(1928-2000)
Aziz Ndreu është njëri nga rapsodët emblematikë të kombit tonë, emri i Aziz Ndreut qëndron në radhët e të parëve me Tom Nikollën, Dervish Shaqën, Frrok Haxhinë, Sali Manin, Feride Kurtin, Fatime Sokolin, Dava Gjergjin, Drane Gegën e shumë të tjerë.
Haziz Ndreu kishte origjinë prej një familje me tradita të rezistencës kombëtare, por edhe me traditë në këndimin e këngëve të trimërisë. Në saje të angazhimit dhe talentit që kishte derdhur në këndimin e këngëve dhe interpretimin e shkëlqyer me çifteli, Aziz Ndreu ishte shpallur “Artist i merituar”. Në moshë të re është angazhuar si këngëtar popullor në Shtëpinë e Kulturës, në Peshkopi. Ka qenë i afirmuar si këngëtar popullor në nivel kombëtar. Ka marrë pjesë në Festivalin e këngës, muzikës dhe valles në Tiranë më 25-27 nëntor të vitit 1959, ku vlerësohet me çmimin e lartë, “Rapsod popullor”. Pas kësaj, merr pjesë rregullisht në të gjitha festivalet folklorike të Gjirokastrës dhe në Festivalin e këngës popullore të Beratit, në vitin 1995.
Këngët e rapsodit dibran, Aziz Ndreu janë të veçanta në shumë segmente krijuese dhe interpretuese. Për dallim nga rapsodët e tjerë që kanë krijuar e kënduar dhjetra e qindra këngë, albumi i këngëve të tij duket modest, por origjininaliteti i këngës së tij është tej mase i veçantë, qoftë me zërin burrëror, të lindur apo të trashëguar, qoftë me përzgjedhjen e këngëve, meqë ai ka kënduar vetëm këngë historike dhe këngë trimërie, qoftë me melodinë dhe kompozimin e shquar artistik, qoftë me mënyrën arkaike të të kënduarit, qoftë me forcën e brendshme shpirtërore, mobilizuese, që iu ka dhënë këngëve.
Aziz Ndreu nuk ka kënduar shumë këngë, por të gjitha këngët e tij janë antologjike, të gjitha këngët e tij janë këngë të krenarisë kombëtare, këngë që kurrë nuk harrohen, kurrë nuk vjetërohen. Sapo ta dëgjosh këngën e Hajredin Pashës, pavarësisht se kush e këndon dhe pavarësisht sa mundohet ta këndojë mirë e më mirë, nuk ka si të mos kujtohet origjinali, të cilit askush deri sot nuk iu ka afruar.
Në këtë këngë ai ka bërë bashkë zërat kushtrimtarë si uraganë të ndezur flakë të Lumës e Dibrës, zërimin mobilizues të masave të revoltuara shqiptare kundër mbretit të Turqisë, ka intonuar zërin më të fuqishëm të mundshëm të kushtrimit të furisë kryengritëse, të ndeshjeve për jetë a vdekje, zërin e ngadhënjimit çlirimtar, në anën tjetër ka segmentuar edhe zërin e qyqes, të pashait, i cili vajton fatin e zi, vajton atin e ushtarët, derisa përmes zërit të malësorëve dibranë i bëhet me dije pashait se Dibra nuk është Selanëjk e as Përlep, por është një termopile e Shqipërisë, e cila u la në gjak vjet për vjet, por kurrë nuk u mposht dhe kurrë nuk u shua.
Heroizmi me të cilin e përthekon strukturën e këngës, Aziz Ndreu, pastaj forca mobilizuese me të cilën e mban gjallë nga fjala në fjalë, nga rreshti në rresht, nga strofa në strofë, krijojnë tërësinë emblemë të këngës, e cila jeton përgjithmonë, meqë edhe është krijuar për të qenë një këngë e tillë, një këngë e përjetshme që ka vulosur në kujtesën e kombit vetëm njërën prej 400 betejave të Shqipërisë kundër Perandorisë më të madhe të botës, kundër Perandorisë osmane.
Ritmi dhe gradacioni artistik i kësaj kënge të sjell në kujtesë hapërimin e kalorësve që shkojnë drejt vdjekjes, sjellin në kujtesë kushtrimin e mobilizimin popullor, për të mos lejuar ushtrinë pushtuese t’i shkel trojet, sa e sa herë të lara me gjakun e trimave dhe trimëreshave.
Këngëtari popullor, po me të njëjtën mënyrë këndimi qësendis edhe pashanë turk, i cili pendohet për ndërmarrjen luftarake, duke përjetuar thellë humbjen drastike e tragjike në fushë të betejës, atje ku kishte hapur varre për ushtarët e tij, atje ku ushtria e tij ishte bërë mish për korba dhe kishte mbetur nëpër llogore, në Grykë të Radikës, atje ku i kishte mbetur tërë ordia. Rapsodi nuk i qesëndis as i lëndon ushtarët e mjerë, që i kishin bërë mish për top. Ai, dhembjen për ta e shpreh përmes gojës së pashait, i cili vajton fatin e vet të zi, por edhe humbjen e qindëra ushtarëve.
Kjo këngë epike-heroike, përveç forcës mobilizuese, ka edhe një melododi mahnitëse që të rrëmben si një forcë magnetike, duke të mbërthyer në botën e heroikes dhe tragjikes, duke të sjellë në kujtesë dhembjen bashkë me krenarinë.
Aziz Ndreu me pietet të këngëtarit kushtrimtar i ka kënduar edhe kryetrimit të Lumës e të Shqipërisë, luftëtarit të përkushtuar Elez Isufi, i cili “në malet e Lurës dhe të Korabit, fushën e mbushi me shapka të krajlit”.
Në këtë këngë historike i këndon bëmave të dy komandantëve popullorë, Elez Isufi dhe Isuf Xhelili, të cilët me malësorët dibranë e lumjanë u dolën para hordhive serbe e ruse, që po depërtonin nëpër malet e Shqipërisë, me qëllim për ta pushtuar e për ta shfarosur gjatë kohës së Luftërave Ballkanike. Edhe pse ishte një luftë krejt e pabarabartë, lumjanët e dibranët luftuan ashtu sikur spartanët dikur, meqë kishin Elez Isufin e Isuf Xhelilin
Ka punuar me zell në fushën e historisë, ku ka dhënë kontribut të vyer në mbledhjen e të dhënave gojore e dokumentare për ngjarje të rëndësishme të luftërave popullore e figurative atdhetare me të cilat ka referuar në sesione shkencore e simpoziume brenda dhe jashtë vendit.
___________
Teksti është marrur nga teksteshqip,com
Titulli është i Redaksisë së Radio LIRIA
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen