Dienstag, 29. Dezember 2020

Mehmet Rrema: DUKE DËGJUAR RADIO LIRINË

Mehmet Rrema, shkrimtar

Ndjen vërtetë kënaqësi njeriu kur dëgjon valët e Radio Lirisë, nën drejtimin e folësit të talentuar e të shkathtë Haxhi Muhaxheri. Është përnjëmend bukur të dëgjosh zërin e kthjelltë e bariton të këtij moderatori që flet ngadalë e më kujdes, që flet rrjedhshëm e 
pastër shqip, që komunikon hareshëm e në menyrë miqësisht me dëgjuesit...

E përmend këtë "shqip", jo se gjuha shqipe është e veçantë nga gjuhët tjera, sepse të gjitha gjuhët në vendin e tyre e për vendin e tyre janë njëlloj të bukura, e tingëllojnë bukur, vetëm atje. Unë e përmenda,  për të theksuar se ai, ndryshe nga shumë të tjerë, e përdor me shumë kujdes qoftë në të folur, ashtu edhe në të shkruar. E përdorimi i saktë i gjuhës kombëtare është detyrë e çdonjërit. Ç'rëndësi, mund të thotë ndonjëri, ka nëse në bisedat apo diskutimet tona përdorim një shqipe të pastër apo një shqipe të rinovuar. Le të rinovojnë edhe gjuhën, ashtu siç kemi rinovuar gjiëçka, siç kemi rinovuar gjithë jetën shoqërore, ekonomike e kulturore. Ç'të keqe ka se në vend të fjalës rëndon, të përdorim fjalën agravon, në vend të fjalës frymëzim të përdorim fjalën inspirim e mijëra shembuj të tillë që në ditët e sotme i gjejmë të përdorura nëpër radio, televizione e gazeta e takime elektorale sidomos nga përfaqësues të politikës, të cilët me siguri dua të them se nuk e dijnë as kuptimin e fjalës së huaj të huazuar e as dëmin që i bëjnë gjuhës shqipe. Them që nuk e dijnë sepse nuk dua të pranoj se e bëjnë qëllimisht. 

Përzierja e fjalëve të huaja në një gjuhë kur ajo ka fjalët e veta, vetëm për të treguar se përdoruesi ditka edhe një, dy, tre apo disa gjuhë të tjera, për mendimin tim, nuk e ndihmon por e dëmton gjuhën tonë. Gjuha, është shqiptare dhe nuk pranon qoftë më të voglin cenim. Ajo është kristali, është diamanti, që çdo papastërti e nxjerr në pah.

Ndonjëri, sigurisht, nga ata që kanë maninë të përdorin sa më shumë fjalët e huaja, si një shenjë e zhvillimit të gjuhës në marrëdhënje me kohën në të cilën jetojmë, mund të thotë se këtij i paska mbetur ora. Gjuha, ashtu si çdo gjë tjetër, është diçka në lëvizje, në zhvillim, e, si e tillë do të pësojë ndryshime. Po. Është e saktë. Edhe gjuha duhet të ndryshojë, të hyjnë edhe fjalë të huaja,sigurisht, kur nuk kanë një kuptim, në gjuhën shqipe, siç është rasti i futjes së teknologjisë e cila ka dhe fjalorin e vet. Të ndryshojë e të pasurohet gjuha jonë me fjalët tona të reja me kuptim të qartë e në vendosjen e duhur, por asnjë herë për hirë të zhvillimit, të bëjmë përzierje të dëmshme. 

Çfar do të thotë ky, mund të thotë dikush?! Ne e përdorim gjuhën, përdorim dialektin se këtë na kanë folur gjyshërit, por jemi në vitet e zhvillimit të vrullshëm e si të tillë, ne njohim gjuhë të huaja, të pasura e ç'të keqe ka një fjalë e huaja mes fjalëve tona? Ka një të keqe dhe të madhe. Gjuha jonë duhet të jetë e kulluar, e qartë, e pastruar nga huazimet e panevojshme. Të jetë e tillë sepse një fjalë e huaja mes dy fjalëve tona, shpesh nuk e gjen veten siç duhet, e kuptimi prishet dhe më e keqja është se duke i mbushur gjuha me fjalë të huaja humbet identitetin. Dhe… a ka më keq për një komb se sa t'i  zbehet identiteti i gjuhës. Ka rezistuar shumë gjuha jonë, e cila ka mbajtur gjallë identitetin tonë kombëtar. Shumë janë munduar të na e mohojnë. E kanë quajtur gjuha e djallit, na kanë quajtur të egër, njerëz me bisht, çfarë epitetesh nuk kanë përdorur, vetëm që të mos flitej gjuha jonë, vetëm që gjuha jonë të zevendsohej me të tjera. Dhe historia përsëritet. Asnjëherë nuk mund të mendohet se ndaj gjuhës e kulturës nuk ka synime. Armiqtë gjithmonë kanë menduar se duke mohuar një gjuhë, sigurisht, mohohet një komb, sepse gjuha dhe kultura është ajo që na dallon nga kombet e tjerë. Ajo është pasaporta me të cilën ne njihemi në botë. Për këtë arësye është e domosdoshme të flitet bukur, pastër e qartë. Ndaj për këtë shkak dhe moderatori Haxhi Muhaxheri e përdor drejtë dhe nuk abuzon me gjuhën e nënës. 

Mbase dikush do të thotë se çfar hyn në këtë diskutim Radio Liria. E mora vetëm si shembull, pasi ka edhe të tjerë drejtues emisionesh, të cilët e flasin bukur, por ka edhe shumë që përdorin huazime, por këtu, dua të flas jo vetëm për gjuhën por edhe për kulturën që kjo radio përcjell tek dëgjuesit nëpërmes valëve të saj. Nga valët e kësaj  radio, dëgjohet muzikë e pastër shqipe.

Prapë këtu mund të ketë dikë që të mos jetë dakord me mua dhe drejtuesin e programit, të nderuarin Haxhi Muhaxheri. Mundet, por muzika është pjesë e pandarë e kulturës tonë, shtu siç janë edhe gjinitë tjera, siç është letërsia e teatri, piktura e gjithë degët tjera të kulturës, por Radio Liria e drejtuar nga Muhaxheri në valët e sajë përcjell nga të gjitha gjinitë. I përcjell me profesionalizëm duke zgjedhur e transmetuar për dëgjuesit ato që janë më të mirat. I përcjellë sepse ashtu si gjuha, edhe kultura është shtylla tjetër e identitetit të një kombi, e pikërisht aty, në atë pjesë ku është edhe më delikate, ndërhyrjet dashakeqe janë edhe më të fuqishme. Një komb pa kulturën e tij kombëtare humbet pak nga pak fytyrën e tij, kthehet në një të dehur që nuk di të gjej shtëpinë e vet e shkon të flejë ku t'a zërë nata. Ruajtja e pastërtisë se kulturës kombëtare dhe përhapja e sajë, është, pa dyshim, detyrë e çdonjëri. 

Është detyrë e çdonjërit sepse ajo në vetvete është një tërësi arritjesh nëpërmes përpjekjeve titanike të popullit në shekuj. Kultura nuk është një gjë që mund të krijohet në një çast apo në një periudhë të caktuar. Jo ajo është një rrjedhje e gjatë shekullore trashëgim brezash e gjeneratash. Ajo, sigurisht, kalon nëpërmes transmetimeve ekonomiko-shoqërore. Ajo është qëndrimi i njeriut ndaj fenomeneve dhe epokave. Është letërnjoftimi jo i një njeriu, por i një kombi. Është i një kombi, sepse kultura kombëtare është tërësia e përpjekjeve të çdo anëtari të këtij kombi, prandaj edhe i përket të gjithëve, atyre që ishin, këtyre që janë dhe atyre që do të vijnë. Ajo është një zinxhirë i përbërë nga disa hallka, prandaj është detyrë të ruhet çdo hallkë e saj, sepse në qoftë se njëra hallkë këputet, nis të shkatërrohet i gjithë zinxhiri i kulturës kombëtare e për pasojë mikrobi i hyrë e shkatërron, duke na çuar në humbje të identitetit kombëtar. 

Në shoqërinë njerëzore, ndërsa sistemet ekonomike mund të ndjejnë apo të jenë të njëjta me njëra tjetrën nga mes dy a më shumë kombesh, kulturat e tyre dallohen. Është pikërisht ky dallim që përcakton kombin, është ky dallim që duhet të ruhet me egoizëm e rreptësi sepse pikërisht këtu ndërhyrjet dashakeqe janë më të dëmëshme.  Por, a janë të gjithë të përkushtuar ashtu si Haxhi Muhaxheri? Rëndom në kanalet tona televizive dhe radiofonike, më shumë dëgjojmë muzikë të huaj se muzikën tonë kombëtare. Dëgjojmë një lloj muzikë të re të quajtur tallava, një lloj përzierje e cila është pa identitet, që nuk i përket asnjë kombi e që bëhet vetëm për interesa komerciale.

Në disa programe gjoja artistike, vetëm art, e sidomos art kombëtar nuk bëhet. Duan të bëjnë humor, por nuk arrijnë, e për të çorientuar mendjen e shikuesve apo dëgjuesve, vihen në përdorim fjalë banale e  xheste fizike apo mike, sa për të bërë spektatorin për të qeshur. Por a jemi të sigurtë për çfarë qeshin spektatorët? Mos vallë qeshin me paraqitjen prej kllouni të artistit, sepse shprehjet e tyre nuk janë as humor, as ironi, e as sarkazëm. 

Ndryshe ndodh me valët e Radio Lirisë. Ato përcjellin kulturë të pastër kombëtare, këngë të bukura popullore mbështetur në folklorin tonë të bukur e të pasur, pëtcjellin muzikën tonë të lehtë por të pastër, muzikë me tekst të plotë e të qartë, jo një këngë me katër fjalë e pa kurrëfarë mesazhi. Njëherit, valët e Radio Lirisë përcjellin humorin e bukur dhe teatrin e vërtetë, përcjellin e shpërndajnë më përkushtim kulturën e bukur kombëtare. Kjo është arsyeja pse ia vlen të përgëzohet stafi i vyer i kësaj radioje dhe drejtuesi i saj Haxhi Muhaxheri.

29 Dhjetor 2020