Montag, 20. Februar 2017

Poezi nga Imri Trena


PËR TY JAM KOSTANDINI

Për ty jam Kostandini,
i ngritur prej balte,
i rënduar nga betimi
i fjalës së dhënë!
Kostandin dhe Besnik.
dy emra burrërie,
me fjalën e shenjtë Besë,
lidhur me një fije fisnikërie!



VUAJTJA

Mos mendo
se njeriu nuk vuan
nëse nuk qan.
Mos mendo
se nuk digjem për ty,
edhe kur të kam pranë në gji.



DËGJOMË

Nëse mendon se gënjej
thuama,
Nëse mendon se qaj,
hesht
Nëse sé di sa të dashuroj
pyetmë
Nëse të dhimbsem se jam vetëm
Eja!



KUDO DO TË KËRKOJA

S´çuditem kur kërkojnë manushaqen,
se edhe ashtu mes ferrash është e bukur,
jam si ai që edhe pas të çjerrash,
me më të bukurën lule ndjehet i lumtur!



NJERI

…të bëhesh Njeri me shpirt të madh.
është privilegj i atyre që kanë vuajtur.
Të lindësh i varfër është fatkeqësi
prej së cilës edhe mund të shpëtosh
por ta mbyllësh jetën i varfër është më zi,
me të vetmin ngushëllim krenar
Mbeta Njeri!



“DURIM I LODHUR”

Durim për varfërinë
n´fëmijëridurim për dashurinë larguar
durim për rritje vetmuar të fëmijëve,
durim sipas ligjeve,për të qëndruar
durim breng- kurbetin për të fituar.
Urtësi e durimit
prej Zotit je bekuar,
durimin e lodhur të jetës sime,
prej pritjes së gjatë e dua çliruar!…



MALL

Më dogj malli Gërlica ime,
pa ty si zogu çerdhe prishur,
bora ma zbardhi flokun,
kthimin në vendlindje duke pritur.



SFIDA IME

Të jap sa të mundem dashuri
në këtë jetë të ashpër u rreka,
edhepse të mbetesh vetvetja,
për ironi nuk u shpërbleka.
Krevat të të florinjtë mund të blej dikush,
po si unë ëndërrimesh s´bën gjumë,
paqja në shpirt të madh çmim ka,
në sfidën time ua provoj unë.




MESNATË KORRIKU PA HËNË
(Mikut të ndjerë, Shaban Cakolli)

Mbrëmë para mesnate  në Gjermani
...e n`Krilevë n`atë vendbanim Dardan
telefonat e zënë rënkojnë
mesazhe pas mesazhi
miqët njëri-tjetrin informojnë:
- Shaban Cakolli, i urti, zemërmiri...
fizikisht u largua prej nesh
por, kurr përgjithmonë!
kujtimi e  vepra e tij jeton;
Përballoi plagët e mërgimit
nga dashuria e madhe për Gollakun,
për Rapuhë, Kulinë, Litec...
Qykajt... e Gurin e Lamës
....dhe të Krilevë nënës;
Në Koblenz ca muaj më parë
shtrënguam duart miqësisht ne dy
tani zemërthyer e me lot në sy
si t`i rendis këto kujtime për Ty?

28 korrik, 2014




DEGJUESVE TE “ZERIT TË ARBËRIT”

Më zgjoni
 Kur të gjithë kanë fjetur
 Me therritni
 Kur të tjeret kanë ikur

Shtratin do braktis rrufeshëm
 Ndez një dritë në studio
 Mikrofoni-si dardhë dimri kosove
 Me të emblen gjuhën tonë do ju flas
 Vendlindjen ju sjell pranë

Fjala shqip nuk vetmohet
 Si burim që nuk shteret
 Deri sa të ketë shtrat lumi

Më zgjoni
 Kur të gjithë kanë fjetur
 E pagjumesia ju rri në sy
“Zëri i Arbërit”
Strehe paqeje, urë lidhese




PËR TY ULLMAR QVICK

S`të mbrapsën regjimet e kohës
As paragjykimet pa vlerë
Anën e shqiptarëve të shumëvuajtur more
Çështjes shqiptare i bëre nder.

Të duash kështu një komb të lashtë
Historinë t`ia kesh vlerësuar,
Rrallëkush si ti me përkushtim
Me dëshmi veprash ka dëshmuar.

Gjuhën shqipe të ëmblën gjuhë
E flet dhe e shkruan si rrallë ti;
Ullmar Qvick, enciklopedi e gjallë
Bashkëluftëtar me ne për Liri.

Shpesh në biseda i thjeshtë e hokatar
Suedez thua je lindur e pleqëruar
Por shpirtërisht ndjehesh edhe shqiptar
Qytetar i botës shqiptare- i admiruar.




URTËSISHT
(Babait, Arif Begi-Trena)

Në 23 vjetorin e ndarjes
Urtësisht, me durim
Më mësuan të jetoja.
Vuajta, u përpoqa, prita me durim.
Një jetë të tërë u tregova i duruar,
Duke shpresuar se një ditë,
Do merrja atë që më takonte
Dhe gjithçka e morën ata që
u mungonte durimi,
Ata që ditën të përfitojnë,
Përmes një rruge të tërthortë e të papritur

Dhe pyes vehten
Nëse më bëri mirë durimi?!
Papritur më kap veshi një zhurmë,
Si një lis me rrënjë të posashkulura,
Babai para syve më del drejtë:
- «Bir, mos ju anko durimit

Prej tij n'parajsë prehesh i qetë...»




PRISHTINA SA AFËR SA LARG

Endacaku i shqetsuar më në fund dëshiron
të kthehet në atdhe, në kasollen e tij, në
gjirin e familjes së tij, aty ku gjen atë kënaqësi
që më kot e ka kërkuar në vend të huaj.
                                       GËTE

Zbres tramvajit kur dita është thyer
I lodhur marr rrugën për në shtëpi,
Një përshëndetje në shqip nuk e dëgjoj
Si memec në shurdhëri.

Këto tramvaja nëpër botë
Lufta për dokumente për begatitë,
Na lodhën e na ndanë nga vendlindja
Dhe na i thinjën dashuritë.

Para një agjensie udhëtimesh,
Oslo-Prishtinë lexoj,
Sa afër dhe sa larg Prishtina ime,
Prej vitesh nuk mund të shkoj.

Vërtetë kjo largësi është e trishtueshme
Se nuk mund t`ia hip linjes e të rend,
Tek një kafe verore  në Prishtinë,
Gojën dhe zemrën në shqip ta cel.

Oslo-Prishtinë- për mua si udhëkryq
Këtë buzëmbrëmje më vuri në hall,
Të gdhihet me një biletë të fluturoj
E nëse s`kthehem...le të vejë në djall!


 Nga libri,"Norvegjisë më shumë diell"




Biografia e autorit

     Imri Trena u lind më 1961 në fshatin Begracë të Kaçanikut. U diplomua në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë. Imriu, si çdo i ri tjetër, kishte shumë dashuri dhe dëshira në jetë, por njëra nga dashuritë e tij ishte më e veqantë dhe kishte zën vnd që herët në zemrën e tij. Ishte dashuria për gjuhën e pastër shqipe, dashuria për artin dhe fjalën artistike. Kjo ishte edhe arsyeja që ai qysh në rininë e tij të hershme filloj të merret me krijimtari letare dhe të krijoj vargje të bukura që i buronin nga shpirti. Kësisoj, Imriu shkruante dhe u kushtonte vargje e vjersha mësuesve dhe atyre që jepnin kontribut në përhapjën e dijës, bukurive të atdheut dhe vendlindjës së tij, heronjëve dhe ngjarjeve historike, dashurisë dhe ndjenjës për të bukurën. Krijimet e tij letrare i dërgonte dhe i botonte në gazetat dhe revistat e kohës. Kështu zë fill bashkëpunimi i tij me shumë media shqiptare dhe Imriu bëhet emer i njohur në rrethet e krijuesve të artit letrar. 

        Veç veprimtarive tjera të shumëta, Imri Trena u angazhua që të jepte kontribut pë të mirë edhe në Shkollën Shqipe në Oslo, ku punon si arsimtarë që nga viti 2000.  Ai punon me shumë përkushtim me nxënësit, duke pëcjell të ata mesazhin e rilindasve shqiptarë, për të mos e harruar as për një të vetmin çast atdhun, për ta dashur e mësuar sa më mirë gjuhën shqipe dhe për ta vizituar sa më shpesh që është e mundur vendlindjën e tyre. 

        Imri Trena është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe ka botuar këto vepra: “Buzëqeshja e tretur”, “Plagë në zemër”, „Shtegtimi i shqipeve”, “Prapa grilave”, “Kosova ime e madhe”, “Andej është Kosova”, „Rruga e hidhur”, “Dhembje e lot”, “Në Kampin Bjonerbek”, “Aromë manushaqeje”, “Mall i (pa)shuar" dhe “Me zërat e Zërit të Arbërit”. 

       Poezitë e tij janë perfshirë në disa antologji dhe janë përkthyer në disa gjuhë.

(h.m)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen