salaria.
Cdo tufan zberthyer
gjoksin ty ta gjeti
sharku si legjende
telave te mbeti.
E te vijme te busti
si ne prag te deres
po ti as duhanin
s'ke kohe te na dredhesh.
Duart i ke zene
-Cke ashtu ne duar?
gryke e nxehte e topit
ti ka perveluar.
Krahet me shajak
dredhur neper tyte
ahen neper hekur
sa te shkrepin syte.
...Ja keshtu ne bronx
ty te ka liria
Lule Selam Labi
Selam Salaria.
Permbi festen tende
qekur ti ke rene
Mali po derdh bore
fusha po derdh hene.
Dhe rri,gjoksin hapur
balle c'do furtune
Sharku si legjende
telave lekundet
JEMI TE GJITHE NJE KOMB VELLEZER
Tek arkivoli yt vigan
qe drodhi kombin sot nga rrenja
partite e shkrehura po zgjaten
te mbushin baterite e rena.
Mbi arkivolin tend te madh
zinxhir i zgjatur-thike pas shpine
nxin kontabande e shtetit ame
qe lidhte Beograd-Athine.
Heronjte e rene ne vite thelle
kjo ore fati prane ti pruri
Azem Galica ka nxjere ballin
theret diku me ze Herkuli.
Leviz nje dege,zhurmon nje flete
e psheretin me ze te thate
Drenice,e bukura drenushe
tyj kush guxon te vret kaq gjate.
Zenel Gjoleka armet mori
theret tek ecen me furi
Kosove Laberia ime
udhen nje hap e kam tek ti.
Dhe At Gjergj Fishta tek kendon
per shkjaun shkja e fisin fis
me rapsodite e tij nen sqetull
del nga nje mriz hyn tek nje plis.
* * * * * * * * *
Ti qe ke lind Shen Kostandinin
Ti qe ke rrit Niket Dardanin
Ne balle me himn te Krishterimit
Nen kembe plaget e Tiranit.
Biografia e autorit
Agim Hidajet Shehu ka lindur më 10 janar 1934 në fshatin malor Progonat të Kurveleshit (Tepelenë) nga familje e njohur për atdhetarizëm. Nisi shkollën fillore në fshat, iu ndërprenë nga luftrat e kohës. Pas fitores mbi pushtuesit vazhdon në Gjinokastër 7-vjeçaren dhe gjimnazin ku del me nota të shkëlqyera. Në Tiranë mbaron Universitetin për gjuhë-letërsi dhe emërohet mësues në gjimnazin e Gjinokastër ku vazhdon për 13 vjet.
Agim Shehu shquhet si poet me botimin e vëllimit të parë poetik si dhe për publicistikë, dhe e marrin redaktor për kulturën në gazetën Zëri i Popullit. Te një koleg flet keq për Udhëheqësin e vëndit. Ai si spiun i fshehur e raporton, dhe dënohet me punë kazme internimi në Metalurgji, ku vuajti 10 vjet larg familjes dhe me heqjen e të drejtës së botimit ca kohë. I përmëndet si 'shqiptaro-madh' dhe poezia për Kosovën kur qe në Gjakovë për Ditët e Poezisë më 1971, sidomos vargjet që bënin thirrje tërthoraz për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, kundër ideologjisë komuniste në fuqi: "Kosovë e bukur, gjak i fryrë/, çdo hap i hedhur-drithërime!/ Erdha dhe mbeta: kisha hyrë/ në vëndin bosh të zemrës sime" (botuar më 1973 në Drita). Kthehet nga dënimi e vazhdon mësues.
Me ardhjen e demokracisë, bëhet nisiator i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pavarur kryesisht me të persekutuar. Po ashtu, kryeson Shoqatën Atdhetare e Kulturore "Labëria" duke nxjerrë dhe shtypin e tyre. Shkruan me energji të pashterur kryesisht për çështjen kombëtare dhe dermokracinë e pastër që po mbante ende gjallë komunizmin e fshehur e sigurimin, godet me vendosmëri e në vazhdimësi shovenizmin grek e sllav. Ngre vazhdimisht fatin e Kosovës e Çamërisë... Kërcënohet hapur e fshehur me vdekje. I bëhen 4 atentate, gjer me plumb, të cilave u shpëton rastësisht. Tek i pesti, janar 2000, goditet për vdekje mes Tiranës me motor mafjozësh. Operohet në spitalë, megjithatë i afrohej vdekja përditë. Shteti heshti dhe e la pa asnjë ndihmë. Miqtë e marrin në Zvicër ku i koregjohet operimi i gabuar. Aty merr 'Azil Politik'. familjarisht.
Krijimtaria e Agim Shehut është e gjerë, mbi 25 libra me poezi, tregime e novela, drama, kujtime, studime, përkthime, humor e tjera...
Poezi nga Petrit Ruka
![]() |
| Poeti Petrit Ruka |
ËNDËRR ME NUSE
Zhanit, sot në datëlindjen e saj.
Do të të gjej një nuse, tha gruaja ime,
u plake, o i shkretë dhe unë u plaka,
të duhet kujdes, pa shih si je mbledhur
si iriqi i mrrolur nën cfaka*.
Dhe ec e ec të dy nëpër ëndërr,
një ëndërr e gjatë, mesnatë e mëngjes,…
unë i gëzuar, doemos si çdo dhëndër,
ajo e gëzuar si mblesë.
……………………
Në Tepelenë më çoi, aty tek linda,
«uh, me një labe,… kjo prapë!”
Jorganin me këmbë tutje e shtyva;
më ik, moj ëndërr me vapë!
Dhe hyjmë në gjimnazin, ku erdha riosh,
në një nga klasat, ku jepja mësim,
“pa shihe atë vajzën në bankën e tretë,
sa kripë i ka kurmi që ndrin...”
Unë buzët lëpij dhe bie në mëkat
(nga ta di në ëndërr që dreqin jam plak?”)
Po ç’desha që u “zgjova” më marrtë një lumë,
As ëndrrën se kam hak?
Po kjo je ti, thashë i habitur,
që gjumin ma mbushi dikur me driza,
kur shkumën e gjakut kënaqësia ma frynte,
sa më zgjidhej kërthiza…
Kur me bukurinë e rrallë dhe eshtrat m’i ktheve
në fyej që qanin si brymë,
ti shkolla ime e parë e vjershërimit
Akademia me frymë...
-Po pse, ç’kujtove, do të jepja një tjetër,
tani që u plake, je bërë një dorë,
shiko sa nuse të bukur të gjeta,
sa gjaku në borë.
-Pse si të lënkam në duar të një gruaje,
që nazet s’ ti di... e më vdes,
të ta pijë atë çikëz shpirti të mbetur
si një pikël me vesë...
-Ç’të them, ç’të them, as zgjuar, as ëndërr ?
-Nuk ke ç’të thuash, poet i pabesë?
Tërë jetën ke dashur të jesh një dhëndër
në dasmë të zezë…
Tani që nusen ta gjeta, (pa fli!)
Dhe prit të të mbuloj, se ngricë është jashtë,
me mendje kullot se kujt i prish punë
ti kau plak,... në kashtë...
cfaka*= sherebel
21 shkurt 2017
VJEN NJË TRIM I MBYTUR-O
“Vika lumi turbull, turbull, turbull-o,
bie një trim të mbytur, oh, të mbytur-o,”
seç rrëqethen brigjet, digjen brigjet-o
zallit plasin gurët, lemerisen-o,
grykat, u – e- uuu, malet, o - e- ooo...
Vika lumi turbull, vika rëngë- rëngë,
Ardhka dhe i shkulka rrepet me gjithë rrënjë,
i merr tatëpjetë, jo shtrirë, po në këmbë,
bregut këmbëzbathur,... kallogreja Mëmë,
turbull lumi, turbull, o mëngë më mëngë.
Pas nënës e motra, gruaja me kujë,
tre lëmshe të zeza, përmbys përmbi ujë.
Tre lëmshe, tri kuje, tre thika në fyt,
o ju korba rrotull, mos ia hani sytë,
turbull lumi, turbull, nga mendja i dytë...
2.
Ç’po i lutet nëna, valës,
aman, nxirrma djalin, anës,
se e kam të vetëm, fillikat,
nxika lumi, nxika,... si mandat.
Ma nxirr që ta thaj pas zjarrit,
t’i jap varr e t’i qaj varrit,
t’i shkul atë thikë nga zemra,
t’i ve gjakun tim nga brenda.
Në ma prufsh në anë të zallit,
t’i puth të dy sytë e ballit,
të bëj djalë e s’të kam hasëm
të marr për dhëndër me dasëm.
T’i mbaj kokën, mos ti haset,
nëpër gurë mos t’i përplaset,
po s’ma bie në breg, ku dua,
ktheje rrugën, merr dhe mua.
3.
Foli lumi, në faj zënë,
nënë moj, e zeza nënë,
dhe të doja, nuk më lënë,
Zotat që udhë më kanë dhënë.
Vit për vit e kam mallkim,
të marr si kurban një trim,
ndryshe deti nuk më qas
dhe mes maleve pëlcas.
Me vajtimin, që ngjeth drizën,
po ma çan më dysh kërthizën,
plas ta jap e është e kot,
jam si ty mbytur në lot,
po mes ujit, s’i sheh dot...
4.
Foli trimi, gjumëshumi;
Lumë, o lumë, të marrtë lumi,
ndalu pak t’i flas njëherë,
nënokes, që më ka lerë.
-Sa vjet zi do mbash për mua,
moj nëno?
-Sa të zbardhet pendë e korbit,
o biro!
Nëna zinë do ta lëshojë,
lumi kur të avullojë,
të ngjitet rrugës përpjetë,
të hollohet si lëpjetë,
të futet ku doli vetë,
tek burimi, jo në det.
Sa të bien yjet si kashtë,
sa të vdes, të jemi bashkë,
sa të shkrij jeta në ëndërr,
të të gjej në varr si dhëndër.
-Sa vjet zi do mbash për mua,
ti, moj motër?
sa ta kthej kjo dhembje, malin,
në një kodër.
Kur të jem qyqe në brinjë,
ku-ku-ku? për ty,
sa të bëhen lotët finjë,
gëlqere në sy.
-Sa vjet zi do mbash për mua
ti, moj nuse?
-Sa të shter nga vapa uji
nëpër puse.
Sa të shkoj e zezë e vitit,
të vete në krua,
sa të piqet Hëna, prillit,
të zgjohem si grua...
5.
-Sa vjet zi do mbash për mua,
ti, o këngëtar?
-Sa t’i gjej fjalët që dua,
të të shtroj një varr...
Sa të bëhet prej mermeri
balada, siç dua,
Sa t’ia laj borxhin shqipes,
se ia mora hua.
Sa të dal dhe nëna ime
bregut,...Vjosës-o,
t’i thotë Zotit, ma jep djalin!
ooo,... e ooo,... - e ooo...
Maj 1999 – shtator 2016
BOTA E TËRË NISEJ PËR PASHKË
U rrëzua trupi yt i gjatë mbi shtrat
Si panjë e çarë dysh prej vetëtime,
Dhe u drodhën harkadat e supeve të lartë,
Kur ranë si për festë dy kambanat e gjinjve.
Trupi im në këmbë me gjakun që djeg
Si i shartuar me gjembat e egër të drizave,
Barku yt që dridhet si altaret e shenjtë
Me kryqet e kuq të të dyja kërthizave.
The: eja! dhe nga Vjosë u bëre një Bunë
Filluan alelujat për meshën që fale,
Shkurt, nuk e di pse m’u duk sikur unë
Po bëja dashuri me… një katedrale.
Çfarë Pape u bëra kur hyja tek ty,
Nën mua ti shtrirë si Roma e lashtë,
Dhe binin a s’binin kambanat e gjinjve
Dhe bota e tërë që nisej për Pashkë…
Kosovë, shkurt 2015
ËNDËRR ME VJOSË
Kur ramë pashë barkun tënd që u nis,
si varka e Noes për tokë e fat,
pashë hënën si ngrihej nga vithet e tua,
si nga Mali i shenjtë Ararat.
Të dy jastëkët u bënë kuaj të bardhë,
me flokët e tua - jéle në erë,
hingëllin me flegrat e mia për “luftë,”
ç’kohë për të lerë!
Tri herë rënkove dhe tri herë krevati,
dysheku - qilim fluturues,
është çasti i vetëm që Zotin, prej fati,
unë vetë në zemër e fus.
(Të tjerat shkenca të gjitha do t’i bëj
këtë frymë, jo,… kurrë.
nuk është kjo punë kripërash, dava magnezi…
një grua, një burrë...)
Çarçafët të lodhur shkanë dyshemesë,
varur si ujë, mbytën parketin,
kllaposur në varkën tënde si Noja,
bekoja Kiametin…
Poshtë nën këmbë Vjosa si grua,
Meket, ziliset,
dhe hëna më e vogël se gjiret e tua,
pas malit gremiset…
Si ta dinte e shkreta, që sot, mes qiellit,
ka radhën sublime
ky gjiri yt me unaza si saturni
rreth kokës sime...
Kështu e kështu se të tjerat nuk thuhen,
sa djersiti tavani,
ka qenë Zoti vetë që na mpleksi në shtrat,-
dy versete kurani.
Se ndryshe ty nuk të nisej dot barku,
si varka e biblës, për tokë e për fat,
dhe unë si Noe ta shkruaj këtë këngë
mbi malin e shenjtë Ararat…
Këlcyrë, 2016
KOHË GRIPI NË TIRANË
Lëmsh ikin retë pas dritares në qiell,
Si frymë e zezë vajesh labe,
(Kjo sinfoni mortore!)
Sa do t’i desha për vdekjen time të vinin
Këto shami të zeza qiellore.
Tek shkund termometrin në ajër
Si shkop dirigjenti,
tek ve kollën time në kohën dy të katërtat,
Ti shfaqesh si mjekësia e vetme e jetës,
Mes përmes mendjes
Hap flatrat.
Tridhetë e nëntë edhe gjysëm më shumë,
Unë ty të mendoj
Me trutë e përvëluar,
Nuk ka antibiotik tjetër,
akoma s’është shpikur,
Si puthja jote,
Ky i përqafuar…
Nuk di ç’të bëj tjetër si i sëmurë pa shpresë,
Dhe shkruaj recetën më të çmendur të botës;
Ti ngre krahët në ajër,
T'i shkoj pas qafës
Si të shpikja ilaçin total të botës.
Ngjishu pas meje, futmu në shpirt,
Si termometri pa zhivë,
Që kurrë nuk do të shpiket.
Në ashensorin e palcës kurrizore e ndjej
Qysh jeta e lodhur po ngjitet.
Nuk do të vdes as kësaj here,
Sepse, ja, ti nuk do,
Që të mbetesh jetime,
Unë e di që edhe vdekjen
Tani ma ke marrë,
E ke pronën tënde, moj grua sublime.
Lëmshe të tjera rresht vijnë pas xhamit,
Sa e bukur dreqin,
(Kjo sinfoni mortore!)
Po ti nuk je gati t'i lidhësh pas kokës
Këto shami të zeza qiellore…
TË SHOH TEK IKËN MAJË GISHTRINJVE…
Te shoh tek ikën majë gishtrinjve,
me turp, me zor dhe pak mëshirë,
tek derdh mbi plagë dy pika lot,
siç bën një panjë me pak rrëshirë.
Ka ngrirë në kthesën që s’ka Ardhje,
kjo shpina jote, - drithërimë,
“oh, mos kthe kokën me keqardhje!
të lutem, plot me përgjërimë!
Një ditë të gjithë e lëmë nga pas
të vjetrën strehë që ka zënë myshk,
tek një e re vrapojmë me gaz
që shpirt ynë të mos zërë ndryshk…
Dhe mos digj ditët me Mëdyshje
nxito të shkosh tek zjarr i ri,
e di që jam një zjarr pikture,
me pak thëngjij e më shumë hi…
Aty do rri në një kornizë,
i varur nëpër mendjen tënde,
sa të bjer vjeshta një puhizë
ta shkund si të fundit lënde…
Atëhere kur si lisi plak,
do nxij në qiell si një kontur,
si zgavër që pikon farmak
do feksësh rrugës… për qivur…
Po gjer a’herë, si alkimist,
unë dhembjen do ta bëj flori,
ta nxjerr nga shpirti im i lis-të,
siç del një dimër me pak shi…
Tiranë, shtator 2012
TË THASHË, MOS E FIK DRITËN!
Më kot po e fik dritën sa të zhvishesh, Zemra ime,
më kot fshihesh nën çarçafin e kaltër këtë natë,
ke harruar njerin krahë jashtë
dhe ai Dritë e ka bërë dhomën,
si shandani i një katedraleje për ditën e Pashkës së madhe
e unë nuk di ku të pengohem…
Më kot. Edhe po ta mbulosh krahun,
rrugën gjer tek krevati e gjej symbyllur,
nga që je lakuriq, siç të bëri nëna për mua,
harrove që dy gjinjtë i ke jashtë
si pjepra të pjekur me hënë në fushë
dhe unë i gjej verbtazi me hundë si një iriq nate?
Ah, unë di si të vij
nëpër deltën e lumenjve të kofshëve të tua,
do ndjek oshëtimën,
aty ku trupi yt ndahet më dysh nga fryrja e shirave,
aty ku dua të jem veç një varkë.
pa vela, pa busull, pa rrema,
vetëm me lopatat e duarve të bëj përpara…
Mos lëviz! (Kam frikë mos shkërmoqesh nga pjekja,)
më mjafton vetëm një gisht vend,
aq sa do tani xhindi brenda shishes tënde
me verë të gazuar,
tani që vet ia heq tapën me një pëlcitje
si kërcitja e e gjuhës së tharë
pas qiellzës së kuqe.
Prit ta heqim edhe mbulesën e fundme pa zhurmë,
butë si lëkurën e një bananeje,
prit të ta ul pak më poshtë jastëkun,
prit të ta ngre pak më lart zemrën,
ta akordoj me timen që po përpëlitet
si një mëllenjë e therur.
Më ler tani ta pi dollinë e parë me fund
në kupën tënde rozë te gojës,
të dytën në kupë te kërthizës,
të tretën…
ah, ah, tani i harrova fare numurat
dhe nuk ka matematikë të m’i kujtojë.
Lermë tani të marr një valle kaçakçe,
ta kërcej mbi thithkën purpuroshe të gjirit,
siç bën një brumbull prilli mbi majën e gjembit,
lermë të kullos demat e mi të kuq
në luginën tënde të barkut
me formën magjike të violinçelit.
Dëgjon?! Filloj muzika!
Rënko tani në Oh-maxhor e në Ah- minor,
i kam të pafundme në kokë partiturat,
më beso mua, gënjejnë, nuk janë shtatë notat,
nuk qene në shtrat kur i shpikën,
harruan që eshtë gruaja vegla e parë muzikore e botës.
Ka ndaluar koha,
çdo sekondë jona tani nuk regjistrohet tek mosha,
është në llogari të përjetësisë,
dhe nuk po plakemi,
po nxjerrim qeliza te reja si bebet ne gjirin e nënës.
Po të dridhen kupat e gjunjve?! Mos u tremb!
është vallja e palcës që shkrin nga kënaqësia,
eja, pra, të mësojmë tërmetet,
të përplasim pllakat tona tektonike,
t’i bëjmë thërrime xhamat qorra të moralit,
dymijë vjet pa fshirë
nga avujt e pellgjeve dogmatike.
Zgjate shpirtin sa të bëjmë tre njësha bashkë,
minutë pas minuti,
nuk kemi punë me romanet e Paulo Coelho-s,
jemi ballakanas të lindur në vreshtin e Dionisit,
kur bëjmë dashuri, nxjerrim tym nga brinjët.
Bëhu shkretëtirë, se bëhem vetë Nili,
të mbush vetë me gurgullima ujrash,
me kroje mbretërore nga Mali i shenjtë i Tomorrit,
lufto si Kleopatra për tokën tënde.
edhe unë jam Çezari
që rroj për çdo milimetër pushtimi.
Të thashë, shpirt, të thashë
po nuk më dëgjove,
të mos e fikje dritën…
Ps.
Kjo poezi u shkruajt për Ty nën dritën e një qiriri mesnatën e 6 dhjetorit, kur dritat ikën në gjysmën e qytetit të Tiranës.
Abonnieren
Kommentare (Atom)


