Donnerstag, 8. Juni 2017

Katër vështrime për librin "Hidra e mllefit" të Shaip Beqirit

Poeti Shaim Beqiri dhe përmbledhja e tij poetike "Hidra e mllefit"


Nga: Natasha Lako

POETI NË PROCESIN E DIAMANTIT ME FJALËN

Shaip Beqiri: Hidra e mllefit / Hydra des Zorns, Limmat Verlag, 2014, Zürich

Duket që poezia nuk ka radhë përderisa ne i kthehemi deri sot moshës së saj mijëravjeçare. Gjeneratat e poetëve vijnë ta thonë atë nga e para.. Këtë bën edhe Shaipi Beqiri, duke shënuar rënien e një sipari të ri pas asaj që kanë përgatitur breza të tërë poetësh të gjuhës shqipe. Përmend fjalën rënie, përderisa në natyrë edhe gjethet bien si fjalët. Shaipi rrëzon fjalën e përkohshme, hapin e përkohshëm, mendimin e përkohshëm, duke i falur Kosovës një shpirt të fshehur në një mollusk që quhet Hidra e fjalës. 
Prishtina ka shumë pranë shpellën e famshme të stalaktiteve dhe stalagmiteve. Në Bern kemi poetin që e ngrin dhe e shkëlqen fjalën si në procesin e diamantit, ku përjetësia luan me të përditshmen. 
Shaip Beqirit i duhet gjithë jeta e tij për të na sjellë këtë poezi, gjithë durimi, mbrylja, tkurrja e të pavërtetave dhe padrejtësive derisa të burojë një dashuri ku edhe dhembja ngrin e shfaqet me një fytyrë krejt të re të kristaltë. Kjo është poezia e përplasjes më të thellë, gati elegjiake për ekzistencën deri në përjetësi. Më vjen mirë që ajo, para se të tingëllojë për lexuesin shqiptar, po shkon të tingëllojë për lexuesin e gjuhës gjermane, pasi është zhveshur nga të gjithë pozat që e dallojnë njeriun nga njeriu. 
Shaip Beqiri ka metaforën e tij për jetën e qenies njerëzore, të ngërthyer te pesha e jashtëzakonshme e fjalës që të rrëzon në thellësi. Përsëri fjala rrëzim. Rrëzim është edhe triumfi vetë, duke krijuar një dimension dhe hapësirë, ku gjithçka është afër dhe larg. Do të doja të isha sot në Prishtinë pranë kësaj poezie të madhe, që i vjen letërsisë në gjuhën shqipe, si dhe pranë autorit të saj. Ndodhem në një qoshk të një zgjatimi tokësor euroaziatik që të bën të mendosh se një pasuri kaq e shumëllojshme njerëzish jeton në të njëjtën koordinatë tokësore jo vetëm prej dheu, por edhe prej trualli të sotëm poetik, ku poezia e Shaip Beqirit shpreh komplekset e europianit të sotëm. Gjendem edhe unë në Akuarium, Shaip Beqiri. Ju lutem lexojeni këtë poezi atje në Prishtine, për të dëgjuar se ku ndodhet sot çdo njeri i kësaj bote.


Shaip Beqiri

AKUARIUMI

Ti je deti im i trilluar 
Ndërmjet dy humnerave 
Të së njëjtës natë

S`e dëgjon hapin që afrohet 
As valën që po na braktis

E unë jam uji i zi 
I fshikës sate bredhëse 
Zbraztësia jote e tmerrshme

Ndërmjet dy heshtjeve të kaltra 
Ta vë gurin tim të fjalës

Jam i vetmi virus 
Që shumohet 
E s`shtohet 
Në natën tënde të kthjelltë

Ti gjëmon me zë të shterur 
Në këtë guaskë të tejdukshme 
Larg bregut tënd të gjallë

Po nga frika s`shërohesh dot 
Me ujin e Bjeshkave të Nemura

Kam dashur me të lënë vetëm 
Ndërmjet dy gjurmave të hapit 
Që të nxori fshehtas nga pylli 
Kur po hyje në ëndrrën time

Ti je det i fashitur 
Përfundi qiellit të arnuar

Uji yt i vdekur i verdhë 
Frymon me mushkëri të shqyer 
Në kraharorin e natës plot yj

Unë kam dashur me të lënë 
Në pyllin e dendur të hijeve

Përshëndetje të gjithëve nga Natasha Lako.

Më 21 Janar 2015


______________________________


Nga: Adem Gashi

NJË ITINERAR TRONDITËS POETIK

Shaip Beqiri: Hidra e mllefit / Hydra des Zorns, Limmat Verlag, 2014, Zürich

Në fakt këtë paraqitje e kisha ndërmend ta përqendroja te kryefigura gjuhësore e këtij vëllimi, tek oksimoroni, po duke e parë strukturimin e brendshëm të 45 poezive, në katër njësi, me një poezi uverturë e me një përmbyllëse; me tri poezi që kanë për tituj shenjën e kronosit (1981, 1989, 1998) e me sa të tjera që përmbajnë dëshminë e toposit ku janë krijuar (Kosovë, Shqipëri, Zvicër etj.) më erdhi më për mbarë të them se ky libër është një itinerar tronditës poetik. 
Duke e njohur që në krye të herës krijimtarinë letrare të Shaipit, madje edhe para botimit në nivel libri, mund të them se ai i ka ndenjur besnik me goxha fanatizëm verbit fillimtar. Po, do s’do ta pranojë ai, i ka marrë pak haraç edhe shkapërderdhja në gazetari e publicistikë. 
Prirja prej filigranisti në kompozimin e lirikës (dikur ai na e sillte atë në formë përsosmërie deri në numërim shkronjash të vargut me makinë mekanike shkrimi) është ruajtur në të gjithë librat e tij. Ç’është e vërteta, në “Hidrën e mllefit” e gjej pak më dorëlëshuar. Fundja, ky veprim s’është mani pedantërie, po pasion i gdhendjes së vargut. 
Pesë vëllimet e tij poetike në shqip, bashkë me këtë Hidrën dygjuhëshe, kanë tituj me togfjalësha: Fontana e etjeve, Flatrat e gjymta, Eklipsi i gjakut, Rekuiem për veten, Prangat e praruara, gjithnjë mbi bazën e oksimoronit. Shaipi kufirin latent ndërmjet metonimisë dhe metaforës thuaja e bën të paqenë. 
Po të rrumbullakos shifrën sipas parimit të matematikës më rezulton se ai sivjet mbush katër dekada të krijimtarisë poetike. Shaipi është poet i pastër sepse konceptin për poezinë thuaja e shenjtëron. Jeton me të e për të. Më duket se Pol Valeri ka thënë me një rast: punë e poetit nuk është trandja e tij poetike, por transmetimi i saj te lexuesi. Këtë transmetim Shaipi e bënë me mjete shumë të zgjedhura gjuhësore, me figura e trope nga më të larmishmet. Kjo që e zura ngoje më herët, bie fjala, oksimoroni, brendapërbrenda mban edhe mllefin e ironinë. Ç’është ky mllef akilian brenda qenies së këtij autori? Them se atij jeta i dha më shumë goditje e munxa, trysni e vurrata se sa ditë të lumtura. Shaipi rrallë qesh, rrallë buzëqesh. Edhe më rrallë e gjeni të tillë në vargje. Është i ngrysur, i rëndë sepse poezia e tij nuk ka narracion e fabul, nuk ka subjekt. Poezia e tij është gjendje (shpirtërore, mendimore, emotive, fizike). Çudi sa bukur e ka formuluar këtë Migjeni! Ngjarje pa lëvizje. Në këtë pikë jemi të njëmendjeje me Lankshin.
Shaipi sjell mëvetësi të dukshme me poezinë e tij. Ajo që i themi origjinalitet. Këtu ndahem një çikë me Hansin. Ndikimin e Vasko Popës nuk e gjej në atë masë sa thotë ai në lirikën e Kosovës, sikundër nuk i përjashtoj as nuancat e përngjasimit të Shaipit me të. Madje këtu ka një poezi përballëse me Popën, poezia Oshënari. 
Ky vëllim poetik na vjen edhe me një element që s’është i ri te Shaipi, por këtu sikur kulmon e bëhet këmbëngulës. Pavarësisht organizimit formal të strukturës poetike me katërvargësh, trevargësh e dyvargësh; pavarësisht se nganjëherë edhe rimon e mbushet aliteracion, në planin kuptimor sa funksionon si lirikë kompakte, poezia e tij mund të bëjë jetë edhe në njësi më të vogla, si strofat. Ato, po aq sa janë integrale brenda një lirike, mund të lexohen edhe si të mosvarme. Mund ta provoni këtë me cilëndo poezi të këtij vëllimi. 
Fjalësi (leksiku) i Shaipit në këtë libër është i begatë, madje shumë i begatë. Nganjëherë gjatë leximit të bëhet e pashmangshme konsulenca e fjalorit. Ai aktivizon fjalë të vjetra e të rralla të shqipes, idioma e krahinorizma që e nuancojnë bukur valerin poetik. Ja disa prej tyre: stukohej, rroshponjat, gopç, guzhma, gamuj, gorre, zhapëllima, zhargina e shumë e shumë të tjera. 
Kjo Hidra e mllefit mua më dëshmon edhe një fakt, një fakt të gëzueshëm: Gjeneratori krijues i Shaip Beqirit më vjen me potencial e tension si në ditët më të mira, pa lodhje metalesh (term i fizikës) e pa u ligur. Këtu marr dorë ta uroj me zemër vërsnikun tim, Shaip Beqirin.

Prishtinë, Janar 2015


______________________________


Nga: Sali Bytyçi

POET I BALADAVE MODERNE

Shaip Beqiri: Hidra e mllefit / Hydra des Zorns, Limmat Verlag, 2014, Zurich

Nëpër streha psherëtimash
Po ik duke u kthyer në një gur
Nën të cilin nuk rritet bari
As gjarpri s’fle kurrë 
(Gjyçi, f. 24)

Shaip Beqiri me kohë i ka krijuar shenjat letrare nga do të kalojë itinerari i poezisë së tij. Poezi e veçantë si me leksikun, me figuracionin, po edhe me sintaksën e saj. Nuk është vëllimore. 
Vëllimi me poezi të zgjedhura, shqip dhe gjermanisht, “Hidra e mllefit” i Shaip Beqirit, është i ndarë në katër cikle: “Purpuri i muzgut të mbramë”, “Endja galaktikave të dehura”, “Rekuiem gjakut të kukullave” dhe “Pëlhura në kryq të bardhë”. 
Librit i paraprin poezia “Zhapëllima”, e cila është një program letrar në vargje i poetit, poezia e të cilit është dhiatë e subjektit poetik, e krijuar “Me pika dyshimi të brejtur” (6). 
Në të tre ciklet e parë ka nga një poezi, të emërtuara me numra: “1981”, “1989” dhe “1998”, në të cilat shenjohen tri kohë – periudha dramatike të Kosovës: e para shenjon kohën e kryengritjes së rinisë së Kosovës kundër regjimit komunist jugosllav në fillimvitet ‘80; e dyta qëndresën kosovare ndaj degradimit të statusit të Kosovës në fundvitet ’80 dhe, e fundit, kohën e kryengritjes luftarake në fund të viteve ‘90, e cila i dha fund regjimit serb mbi Kosovën shqiptare. Në këto tri kohë jeton e përsiat subjekti lirik i poezive të Shaip Beqirit.
Poezitë e këtij libri, edhe pse janë të krijuara përgjatë më shumë se tri dekadash, pjesa më e madhe gjatë kohës që autori i saj kaloi në Perëndim, si me tematikën, ashtu edhe me gjuhën e veçantë, përbëjnë një tërësi poetike sikur të ishin shkruar me një frymë, e jo për decenie me radhë.


Këngëtimi baladisht fatit të njeriut të tij

Njeriu, si qenie fizike, lëviz në hapësira nga më të ndryshmet, ndërsa si qenie shpirtërore, edhe pse nuk është i penguar nga rrethanat e jashtme, lëviz në një hapësirë të paradestinuar për të. 
Në rastin konkret, si qenie fizike, ky njeri është autori i poezive të vëllimit poetik “Hidra e mllefit”, një qenie që lëviz nga atdheu i tij në Perëndim; si qenie shpirtërore, ai është subjekti lirik i këtij vëllimi, i cili kryesisht lëviz nëpër kujtesën e Unit të tij. Ndaj, në këto poezi, herë pikëtakohen autori dhe subjekti lirik, herë ndjekin rrugë të ndryshme: i pari lëviz në gjeografinë reale: Kosovë-Evropë Perëndimore; i dyti në të shkuarën, në mitin dhe realitetin e kësaj hapësire; nëpër pikëllimin, dëshpërimin, shpresat dhe përpjekjet për të mos u tretur në dhe të huaj. Lëvizja në një gjeografi të tillë poetike bën që nga vargjet të krijohen poezitë në të cilat, baladisht i këndohet fatit të njeriut, që detyrohet të lëshojë vendin e tij. Prej momentit që ky njeri largohet nga vendi i tij, ai fizikisht jeton atje ku ka arritur, po shpirtërisht vazhdon të sillet në vendin e lindjes, aty ku ka lënë çdo gjë të veten. Normalisht që, gjallimi në vendin e huaj assesi nuk përbën një jetë normale, po një jetë që është në kufijtë e absurdit:

Tash fikim fundçet e shpresave
Në pëllëmbat prej kristali 
(“Gjysmëbiseda” - Martin Camajt, f. 16)

Në poezitë e këtij vëllimi, poeti shkruan vargje për largimin nga atdheu, por edhe vargje për dëshirën dhe shpresën që, edhe i vdekur, të kthehet në vendin e tij. Mospajtimi me të qenët larg vendit të tij, kthehet në “material” për mekanizmin krijues të poetit, nga i cili shpërthejnë vargjet me kuptime të ngrysura ekzistenciale:

Ndonjëherë më jepet
Të kthehem në strehën time të parë
Të shoh të mbramin muzg duke rënë
Sipër muranës ku çdo gjë timen kam vënë
(Murana, f. 10)

Jeta në vend të huaj, shenjohet me sintagmën “në strehë të huaj”. Kjo hapësirë shenjohet herë si një mur që s’kalohet, herë si një breg nga i cili subjekti lirik do të largohet, megjithatë ai këtu vetëm si qenie fizike jeton.
Subjekti lirik i poezisë të Shaip Beqirit është subjekt që shtegton pandalur në kohë dhe hapësirë. Kjo lëvizje i ngjan udhëtimit “nëpër pyll nëpër natë” (f. 6), prandaj ai, vazhdimisht është në kërkim të një shtegdaljeje, e cila atë do ta shpinte “tutje këtij bregu”, në të cilin është i ngujuar (Amfibe, f. 100). Dhe, nëse në çdo shtegtim njeriu orientohet nga një objekt udhëndriçues, i cili e drejton për atje ku është nisur, subjekti lirik i kësaj poezie orientohet nga ylli i tij, i cili gjendet mbi realitetin zotërues. Por kjo ndodh vetëm në ëndërr, vetëm në ëndërr e kalon përtej hapësirës reale në të cilën jeton, vetëm në ëndërr kalon në “tjetër planet” (f. 20)
Gjeografia poetike në të cilën jeton subjekti lirik është “udhëkryq stuhish” (f. 84), “tokë e djegur” (f. 84), “fushë lulëkuqesh” (f. 84), “midis gërmadhave” (f. 104); ndërsa dheu i huaj për të është “arkivol i madh gjelbërimi”. Jeta e këtij subjekti më tepër kalon duke u endur në iluzione, sesa në realitet:

Prapë më ndjek udha
Gjarpër që del nga kulla
(Zhargina, f. 116)

Në këtë ikje poeti, i vetëdijshshëm për qenien e tij kombëtare, nuk mund të mos mendojë për Shqipërinë, për vendin amë, për shpresën e shqiptarëve se ajo do të bëjë diç për njerëzit e vet. Po Shqipëria nuk është vendi që i mbledh bijtë e saj të shpërndarë nëpër botë, sepse është kthyer në një ishull i cili bën monolog me veten: “U bëre ishull brenda vetes / Të ribëhesh duke u zhbërë gjithnjë”, ndërsa sa i përket historisë, shprehet se atë gjithnjë ia shkruan kopilët: “Historinë ta shkruan kopilët / E udha t’u mbyll në hanxharë” (Shqipëria, f. 62)
Po në këto përsiatje poeti hedh sytë pak më larg, pak më larg ishullit të quajtur Shqipëri, hedh sytë te Ballkani, i cili është i ndarë në kufij që ngjasojnë me majat e thikave dhe i cili është i mbushur me përrenj gjaku:

Kufinj
Gurë të ngulur si maja thikash
Përronj të ndërkryer gjaku
(Ballkani, f. 86)

Në një poezie tjetër shprehet absurditeti i një jete anormale, në të cilën subjektin lirik e vret absurditeti. Ndodh kjo në një rrugë në të cilën “jermërisht” njerëzit shkelin njëri-tjetrin. Fjala “padashur”, e përdorur në këtë poezi, shpreh ironinë, e cila në poezinë e Shaip Beqirit shkon krahas ligjërimit baladesk. Ironia dhe tonet baladeske janë gjithëpërfshirëse në poezinë e Shaip Beqirit:

Në ecjen tonë jermërisht
Duke shkelur padashur njëri tjetrin
Kapim miza dheu e flutura krahëshkruara
Dhe ua nxjerrim sytë me thonjtë tanë
Duke i lëshuar ndër orbita të tjera
(Gjahu përrallor, f. 118)

Poezitë në të cilat jepen momentet e largimit nga atdheu dhe ato në të cilat jepet jeta në mërgim, janë poezitë më të bukura dhe njëherësh më të dhimbshme të Shaip Beqirit. Këto poezi na e kujtojnë poezinë e poetëve të Rilindjes Kombëtare, si Ndre Mjeda e Gjergj Fishta, po na kujtojnë edhe baladat e poetit çam, Bilal Xhaferri:

Të mbetesha veç një gur
Një gur i vogël i lëmuar
Në bregun tënd prej rëre
Që e lëpin vala e madhe
Dhe një zog të bëhesha
Në johapësirën e ankthit tënd
(Nata e fundit në atdhe, f. 26)

Hapësira në poezinë e Shaip Beqirit jo rrallë shenjohet si johapësirë. Një rrënjë e lidh për tokën e tij subjektin lirik të poezisë së Shaip Beqirit. Humbja e hapësirës së vjetër, humbja e atdheut, nënkupton krijimin e një hapësire të re, ndërsa ferra shenjon hapësirën e lënë shkret. Koha është e armiqësuar nga njerëzit që iu ka rënë fati të jetojnë:

Ngadalë krijon hapësirë të re
Duke u përshkuar si krimbi
Nëpër kohën që na dëbon
(Therra në prag, f. 56)


Kudhër e përmbysur apo Mish i gjallë...

Subjekti lirik i poezisë së Shaip Beqirit, në fillim metaforizohet si “kudhër e përmbysur”, në të cilën farkëtohet fati i huaj, për të përfunduar në “mish të gjallë”. Sintagma “mish i gjallë”, duke u shkruar me disa ndryshime, e karakterizon më së miri subjektin lirik të poezisë së tij, por edhe të poezisë shqipe të viteve ’90, pra një zhveshje totale e tij: “zhveshje deri në asht”, “mish i gjallë” “i tëri mish i gjallë”. Po edhe mbyllja në vete ndodh si “mish i gjallë”, si një qenie që del jashtë lëkurës së saj:

Mish i gjallë
Dilnim nga lëkurat tona
Dhe ndryheshim në kullë
(Dytëshori, f. 36)

Subjekti lirik i poezisë së Shaip Beqirit jeton në mes të të kundërtave, në mes atdheut që e ka lënë pas dhe Perëndimit. Sjellje rreth vetes si përpjekje për ta ruajtur identitetin individual dhe kombëtar dhe si rezultat i kësaj përpjekjeje kthimi i tij në “mish të gjallë”. Edhe kur arrin të çlirohet nga ëndrrat, ai nuk mund të lirohet nga malli për atdheun e tij:

Po sillem rrotull vetes
I tëri mish i gjallë
Çmbrehur nga ëndrrat
Sall në mall mbërthyer
(Zhargina, f. 116)

Ky subjekt “mish i gjallë”, atdheun e vesh në vend të lëkurës, ose e vesh atë si këmishë të të çmendurit: “Të mvesha në vend të lëkurës / Këmishë të çmenduri të mbërtheva” (Nata e fundit në atdhe, f. 26). Më tej, jeta e tij kalon në iluzione dhe në mirazhe:

Papritur më regëtin një fije drite
Që më shpur matanë kulisave
Ku rrah çurgu lëbyrës i ditës
Me kujtimin ujor të kësaj bote
(Prapa kulisave të territ, f. 46)

Jeton me dyshimin për të ardhmen e vet, por edhe me shpresën se nuk do të tëhuajësohet në botë, nuk do të shkrihet në të, por do të qëndrojë në identitetin që e ka. Kapja për rrënjën, përpjekjet për të mos u tretur në këtë botë të trazuar, e mbajnë me shpresë në jetën e përditshme këtë subjekt lirik.
Poezia moderne është poezi e imazheve, po edhe e metamorfozave. Për t’i përballuar tëhuajësimit, subjekti lirik i poezisë së Shaip Beqirit shpëtimin e gjen te kthimi i tij në diçka të pandjeshme, në diçka që i bën ballë kohës - kthimi i tij në gur:

Nëpër streha psherëtimash
Po ik duke u kthyer në një gur
Nën të cilin nuk rritet bari
As gjarpri s’fle kurrë (f. 24)


Përfundim

Në vëllimin poetik “Hidra e mllefit”, të poetit Shaip Beqiri, ka mjaft poezi të cilat i regjistrohen në mendje lexuesit, vetvetiu, për të mbetur aty për një kohë të gjatë si kujtesë e një kohe me ngritje e rënie të mëdha, me përpjekje e dështime të vazhdueshme, me iluzione e deziluzione të shumta. 
Subjekti lirik i poezive të Shaip Beqirit është ai i poezisë së sotme shqipe të viteve ’90. Ai është një njeri i zhveshur nga gjithçka, por në të njëjtën kohë në kërkim të gjithçkaje që i është marrë, në kërkim të “veshjes” së tij, të qeniesimit të tij në kohë dhe hapësirë. Ai është një njeri që shkon drejt hanxharit (Xhelati im i ngopur, f. 90). Njeri që jeton në mes ëndrrave e mallit, në mes dyshimeve dhe besnikërisë, në mes Atdheut e Perëndimit, në mes dritës dhe errësirës, ndërmjet rrufeve e fjalës, udhëtim nëpër kurthet që i ngrehen nga të tjerët, 
Të kundërtat, në mes të të cilave jeton ky subjekti lirik i poezive të vëllimit poetik “Hidra e mllefit”, në rrafshin formal janë të shprehura përmes paralelizmave opozicionalë, ndërsa në atë përmbajtësor përmes tingujve baladeskë, të shoqëruar me ironi. Ndërsa vetë poezia e tij është poezi e imazhit surrealist, sepse subjekti i cili është bartës i frymës së saj jeton në një realitet i cili duke u shprishur i humbet format reale, duke u kthyer kështu në një pamje surreale. Pra, gjithë ajo që shprishet para syve të këtij subjekti lirik, merr pamje fantastike në vargjet e poetit Shaip Beqiri, pamje poetike, në të cilat krijohet një botë sa surreale, aq edhe baladore, duke e ruajtur kështu imazhin autokton të surreales.

Prishtinë, Janar 2015


______________________________


Nga: Bujar Salihu

RRUFEJA POETIKE E MLLEFIT

Shaip Beqiri: Hidra e mllefit / Hydra des Zorns, Limmat Verlag, 2014, Zürich

Ky libër nuk është i imi
As i dhembjeve të huaja

Pa dyshimin më të vogël, këtë libër e lexova si librin tim të pashkruar; pa ashtu pa asnjë mëdyshje në këtë liber i takova edhe të gjitha dhembjet e mia, sepse ky libër më kujtoi zhapëllimat, sidomos ato të stinës së gjetheve të rëna, sepse ky është libër i rënë nga dega e thyer e mllefit, është përfundimisht i dhembjeve të mia të mira, sepse prapë më ndjek udha dhe ai gjarpri që del nga kulla. 
Ky është libri i flatrave të shogura të fjalës prapa një bjeshke të madhe, aty ku mbaron edhe rrëfimi i përrallës, një udhëpërshkrim i rëndë dhe i mundimshëm, që të gjithë e kemi të freskët; një libër sikur të ishte shkruar në faqet e bardha të një guri të moçëm, sikur të ishte shkruar pikërisht mbrëmë...
Hidra e mllefit është ndërthurur në katër cikle: "Purpuri i muzgut të mbramë", "Endja galaktikave të dehura", "Rekuiem gjakut të kukullave" dhe "Pëlhura në kryq të bardhë". Nuk është e rastësishme që tri ciklet e para përmbyllen me nga një poezi që titull kanë vitet e vlimeve të mëdha, 1981, 1989 dhe 1998.
Na u desh një lexim i kujdesshëm për të parë se që të tria këto poezi kanë një lidhje organike të qëllimshme, apo thënë ndryshe janë vazhdim i njëra tjetrës. Kjo hetohet sidomos me faktin që vargu i fundit i poezisë së parë është vargu i parë i poezisë së dytë dhe vargu i fundit i poezisë së dytë është vargu i parë i poezisë së tretë, gjë që analogjikisht del se ’98-ta ishte vazhdim i ’89-es sikurse që edhe ’89-ta ishte vazhdim i ’81-es.
Kjo më së miri mund të ilustrohet me vargjet:

I çel udhë pranverës drejt zemrës sime
Flatër e ndezur gjak duke kulluar
Mbi shtatë shtylla vdekjesh

Tek parafrazimi i mësipërm kemi tri vargje që i shkëputëm nga tri poezitë emblematike të këtij libri. Siç vërejmë këtu poeti ka ndërtuar rrëfimin e tij momumental, si ligjërim poetik në njërën anë dhe si refleksion historiko-social në anën tjetër, me një drejtpeshim të kujdesshëm, të denjë dhe faktik… Një shembull i mirë që na kujton teorinë e Aristotelit për raportin në mes të historisë dhe letërsisë, të poezisë në këtë rast.

Cikli i parë "Purpuri i muzgut të mbramë" fillon me poezinë "Ritmi e asgjë" ku Beqiri konstaton se erdhi koha të hyjmë në lëkurën e njëri tjetrit, të zhvishemi deri në asht, në sytë e njëri tjetrit të shikohemi thellë, si në një pasqyrë të thyer… Pra që në fillim kemi një thirrje realiste që himnizon dashurinë, një fillim të ri, gdhirje të re me dritare të hapur, e që papritur në fund kemi një thirrje sa metaforike po aq edhe dramatike:

Koha është të vdesim moj
Ende pa jetuar
(Ritmi e asgjë, f. 12, 14)

Ciklin e dytë „Endje galaktikave të dehura“ e dominojnë poezitë e temave të mëdha, siç janë: „Flamuri“, „Kosova“, „Shqipëria“ poezia për Drinin e ndonjë tjetër, të cilat, siç thamë, jo vetëm që janë tema të mëdha por edhe janë realizime monumentale, të rralla e të veçanta në letërsinë shqipe:

Mes dy dhembjeve të mia
Çeli trëndafili yt i zi

(Shqipëria, f. 62 )

apo:

E kisha edhe një flamur
Që e mbaja në gjysmështizë

(Flamuri, f. 58)

Besoj se citimet e mësipërme shpalosin përmasat e thella të dramës së madhe kombërare nëpër të cilat kaluam…
Gati të gjitha poezitë e këtij cikli kanë veçantitë e veta jo vetëm të natyrës gjuhësore e stilistike, por edhe tematike, përderisa Gjysmëbiseda“ dhe „Dytëshori“ kanë një ngjashmëri tematike, edhe pse tek e para kemi një bisedë imagijnare, por tejet të ndjerë që korrespondon jashtëzakonisht mirë edhe me fatin e heroit lirik (Martin Camaj) në këtë poezi dhe anatemimin e tij:

Sharrëxhinj po të ishim
Ditës do t’ia prenim gjunjtë
Diku thellë në pyllin e hijeve

(Gjysmëbiseda, f. 34)

Në ciklin e tretë kemi një grindje metaforike me antiheroin, me atë që është vënë në djegie të së vërtetës, në beteja të përgjakshme mes gurëve të vendosur si maja thikash, në vënie mburojash nga ajo lukunia e tërbuar e ujqve të stepës:

Në të njëjtën pjatë shqyenim
Mishin e gjallë të jetës
Për fitoret e vdekjes

(Xhelati im i ngopur, f. 90)

Në ciklin e fundit të titulluar „Pëlhura në kryq të bardhë“, tek e cila figurativisht na përftyrohet flamuri zviceran, pra Zvicra, ku tani e njëzet vjet autori jeton e krijon, është mbase pjesa më e mllefshme e librit; Zvicra, ky vend i mrekullive, nuk është tjetër përveç një cengë që i lidh gojën autorit të saj të gjallë. Zvicra del të jetë një dritë e humbur, një fatamorganë... Gati të gjitha poezitë e këtij cikli janë shkruar në pëlhurën me kryq të bardhë, duke ia bërë edhe varrin të bardhë…

Nëse do të duhej të përfytyronim një libër me bukuri të rralla artistike, të cilët i hasim relativisht rallë, do të thosha se „Hidra e mllefit“ jo vetëm që është një befasi e këndshme, por ajo para së gjithash është një mësim i mirë jo vetëm për ata që lexojnë poezi, por edhe për ata që e shkruajnë atë. Këtë libër e karakterizon një ligjërim shumë i veçantë, skajshmërisht origjinal, me një thellësi meditative, me gjerërsi tematike e saktësi poetike të rralla, diçka që në qasje herë të kujton Fishtën e herë Lasgushin; një libër që rri shumë pranë dy librave poetikë më të bukur e më të realizuar në poezinë bashkëkohëse të krijuar në letërsinë shqipe në Kosovë: „Lum Lumi“ i Ali Podrimjes dhe „Lirikë me shi“ i Azem Shkrelit.
Por, çka në të vërtetë e karakterizon poezinë e Shaip Beqirit? Janë disa veçanti të saj që dua t`i shtroj në vazhdim:


1. Gjuha poetike

Gjuha që ka zgjedhur Beqiri, apo më saktë thënë, gjuha që ka krijuar në poezinë e tij ky poet, është një gjuhë e kulluar me kujdesin dhe përkushtimin më të madh krijues. Ajo të lë përshtypjen e një poezie të përkryer në rrafshin gjuhësor, e tillë siç e kishte cilësuar me kohë Ibrahim Rugova: „Poezi e disiplinës së saktësisë poetike dhe logjike, që ndryshe mund edhe të cilësohet si harmoni e mirë midis saktësisë poetike dhe imagjinatës racionale“. Pra, është një gjuhë estetikisht ekselente, me shumësi koloriteti imagjinativ, me çka është e mundshme të përshkruhen edhe gjëra të cilat në dukje janë të papërshkueshme; u kuptuam se kjo arrihet falë një gjuhe interpretative, një vokabulari të rrallë e shumë të pasur të poezisë së Shaip Beqirit.

Në grahmën time urdhrin e dhashë me një rrufe 
Dhe midis dy gurëve të padukshëm rashë përdhe

(Nemitja, f. 108)


2. Stili

Identifikueshmëria stilistike e Beqirit është tashmë e njohur në letrat shqipe falë homogjenitetit të tij krijues. Pavarësisht se çfarë teme trajton në poezinë e vet, gjithnjë kemi të bëjmë me besnikëri stilistike jo vetëm të individualitetit krijues, të origjinalitetit të tij krijues, por edhe të përpikshmërisë teorike-stilistike. Pra rrafshin stilistik Beqiri e ka zotëruar përmes një lirizmi deri në himnizim, dhe kjo vërehet që nga poezia e parë e deri tek ajo e fundit e librit, pa lejuar as më të voglën rrëshqitje.


3.Vlerat e përbotshme apo perlat letrare

Po qe se flasim për vlerat letrare të këtij libri poetik, mbase fare lehtë mund të konkludojmë se Shaip Beqiri ka arritur që diskursin e vet letrar ta shfaqë suksesshëm në arenën e madhe të letrave:

Oh 
Të mbetesha veç një gur 
Një gur i vogël i lëmuar 
Në bregun tënd prej rëre 
Që e lëpin vala e madhe

(Nata e fundit në atdhe, f. 26, 28)

Vargjet që cituam më lart mbase dëshmojnë për vlera të papërsëritshme, unike që në vete bartin mllefin e madh, por më parë janë një qortim vetvetes. Kjo poezi si e tillë mbase është përshkrimi më i mirë i mundshëm i ndjenjës së rëndë të çdonjërit që ka bërë natën e fundit në atdhe. Poezitë si kjo janë të rralla dhe gati të papërsëritshme. Personalisht atë do ta konsideroja si poezinë më të realizuar që kam lexuar ndonjëherë për plagën e madhe të mërgimit. Por poezi të tilla në këtë libër kemi shumë dhe, për kënaqësinë tonë, do doja që në vazhdim të shkëpus edhe dy momente të tjara që gjithashtu na dalin të jenë në majat poetike të letrave shqipe:

Ndonjëherë më jepet
Të kthehem nën strehën time të parë
Të shoh të mbramin muzg duke rënë 
Sipër muranës ku çdo gjë timen kam vënë

(Murana, f. 22)

Janë këto vargjet që shprehin aktin tjetër të dramës shpirtërore, por tani nga bregu tjetër, pas asaj që, siç do thoshte poeti, tani që këmësha e mërgimit ngadalë po ia nxë frymën dhe kjo nuk është gjë tjetër vetëm se një gjendeje e pashpresë, plot mllef:

Vetëm njërën e bart me vete
Edhe kur e zhvesh këmishën e lëkurën
Ajo do të gjëllijë në mua edhe pasi të më ndalet fryma

(Murana, f. 22)



4.Tema dhe mesazhi poetik

Janë të shumta e të nduarndurta temat që ka trajtuar Shaip Beqiri në këtë libër: aty ka konstatime të rënda, dialogë të vështirë, kujtime të plagosura, rënkime të thella, thirrje, përshkrime të përkryera të plagëve që nuk po mbyllen, kërkim rrugëdaljesh, monologë netësh të gjata në pritje të dritës që po vonohet... Dhe të gjitha këto ai i gdhend me një mjeshtëri gjuhe metaforike dhe me gjetje të përsosur idiomatike.

Në jetën time të thyeshme
Përnatë kapërcej pragun e ëndrrës
Dhe dal në tjetër planet

(Balasti, f. 20)


5. Përfundim

Është fat i mirë që „Hidra e mllefit“, falë përkthimit brilant të Hans-Joachim Lanksch, pa dritën e botimit edhe në gjuhën gjermane.
Hidra e mllefit është kufoma e gjallë e mllefit tonë të papërfunduar!

Zürich, 25.10.2014

Samstag, 13. Mai 2017

Nјë laptop për Radio LIRIA

Nga Unioni i Shoqatave Shqiptare për Austri të Epërme


Radio LIRIA, si çdo radio tjetër në fillim të punës së saj, ka pasur dhe vazhdon të ketë mungesë të mjeteve të nevojshme teknike për transmetim normal e pa probleme. Në Studion qëndrore të kësaj radio është filluar puna me një laptop privat  të blerë para katër vitesh dhe me një kompjuter shtepiak të huazuar qe është më se 10 vjet i vjeter.
Тë vetmet gjera që i ka të reja dhe që janë blerë me mjete vetjake janë këto: minikonzola e pultit të transmetimit, mikrofonet e lirë, kabllot dhe disqet për arkivimin e materialeve për transmetim dhe përforcuesi i internetit. 

Përkunder kushteve të vështira dhe falë vullnetit, kjo radio që në fillim ka dëshmuar se mund të bëj punë të mira për çka janë bindur edhe dëgjuesit saj. Janë krijuar edhe tri studio tjera të kësaj radio. Është krijuar stdudio në Tirane që udhëhiqet nga poetja e nderuar Alketa Maksuti Beqari. Ështe krijuar studio në Frankfurt të Gjermanisë e cila udhëheqet nga gazetari, publicisti dhe letrari Miftar Dragidella. Ështe në krijim e siper edhe studio në Suedi që do të udhehiqet nga gazetari dhe shkrimtari i njohur Rizah Sheqiri. Dhe, janë duke u bërë përpjekje edhe për krijimin e disa sstudiove tjera. Por përkunder vullnetit dhe dëshirës, mungesa e mjeteve të nevojshme teknike të punës, e bën të pa mundur realizimin e synimeve që i ka Radio Liria dhe stafi i saj.

Radio LIRIA është radio e re dhe nuk ka donacione, ashtu si i kane radiot tjera simotra. Ajo ka nevojë për gjera më elementare. Për shembull, studio qendrore ka nevojë për një kompjuter të ri shtëpiak, ka nevojë për një miksetë profesionale, ka nevojë për dy mikrofona profesional për pultin e transmetimit, ka nevojë për një diktafon profesional për bërjen e bisedave apo intervistave,

Edhe tri studiot tjera të krijuara ne Tiranë, Gjermani dhe Suedi, për të berë punën e tyret, duhet të kenë së paku nga një minimiksete, nga një mikrofon dhe degjojset; duke llogaritur se do të punojne fillimisht me laptopet apo kompjuteret e tyre përsonal. Kostoja për blerjen e gjerave më elementare për funksionimin si duhet të një studio, jashte studios qëndrore, e arrine shumën 400-500 Euro. Kjo do të thotë se për funksionimin normal të tri studiove alternative, jashtë nevojave që ka studio qëndrore, kërkohet një investim prej 1500 euro; shumë kjo e pa përballueshme për një radio që është në fillim të punës së saj.

Fillimisht, theleuesi ka investuar mbi 2000 Euro mjete vetjake. Mëpastaj, veprimtari i shquar dhe kryetari i Shoqates “Selina” z. Fehmi Spahiu e ka ndimuar themelimin kësaj radio me 600 Euro, duke ia paguar ato vet firmës që përkujdeset për serverin e Radio Lirisë. Njëherësh, duhet cekur se z. Fehmi Spahiu, dërgimi i mjeteve të pronari i firmës që bën mirëmbajtjën e serverit, i ka kushtuar edhe 30 Euro shtesë.

Duke qenë të informuar për kushtet në të cilat radio e ka filluar punën dhe për përpjekjet që është duke bërë stafi i saj, Unioni i Shqatave Shqiptare për Austri të Epërme kishte marrur vendim për ta ndihmuar Radio Lirinë. Keshtu, ata e blenë dhe ia dhuruan Radio Lirisë një laptop të ri në vlerë 399.99 Euro.

Kësisoj, dje më 13. 05. 2017, sekletari i këtij Unioni z. Imer Aliu bashkë më dy anëtarë të kryesisë, z. Fehmi Spahiu dhe z. Besart Ramabaja, ia dorzuan zyrtarisht laptopin kryeredaktorit të Radio LIRIA, z. Haxhi Muhaxheri.

Ndaj, falënderime të përzemërta për Uninonin e Shoqatave Shqiptare për Austri të Epërme, për të gjithë anëtarët e vyer të këtij Unioni dhe mbarësi në veprimtarinë e tyre fisnike!

Stafi i Radio LIRIA

14. 05. 2017 

Montag, 8. Mai 2017

Aziz Ndreu, rapsodi që i jepte shpirt këngës folklorike.

(1928-2000)

Aziz Ndreu është njëri nga rapsodët emblematikë të kombit tonë, emri i Aziz Ndreut qëndron në radhët e të parëve me Tom Nikollën, Dervish Shaqën, Frrok Haxhinë, Sali Manin, Feride Kurtin, Fatime Sokolin, Dava Gjergjin, Drane Gegën e shumë të tjerë.

Haziz Ndreu kishte origjinë prej një familje me tradita të rezistencës kombëtare, por edhe me traditë në këndimin e këngëve të trimërisë. Në saje të angazhimit dhe talentit që kishte derdhur në këndimin e këngëve dhe interpretimin e shkëlqyer me çifteli, Aziz Ndreu ishte shpallur “Artist i merituar”. Në moshë të re është angazhuar si këngëtar popullor në Shtëpinë e Kulturës, në Peshkopi. Ka qenë i afirmuar si këngëtar popullor në nivel kombëtar. Ka marrë pjesë në Festivalin e këngës, muzikës dhe valles në Tiranë më 25-27 nëntor të vitit 1959, ku vlerësohet me çmimin e lartë, “Rapsod popullor”. Pas kësaj, merr pjesë rregullisht në të gjitha festivalet folklorike të Gjirokastrës dhe në Festivalin e këngës popullore të Beratit, në vitin 1995.

Këngët e rapsodit dibran, Aziz Ndreu janë të veçanta në shumë segmente krijuese dhe interpretuese. Për dallim nga rapsodët e tjerë që kanë krijuar e kënduar dhjetra e qindra këngë, albumi i këngëve të tij duket modest, por origjininaliteti i këngës së tij është tej mase i veçantë, qoftë me zërin burrëror, të lindur apo të trashëguar, qoftë me përzgjedhjen e këngëve, meqë ai ka kënduar vetëm këngë historike dhe këngë trimërie, qoftë me melodinë dhe kompozimin e shquar artistik, qoftë me mënyrën arkaike të të kënduarit, qoftë me forcën e brendshme shpirtërore, mobilizuese, që iu ka dhënë këngëve.

Aziz Ndreu nuk ka kënduar shumë këngë, por të gjitha këngët e tij janë antologjike, të gjitha këngët e tij janë këngë të krenarisë kombëtare, këngë që kurrë nuk harrohen, kurrë nuk vjetërohen. Sapo ta dëgjosh këngën e Hajredin Pashës, pavarësisht se kush e këndon dhe pavarësisht sa mundohet ta këndojë mirë e më mirë, nuk ka si të mos kujtohet origjinali, të cilit askush deri sot nuk iu ka afruar.
Në këtë këngë ai ka bërë bashkë zërat kushtrimtarë si uraganë të ndezur flakë të Lumës e Dibrës, zërimin mobilizues të masave të revoltuara shqiptare kundër mbretit të Turqisë, ka intonuar zërin më të fuqishëm të mundshëm të kushtrimit të furisë kryengritëse, të ndeshjeve për jetë a vdekje, zërin e ngadhënjimit çlirimtar, në anën tjetër ka segmentuar edhe zërin e qyqes, të pashait, i cili vajton fatin e zi, vajton atin e ushtarët, derisa përmes zërit të malësorëve dibranë i bëhet me dije pashait se Dibra nuk është Selanëjk e as Përlep, por është një termopile e Shqipërisë, e cila u la në gjak vjet për vjet, por kurrë nuk u mposht dhe kurrë nuk u shua.

Heroizmi me të cilin e përthekon strukturën e këngës, Aziz Ndreu, pastaj forca mobilizuese me të cilën e mban gjallë nga fjala në fjalë, nga rreshti në rresht, nga strofa në strofë, krijojnë tërësinë emblemë të këngës, e cila jeton përgjithmonë, meqë edhe është krijuar për të qenë një këngë e tillë, një këngë e përjetshme që ka vulosur në kujtesën e kombit vetëm njërën prej 400 betejave të Shqipërisë kundër Perandorisë më të madhe të botës, kundër Perandorisë osmane.

Ritmi dhe gradacioni artistik i kësaj kënge të sjell në kujtesë hapërimin e kalorësve që shkojnë drejt vdjekjes, sjellin në kujtesë kushtrimin e mobilizimin popullor, për të mos lejuar ushtrinë pushtuese t’i shkel trojet, sa e sa herë të lara me gjakun e trimave dhe trimëreshave.

Këngëtari popullor, po me të njëjtën mënyrë këndimi qësendis edhe pashanë turk, i cili pendohet për ndërmarrjen luftarake, duke përjetuar thellë humbjen drastike e tragjike në fushë të betejës, atje ku kishte hapur varre për ushtarët e tij, atje ku ushtria e tij ishte bërë mish për korba dhe kishte mbetur nëpër llogore, në Grykë të Radikës, atje ku i kishte mbetur tërë ordia. Rapsodi nuk i qesëndis as i lëndon ushtarët e mjerë, që i kishin bërë mish për top. Ai, dhembjen për ta e shpreh përmes gojës së pashait, i cili vajton fatin e vet të zi, por edhe humbjen e qindëra ushtarëve.

Kjo këngë epike-heroike, përveç forcës mobilizuese, ka edhe një melododi mahnitëse që të rrëmben si një forcë magnetike, duke të mbërthyer në botën e heroikes dhe tragjikes, duke të sjellë në kujtesë dhembjen bashkë me krenarinë.

Aziz Ndreu me pietet të këngëtarit kushtrimtar i ka kënduar edhe kryetrimit të Lumës e të Shqipërisë, luftëtarit të përkushtuar Elez Isufi, i cili “në malet e Lurës dhe të Korabit, fushën e mbushi me shapka të krajlit”.

Në këtë këngë historike i këndon bëmave të dy komandantëve popullorë, Elez Isufi dhe Isuf Xhelili, të cilët me malësorët dibranë e lumjanë u dolën para hordhive serbe e ruse, që po depërtonin nëpër malet e Shqipërisë, me qëllim për ta pushtuar e për ta shfarosur gjatë kohës së Luftërave Ballkanike. Edhe pse ishte një luftë krejt e pabarabartë, lumjanët e dibranët luftuan ashtu sikur spartanët dikur, meqë kishin Elez Isufin e Isuf Xhelilin

Ka punuar me zell në fushën e historisë, ku ka dhënë kontribut të vyer në mbledhjen e të dhënave gojore e dokumentare për ngjarje të rëndësishme të luftërave popullore e figurative atdhetare me të cilat ka referuar në sesione shkencore e simpoziume brenda dhe jashtë vendit.
___________
Teksti është marrur nga teksteshqip,com
Titulli është i Redaksisë së Radio LIRIA

Sonntag, 2. April 2017

Risi në Radio Liria - Të enjten fillon punën studio në Tiranë.

Pas krijimit të studios në Frankfurt të Gjermanise të udhëhequr nga gazetari Miftar Dragidella, të enjten më 06.04.2017 në ora 20:30, fillon punës edhe studio e kësaj radio në kyeqytetin e Republikës së Shqipërisë, në Tiranë. 
Nga kryeqyteti shqiptar do të paraqitet drejtpërdrejt me emisionin e saj të parë në Radio LIRIA, udhëheqja e studios së kësaj radio në Tiranë, z. Alketa Maksuti - Beqari.
Mbarësi dhe suksese!  

Alketa Maksuti Beqari, lindi në Drithas të Korçës në vitin 1971. Ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universiteti i Tiranës në vitin 2011. Vazhdon Postmaster për Energji të Rinovueshme në TU, Vjenë. Pasioni i saj është letërsia, publiçistika dhe Radio.
Në vitin 2000 ka botuar librin me poezi “ Parametra”.
Në 2014 dhe 2015 në Teatrin  Eksperimental “Kujtim Spahivogli" dhe në Teatrin Kombëtar është vendosur në skenë drama e saj me titull ”Premtimi”.
Në qershor 2016 ka marr pjesë në Sesionin Shkencor mbi Gjuhën Shqipe e organizuar nga Klubi Letrar Podguri me organizator z. Nuradin Imeraj në Istog si e ftuar nga Shqipëria.
Ajo thotë: “Fizika dhe Letërsia, Arti ushqejnë njëra – tjetrën, prandaj i dua”.

Donnerstag, 30. März 2017

Rapsodi që këndoj edhe përballë armëve të pushtuesit

Shaban Shishmani, rapsodi që nuk e ndali këngën as përballë armëve të pushtuesit.

Rapsodi Shaban Shishmani do të këndoj live 
në Radio LIRIA, të premten (31.03.2017) nga ora 21:00, 
në emisionin "Yje të muzikës folklorike".

Nga: Haxhi Muhaxheri

Rapsodi ynë i njohur Shaban Shishmani lindi në vitin 1948 në fshatin Shishman, komuna e Gjakovës. Ka filluar te këndoj në moshë shumë të re, që kur ishte 11 vjeçar; duke vazhduar mëpastaj të këmdoj ndper oda burrash dhe gazmende familjare.

Kështu, pas disa vitesh, Shaban Shishmani bëhet anëtarë i Shoqërisë Kulturore Artistike “Ganimete Terbeshi” ku bashkë me këngëtarët tjerë që ishin anëtare të kësaj shoqërie si: Shkelzen Jetishi, Mazllum Morina, Zenel Doli, Ismet Bytyqi etj., merr pjesë në manifestime të ndryshme në vitet e 80-ta, ku paraqitej denjësisht me këngët folklorike që i këndonte.

Po ashtu, rapsodi i ka të paharrueshme edhe çastet kur këndonte bashkë me këngëtaret Sokol Syla dhe Nexhmedin Syla.  Njëherit, Shaban Shishmani i përmend me respect edhe koleget me të cilët ka kënduar në evente të ndryshme kulturore dhe neper dasma, si: Muhamet Sejdiu, Zenel Ymeri, Ndrec Gojani, Tafil Agaj, Islam Hasi, Miftar Meta, Besim Avdyli, Sadik Kuçi etj.

Rapsodi Shaban Shishmani ka kënduar pothuaj në të gjitha trevat e Kosvës. Mandej në Shqipëri, në Maqedoni dhe shtete të Europës, si: Austri, Gjermani, Zvicer, Belgjikë etj.

Në vitin 2001 në Shqipëri, paraqitja e Shaban Shishmanit me grupin folkloric vlerësohet me vendin e pare. Kurse pas shtatë vitesh, në  Festivalin e Gjirokastrës, paraqitet denjësisht bashkë me grupin folklorik dhe kënga e tyre kushtuar Bajram Currit, edhe kësaj radhe vlerësohet me vendin e parë.

Shabani, gjate karierës së tij, ka pasur fatin të këndoj edhe me rapsodet me të njohur të kohës, si: Shaqë Avdia, Lan Dobra, Bajrush Doda, Augustin Uka, Idriz Luma, Marash Krasniqi, Tahir Drenica, Ibish Mulaku etj.

Shaban Shishmani nuk e ka ndalur këngën edhe kur ndonjëherë policia serbe ia ka mbajtur grykën e armës në fyt, siç ka ndodhur kur ishte duke e kënduar këngën për Sylejman Vokshin në ditën e shkollës që e mbanë me krenari kwtë emer në Smolicë të Gjakovës.

Ky është Shaban Shishmani, rapsodi ynë që gjithmonë na ka gezoar me këngët e tij, të cilave u jepte shpirt. Ky është Shaban Shishmani që gjatë gjithë jetës ju këndoj dhe vazhdon tu këndoj me shumë dashuri e respekt ngarjeve historike dhe dëshoreve të kombit.

Ky është Shaban Shishmani që njëkohësisht, nuk nguron për ti kënduar as dashurisë, ashtu si i kanë kënduar edhe rapsodet me të njohur shqiptarë, si: Dërvish Shaqa, Rizah Bllaca, Salih e Feriz Krasniqi, Lan Dobra, Brahim Uka, Bajrush Doda, Augustin Uka etj.

Përkunder faktit se është në moshën 69-vjeçare, rapsodi Shaban Shishmani është mjaft vital dhe asnjëherë nuk e ka tradhëtuar zëri. Madje, zëri i tij edhe sot e kësaj dite jehon aq fuqishëm sa shumëkush mund t’ja ketë zili.

31.03.2017

Dienstag, 7. März 2017

Radio Liria: KËRKOJMË BASHKËPUNËTORË - FOLËS


Radio LIRIA është krijuar për ju. Ndaj, pasi jemi duke e bërë kompletimin e stafit, vendosëm që publikisht të kërkojmë bashkëpunëtorë për udhëheqjen apo moderimin e emisioneve.

Moderator për  "Emisioni i mëngjesit"
Moderator për  „Emisioni e natës“.
Moderator për  "Emisioni për fëmijë
Moderator për emisionin "Zëri i mërgatës"
Moderator për emisionin "Fjala artistike"
Moderator për emision "Ora e Çamërisë"
Moderator për emisionin "Personazhi i javës" dhe emisione tjera.

Ata që dëshirojnë të jenë folës (moderator) në Radio LIRIA, duhet të flasin rrjedhshëm, të kenë kulturë komunikimi dhe zë radiofonik.

Të gjithë të interesuarit mund të na shkruajnë në adresen: radioliria@hotmail.com

Përparësi kanë ata që e njohin natyrën e punës së moderatorit dhe që kanë moderuar në ndonjë radio tjetër.

Për të bashkëpunuar me radio, duhet të keni lidhje interneti, një kompjuter apo leptop, një mikrofon, dëgjojset dhe vullnet. Punën në radio mund ta bëni nga shtëpia e juaj, duke ia paracaktuar vetës kohen, orën apo ditën kur ju jeni të lirë dhe nuk keni obligime tjera të domosdoshme. Pas kësaj, në bazë të skemës programore, ju duhet të përcaktoheni se ku mund të jepni kontributin tuaj, në cilin emision të radios... Së këndejmi, ju mund të keni edhe ndonjë emision tuajin dhe të jeni autorë i atij emisioni, duke e krijuar edhe rrjetin tuaj të bashkëpunëtorëve.

Shumica e radiove, sikur se edhe ne, për emisione kantakrti përdorim Skypen, sepse jep mundësi për komunikim në grup, për bashkëbisedim me dëgjuesit dhe për biseda me mysafirë apo intervista të drejtperdrejta në radio.

Nese jeni të gatshem dhe keni vullnet, ne ua krijojmë kodin me të cilin mund të hyni drejtperdrejt në radio për ta mbajtur apo moderuar emisionin tuaj. Kodi krijohet nga administratori ekskluzivisht për ju dhe mund të përdoret vetem nga ju. Kësisoj, përderisa ju të jeni duke e moderuar dhe transmetuar emisioni tuj, nuk ka mundësi për të hyre apo për të ju penguar askush nga bashkëpunëtoret tjerë. Vetem pasi jua ta keni kryer transmetimin e emisionit tuaj, atherë i jepet mundësia për të hyrë moderatorit tjeter që ta filloj transmetimin e emisionit të radhës. Ndërsa, pasi ju të keni dalur nga radio dhe deri në emisionin e radhes, aktivizohet vet muzika që shkon automatikisht nga serveri dhe fonoteka. Kështu, radio vazhdon të jetë 24 orë në transmetim.

Së fundmi, ju njoftojmë se Radio Liria është Radio e Internetit e krijuar ne fillim të këtij viti, nuk financohet nga askush dhe e gjithë puna bëhët në baza vullnetare,

Radio LIRIA është e hapur për të gjithë. Ndaj, mos nguroni për ta dëshmuar dhe shprehur talentin tuaj!

Ju mirëpresim!

07. 03. 2017




Freitag, 3. März 2017

Në Radio Liria - Emision special për rapsodin Agim Gashi

Ditën e shtunë më 04. 03. 2017 nga ora 20:30 në Radio Liria do të jepet një emision special kushtuar rapsodit të njohur, poetit dhe veprimtarit të shquar Agim Gashi. Të gjithë ata që e duan, e respektojne dhe e njohin veprimtarinë Agim Gashit dhe që dëshirojnë të kontribojnë në këtë emision, i mirëpresim.

Skype: Radio Liria
Tel. dhe Viber: +43 664 7544 6000
Mund te lidheni edhe pasi të keni hyrë në portalin  http://radioliria.com, duke klikuar mbi logon e Skypes që gjendet në krahun e djathë të portalit apo mbi linkun e shenuar më lartë.

Ju mirëpresim!




Biografia e Agim Gashit

Agim Gashi lindi më 27.07.1954 në fashatin Akllap të Komunës së Lipjanit. Shkollën fillore katër klasëshe e kreu në vendlindje, ndersa katër klasët tjera në Janjevë dhe Sllovi. Akademinë e mësuesisë e kreu në vitin 1973 dhe u punoj si mësues, në fshatin e lindjes dhe mëpastaj në Janjevë. Ndërkohë vazhdoi studimet në gjuhë dhe letërsi.


Meqenëse Agimi në shpirt e kishte këngën dhe muzikën, që nga viti 1973 ishte edhe këngëtar i rregull i RTP-së. Kjo e rrëmben për ta shkëputë nga studimet dhe për të vazhduar shkollimin e zërit tek profesori i njohur Terpkov nga Shkupi, që ishte baritonisti më i njohur i kohës. Në këtë periudhë, Agimi merret me folklorin dhe ishte bashkpuntor i jashtëm i Institutit Albanologjik të Prishtinës, seksioni i etnomuzikologjisë dhe i folklorit. Aty pati rastin të bashkpunoj ngusht me Prof. Anton Çetten, Bahtrir Shehollin, Anton Berishen, Dr. Zekiria Canen, Rexhep Munishin etj. Krahas këngës, Agimi merrej edhe me letërsi. Poezinë e parë Agimi e botoi në moshën dhjetë vjeçare në gazetën „Pionieri“.

Jasht veprimtarive kulturore. Agimi merr pjesë edhe në protestat dhe demonstratat e vititi 1968, 1981, 1989 etj. Kjo bëi që ai nga regjimi komunist të denohet me vite burgim, maltretohet, persekutohet dhe izolohet. Përderisa në fund në janarin e vitit 1994 ai detyrohet të marrë rrugën e mërgimit. Atij më 21 janar 1994 ia vrajnë djalin, Ninelin 17 vjeçar dhe që atëherë nuk i dihet as varri.

Agimi nuk e ndal aktivitetin asnjëherë Përseri merr pjese ne demostrata, ne pajtimin e gjaqeve dhe te gjitha veprimtarite atdhetare te kohës. Ai për ti përjetësuar ngjarjet historike te kombit, shkruante tekste dhe këndonte. Janë të njohura ëngët e tij kushtuar demostratave te vitit 1981, pajtimit të gjaqeve, 2 korrikut, Skënderbeut, Adem Jasharit, Ibrahim Rugovës, Nënës Tereze, Anton Çettës etj. Buçima e këngës së tij jehonte fuqishëm në të gjitha trojet etnike. 


Agim Gashi deri më sot ka kënduar e regjistruaar afër tremijë këngë, ndersa afer treqind i ka për Dëshmoret e Kombit.



Librat e botuar:



  1. Me grykë pushke këndon Kosova, 
  2. Kohë e pakohë e vendit tim, 
  3. Epoka e nderit
  4. Muzgu i durimit



Për Agim Gashin u shkruan dy libra:


  1. "Mos e lësho sharkinë prej dore", përmbledhje poezish për Agim Gashin realizuar nga Sabit Rrustemi, dhe:
  2. "Jo mos ik vëlla Agim Gashi" nga poetja Donika Çela e cila jeton në Itali.



Rapsodi ynë i njohur Agim Gashi sot vuan nga kanceri dhe gjendet i shtrirë në spitalin e Acheni dhe në gjwndje të vështirë shëndetesore.




Poezi nga  Agim Gashi



JETA MBAN EMRIN TËND


(Njeriut që më dhuroi mëlçinë ) 


Akoma jetoj me frikën, 

Dhe bisedoj me ty
Vëlla a motër ishe nuk e di.

Ne mua jeton edhe ti.

Bashkë me endrrat dhe shpresën
Për të ardhmën 

Ti

Jetën deshe
Më shumë nga të gjithë
E dashurisë i dhe shpirt

Jeton në frymen time

Në këngët që po lindin

Jeton në Formulën e Dhembjës

Në Planetin e Dashurisë 

Jeta mban emrin tënd

Dhe lutjen për të nesërmen




KUR BIE SHI


Kur ngryset qielli

Ngryset zemra ime

Kur bie shi

Lotojnë edhe sytë

Sa shpesh

Erret qielli
Dhe bies hi

Bubullimë 

Në shpirtin tim




ATDHEU


Atdheut i fala dashurinë,

Ishte pak

Ia fala lumturinë

aq sa kisha

I fala djalin

Oh…
Te bukurin e babit.

Do ia falë të gjitha 

Veç një varr të ma jap
Dhe një bajrak
Për mbulesë!




VIGANEVE TË POEZISË


Kur na iku Azem Shkreli

Edhe rrezet i ndali dielli, 
U ngrysen fushat e u ngrys mali
Qau zemra e çdo shqiptari.

E poeti Ali Podrimja,

Diamant lotin në sy, 
I shkruen vargjet e me lot i lan
Vargje vaji për mikune tij.

Sot nuk është as Ali Podrimja

Te Azemi ai ka shku, 
Erdhi n´Francë e mori Lumi
Me mik të vjeter me u taku.

E atje në jetë t´amshueshme

Janë ba bashkë shumë poet, 
Kush gënjye
Se poetët kan vetëm një jetë?

30.05.13

Düren