Samstag, 17. Juni 2017

Shkrimtari dhe veprimtari Ajet Shala në "Radio Liria"


  • Radio LIRIA,17.06.2017 / Shkrimtari dhe veprimtari Ajet Shala, sonte në ora 22:00, do te jetë mysafir në emisionin "Fjala artistike në Radio LIRIA" ku do të flitet për krijimtarinë e tij letrare dhe veprimtarine atdhetare. Autor i emisionit, Haxhi Muhaxheri.

Biografia:

Ajet Shala u lind në fshatin Kopiliq, KK Skënderaj. Shkollimin fillore e kreu në Turiçec. Ndërsa, gjimnazin në Skënderaj. Studimet universitare në Prishtinë, në fakultetin juridik. Është jurist i diplomuar, gjeneratë e viteve të 80-ta, aktivist dhe pjesëmarrës i dalluar në çështjen kombëtare dhe në demonstratat e vitit 1981. Pas diplomimit në juridik një kohë si i pa punë dhe me ndërhyrjen e Serbisë në  sistemin kushtetues në   vjeshtën e vitit `89 detyrohet të largohet nga atdheu për në mërgim, pikërisht në Zvicër. Nga viti 1990 është kontribues shumë i dalluar në çështjen kombëtare, në veçanti në vendlindje dhe në komunën e Skënderajt, donator i parë i medikamenteve kyqe të kërkuara në atë kohë në Kosovë, duke i ofruar Shoqatës Nëna Terezë, në Skënderaj medikamente në vlerë 3600 fr. Klubit Futbollistik “Drenica” në Skënderaj i ka dhënë paisje në veshmbathje sportive në vlerë prej 3750 fr. dhe që nga viti `90 e gjer në fillim të luftës në Kosovë.

Përmes Shoqatës Nëna Terezë për çdo vit u shpërndau nevojtarëve të fshatit Kopiliq nga 5000 kg miell falas.

Shkollës së Turiçevcit, në vitin `96 i bleu drutë për ngrohje në vlerë prej 2000 DM dhe komplet xhamat e shkollës në vlerë 650 DM, si edhe për disa vite me radhë ndihmë në libra e fletore nxënësve të kësaj shkolle. Aktivistë i dalluar i Grupit të Emergjencës në Zvicër, pas fillimit të luftës.

Me kontribut prej 18.000 fr.ch kryesisht në fondin “Vendlindja thërret”, ndihmë Shtabit të UÇK-ës në Aqarevë me armatim e municion, aktivist dhe shtyllë në Lëvizjen mbarë kombëtare UNIKOMB, ku në verën e vitit 2012, organizoi tryezën shkencore në Skënderaj për heroin që sfidoi historinë, Milosh Nikollë Kopiliqin dhe bëri rindërtimin e inaugurimin e Bunarit të Milosh Kopiliqit në Kopiliq të ulët, i vjetër që nga viti 1350. Në praninë e 500 pjesëmarrësve, për projektin e bunarit shpenzoi mbi 7.500 € Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë bëri mbi 200 mirënjohje për heronjtë, martirët dhe familjet e martirëve, gjatë këtyre 100 viteve, përmës Lëvizjes UNIKOMB, në vlerë mbi 1000 € dhe shumë raste të panumërta si kontribute më të vogëla.
Ajet Shala është autor i dhjetë, vëllimeve poetike, liriko-epike: 


Libra të botuar brenda viteve 2013-2016

  1. “NË KRAHËT E MJELLMËS”                
  2. “ATDHEU BRENDA VETES” 
  3. “PLISI I DHEUT DARDAN”  
  4. "LIRICHE DEI MONTI" në italisht “Lirika e bjeshkëve” 
  5. “KODI I URËS” 
  6. "ANTOLOGJI PËR ÇLIRIMTARËT: ILAZ KODRA E ANTIGONA FAZLIU" 
  7. "KROI I FJALËS"
  8. "ANTOLOGJI IDEALIT TË DËSHMORIT SEJDI KRALANI *BALLISTI* 
  9. “BISEDË ME ATDHEUN” 
  10. ”RRAPI ARBËROR” 


Njëherit, autori është pjesëmarrës i shumë antologjive dhe i pranishëm nëpër faqet e gazetave dhe revistave që publikojnë shkrime letrare qoftë në vend qoftë në ato elektronike. Për Autorin u shkrua në shumë vende si në Kosovë e Shqipëri, ashtu edhe në një numër të konsideruar të gazetave për lexuesit shqiptar, që dalin në Romë, Athinë, Londër, por edhe në gjuhën e vendit ku jeton autori, në Zvicërr. 

Antologjisti Ajet Shala, më parë se një dokumentarist është krijues shpirtëror, njohës i jashtëzakonshëm i trashëgimisë dhe pasurisë sonë popullore, si dhe interpretues i saj, madje njërit prej zhanreve më të lashta të krijimtarisë gojore: eposit legjendar dhe atij historik. Në të vërtetë, më parë se sa të përgatiste këto dy vëllime antologjike ai e provoi kujtesën e tij me interpretimin e një vëllimi këngësh epike, e provoi penën e tij me disa vëllime poetike, dhe vetëm në fund mori iniciativën për të përgatitur dy antologjitë me poezi përkushtuese për dy çlirimtarët e kombit: Heroin Ilaz Kodrën dhe dëshmoren Antigona Fazliun. Dhe në vazhdim nxjerr edhe Antologjinë për dëshmorin e kombit Sejdi Kralani, dhe vëllimin më të ri poetik. "....."  Po të shihet krijimtaria e tij poetike e botuar në pesë vëllime, nuk është vështirë të vlerësohet se pjesa më e madhe e krijimtarisë letrare të tij është me poezi përkushtuese, poezi me motive historike dhe në mënyrë të veçantë poezi që shprehin madhështinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht poezi për dëshmorët e saj.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen