Donnerstag, 29. Juni 2017

Në Vushtrri, u mbajt manifestimi letrar “Fjala e gurit”

Ermira R. Jusufi, duke ia dhën çmimin shkrimtarit Bedri Tahiri
Nga: Ermirë R. Jusufi
         kryetare e Klubit Letrar “Latif Berisha”

1.
 Më 28 qershor 2017, në sallën e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë (Kosovë), u mbajtë Manifestimi Letrar “Fjala e gurit – 2017” (Edicioni i parë). Ai u organizua nga Klubi Letrar “Latif Berisha”, e në përkrahje financiare nga DPKRS, i kësaj Komuneje. Në prani të një numri të konsiderueshëm krijuesish: nga Kosova, Shqipëria, Suedia e vende të tjerë, hapjen e këtij manifestimi e bëri kryetarja e Klubit, poetja Ermirë R. Jusufi. Me një fjalë përshëndetëse, ajo falënderoi të pranishmit, kolegët krijues, të ftuar dhe adhurues të fjalës së bukur poetike shqipe.

Në pjesën tematike, që iu kushtua jetës dhe veprës së Latif Berishës, për biografinë dhe krijimtarinë e tij, ligjëroi Bedri Tahiri. Ndërsa ligjëruesi i dytë, krijuesi Xheladin Mjeku, nga Prishtina, foli për vlerat e poezisë së të vetmes përmbledhje, “Tufa”, të krijuesit të paharruar, Latif Berisha.   

Më tej, moderatori i këtij manifestimi, Endrit Kovaçi hapi “Orën e madhe poetike”, duke i ftuar, sipas radhës, të gjithë krijuesit, pjesëmarrës në Konkursin Letrar të këtij manifestimi. Poashtu kishte edhe krijues tjerë, që shprehën dëshirën e tyre që ta begatojnë këtë manifestim, me leximin e poezive të tyre, jashtë konkurencës së konkursit. Me dashamirësi, iu plotësua kjo kërkesë të gjithë të interesuarve, që të interpretojnë poezitë e tyre.

2.
Në pjesën e fundit të manifestimit, paraprakisht, me Çmimin “Pena e Fjalës”, për merita të veçanta në fushën e krijimtarisë letrare, u nderua autori Bedri Tahiri. Pastaj u shpallën edhe përfundimet e Konkursit Letrar.  Kështu, juria, me përbërje: Safet Hasani, kryetar; Remzije Zekolli dhe Izet Abdyli, anëtarë, pas leximit dhe shqyrtimit të 52 poezive, të arritura në konkursin letrar, shpalli fitusit, sipas radhës…

Kështu, me Çmim të parë, u vlerësua poezia “Ju na mësuat”, me shifër “Logishta”; çmimi i dytë i takoi poezisë “Zë kryengritës”, me shifër “Juristi” dhe çmimi i tretë iu nda poezisë “Hesht”, me shifër “Arona”. Po ashtu, juria ndau edhe Çmimin motivues, për krijuesit e rinj, që këtë radhë i takoi poezisë ”Kohë e çmendun”, me shifër “Pluhni i kohës”. Autori, që dëshmoi autorësinë, ishte Besart Tafaj nga Tropoja, fitues i çmimit motivues. Kurse fituesit tjerë pritet që autorësinë e tyre ta  dëshmojnë, në ditët vijuese.

Në këtë manifestim letrar vjen edhe një befasi, që nuk ishte pritur. Kështu, Lëvizja Kombëtare Shqiptare “Pajtimi i gjaqeve”, në 22- vjetorin e saj, i dha “Mirënjohje” Latif Berishës, për veprimtari atdhetare dhe humanitare. Në emër të Klubit Letrar “Latif Berisha”, këtë “Mirënjohje” e  pranoi kryetarja, Ermirë R. Jusifi, të cilën ia dorëzoi prof. dr. Mehmet Rrukiqit.

…Në mbyllje të gjithë kësaj veprimtarie të bukur e mbrësëlënëse, të gjithë pjesëmarrësit u ftuan në një drekë tradicionale. Aty iu ndanë atyre “Mirënjohje”,  për pjesëmarrjen dhe ndihmesën e çmuar, në në këtë manifestim poetik.

Vushtrri-Kosovë, 28 qershor 2017
_____________
Shkrimi për ketë manifestin na ka arritur në redaksi nga prof. Murat Gecaj

Dienstag, 20. Juni 2017

Gazetari dhe shkrimtari Gani Mehmetaj, në Radio "Liria"

Gazetari, publicisti, shkrimtari, dramaturgu dhe skenaristi prof. Gani Mehmetaj

          Gazetari, publicisti. shkrimtari, dramaturgu, skenaristi dhe profesori i Fakultetit të Arteve Mediale z. Gani Mehmetaj, është i ftauri specia i Radio Lirisë në emisionin "Personazhi ynë" që transmetohet drejtpërdrejt të premten më 23 qershor 2017, në ora 21:00.
          Z. Gani Mehmetaj shquhet për guximin intelektual dhe për demaskimin publik që ju bën individëve dhe grupacioneve të ndryeshme të shoqërisë shqiptare, që me veprimet e tyre bien ndesh më interesin kombëtar dhe me parimet e civilizimit europian.


B i o g r a f i a

Gazetar, publicist, shkrimtar, dramaturg, skenarist Gani Mehmetaj, lindi me 1955. Gjimnazin e kreu në Pejë, Fakultetin e Shkencave Politike, degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, magjistroi në diplomaci e marrëdhënie ndërkombëtare. Shkroi kritika filmi, analiza e komente politike. Ishte redaktor e kryeredaktor i gazetës "Rilindja" me seli në Cyrih, botues i të përditshmes “Dardania press”, drejtor i gazetës “Bota sot”. Është profesor në Fakultetin e Arteve Mediale, ku ligjëron lëndët: Adaptim filmi, Histori filmi dhe Estetikë.  
Është producent dhe drejtor i Kosovafilmit. Jeton e punon në Prishtinë.
     

Krijimtaria: 

Ese filmi e publicistika: 
“Magjia e ekranit”- Kritikë filmi  (2005), “Kosovafilmi”, Prishtinë.  “Për shtetin e Dardanisë”, intervista me personalitetet politike, (2006),  “Faik Konica”, Prishtinë.  “Dardani a Shqipëri etnike“, analiza, ese (2007),  “AIKD”, Prishtinë. “Udhëkryqet pas Rugovës”, komente, ese (2007), “Dardania press”.  “Shqiptarët në vlimet ballkanike-1990-1999” (2008), shqyrtime, botoi “Titanic”, Prishtinë.  “Sfidat e pavarësisë “ (2009) analiza,  “Sharmi i filmit”, (2010) historia e kinematografisë në Kosovë dhe Shqipëri, “Kosovafilmi”.  “Kosova: Sfidat e pavarësisë” (2010), studim,  Universiteti Ndërkombëtar i Strugës.  
“Adaptim filmi, si të shkruash skenar origjina ose të frymëzuar nga romani, drama e kronika sociale e gazetës”, dedikuar studentëve të Akademisë së Filmit, botues Akademia Evolucion, Prishtinë, 2014.


Veprat letrare: 
“Kujtime të trishta”, tregime, (2010),  “Dardania press”.   

Romanët “Qyteti në ankth” (2011) dhe “Aventurat e Lulisë” (Kalorësja e arratisur e bashkimit kombëtar) (2012), “Dardania press”. 

Dramat: “Nata e fantazmave”, triptik me një monodramë (2014). 

Kujtimet: ”Ëndrra e madhe”, Dardania press, 2015, Prishtinë, 

“Ilirianët”, tregime, 2015, Dardania press, 

Rromani "Zhvarrimi".

Shkroi tre skenarë për filma artistik të metrazhit të gjatë dhe katër skenarë për filma të shkurtër.



Dy tregime nga Gani MEHMETAJ


Buzëqeshja e harruar

 Shkundte lodhjen nga trupi ashtu si shkund pluhurin nga rrobat sa herë ulej në karrigen e butë të kinemasë. Kur fikeshin dritat, atëherë shkrihej më botën magjike.  Në ekran parakalonin pamjet e qytetit të  shkatërruar nga bombardimet, grupi i  gazetarëve ndërkombëtar raportonin nga një kabinë e ngushtë telefonike e hotelit për të zgjuar ndërgjegjen e fjetur të botës.  Atmosferë e luftës në sfondin e qytetit bask të viteve të tridhjetë.   
.... Në filmin  "Rrëfim dashurie"(Love story) ishte për herë të parë me te. Qetësia e sallës e magjepste, përderisa errësira fshihte emocionet e shikuesve, fshihte edhe emocionet e tyre. Ajo shikonte nga ekrani, ai shihte profilin e saj. Një fytyrë e bukur më tipare të buta.  Duart i shtrëngonin një herë qetësisht pastaj në ethe. Në mesin e sallës përhapej një dënesë, dikush hiqte hundët. Të tjerët kishin humbur në atmosferën e dramës e  të rrëfimit.  Ajo iu mbështet në supe, ai ia shtrëngoi dorën edhe më si në ethe, sikur donte t'i thoshte se nuk do të ikte. Në një qastë i pëshpëriti: -Do të jemi bashkë deri në fund të jetës. - Ajo puliti sytë. Fati i tyre duhej të ishte i ndryshëm nga fati i heronjve fatkeq të filmit. Të dytë e besonin këtë gjë, u dhimbseshin  heronjtë e filmit. Ali Mek Grou përpëlitej për jetë a vdekje, Rajan O'Nil vuante në heshtje. Sa do të donin t'u ndihmonin, t'u gjendeshin pranë...  
Në një të kthyer të kokës, kur ekrani ndriçoi sallën e errësuar, ai pa lotët që vezullonin në sytë e saj. E shtrëngoi i emocionuar, e afroi kokën dhe e puthi në buzë për herë të parë. Puthja ishte e gjatë, e ngrohte, emocionuese. Ajo dridhej. Dikur u shqiten, por trupin nuk e larguan nga njëri-tjetri.
 Dolën nga filmi më dhimbjen për fatin e personazheve, të emocionuar për dashurinë e tyre që po lindte, pas tendosjes e pasigurisë së takimeve të fillimit, kur acaroheshin. Filmi i afroi. U bënë model i qiftit të dashuruar në qytet. Thua ua kishin lakmi? Nuk e dinin, as që e lodhnin kokën për këtë. 
... -Më premtove se kurrë nuk do të ndahemi, - i pëshpëriste në errësirë.
-  Nuk do të ndahemi, por me duhet të iki. S'kam ç' bëjë në këtë qytet, ma zë frymën. Një ditë do të kthehem.
-Nuk dua të pres, as të vuaj,  - i pëshpëriste ajo e emocionuar.
-Do të kthehem, të premtoj, - përpiqej ta ngushëllonte ai. Dhe u ndanë të tromaksur.
    Muajt kalonin më vështirësi. Ai mërzitej në vendin e huaj, dita i shkonte zvarrë,  malli e gërryente, vetmia ia hante shpirtin. Bisedat e zjarrta në telefon, dalëngadalë nisën të rralloheshin. Dikur u këputën. U njoh më një vajzë vendëse, nisën të dalin, fytyra e të dashurës në vendlindje i zvetënohej, ia zinte pamjen, e eklipsonte  e dashura e re. Në të rrallë i cingëronte zilja e alarmit që ia kujtonte premtimin.
Vetminë e dëboi më vajzën e brishtë si sorkadhe.
Dashuria e parë e kinemasë së vjetër, ku lindnin shumica e dashurive të qytetit të tij, nisi t'i largohej nga parafytyrimi, derisa i bëhej pikë e vogël e errët në horizont. Vetëm kur e dëgjonte në radio muzikën e filmit "Love story" një gulçim i ngjitej në kraharor e grykë, lotët ia mjegullonin sytë. Pastaj shiriti i filmi i shkëputej dhimbshëm...   
... Shikonte filmin në sallën e errët të kinemasë. Më sorkadhen e qytetit të huaj shkonin çdo javë në kinema, sa herë vinte filmi i ri. Rrinin të përqafuar me njëri - tjetrin. Kësaj here ajo dëneste. Ai përpiqej të përqendrohej në ekran.  Disa vjet i kaluan së bashku, por këtu ishte fundi. Ai do të kthehej, ajo nuk do t'i shkonte prapa.  U rrëqeth kur e kujtoi fundin: ajo nuk e pranonte ndarjen, u përpoq t'i jepte fund jetës. Një kohë të gjatë nuk e mori vetën, e kujtonte shpesh e me dhimbje. Nuk e takoi kurrë më.
... Në kinema vazhdonte filmi, ai e ndiqte dramën, por i ndiqte edhe imazhet e jetës së vet, pa u shkëputur për asnjë qastë nga rrëfimi bask. Pamjet e drama e mbërtheu, nuk ia shqiste sytë ekranit, sikur donte ta përpinte çdo dialog e çdo kuadër. Imazhet paralele po ashtu i parakalonin me shpejtësi filmi.  Jeta iu bë e rrëmujshme, u shkëputë nga orbita mu si barka që  shkëputët nga limani, kur e rrëmben stuhia. Lëkundej frikshëm në detin e paanë, duke u përplasur sa në njërin breg shkëmbor në tjetrin, gjithnjë duke u lënduar më shumë në shpirt se sa në shtat. Nuk e dinte ku e kishte kokën as ku këmbët. Një jetë e emocioneve kaotike, pa u ankoruar në asnjë lima, pa arritur të hidhte spirancën asgjëkund. Jetonte për sot nesër. U bë  konfuz, emocionalisht i paqëndrueshëm, i palumtur, më i vetmuar se sa Robinson Kruso në ishullin e paqësorit. Nuk e dinte çka kërkonte nga jeta, as nuk e mori vesh si e shpërdoroi rininë.     
... Shpërthimi i fuqishëm në ekran e shkëputi nga e kaluara. Po zhdukej një qytet i tërë. Guernika e Pikasos digjej nga bombat. Baskët e provonin mizorinë e armës së re gjermane. Pamjet të linin pa frymë. Ai shihte i emocionuar. Gazetari amerikan dhe përkthyesja baske vraponin në mes të shpërthimeve të bombave.   
...Imazhet e të kaluarës  i përftonin paralelisht më bombat e aeroplanëve gjerman. Befas ajo i doli  para: e bukur, e këndshme, e njëjtë si në ditën kur e shikonin "Rrëfimin e dashurisë". Megjithatë ishte ndryshe, jeta sikur ia kishte kurdisur rrengun: gjurmë të dhimbshme më rrudhat e holla rreth cepit të syve,  lëkura po e humbiste shkëlqimin lëbyrës të dikurshëm. Sytë shkëlqimtar ishin shndërruar në sy pikëllimtar. U tronditë. Tronditja ishte e dyanshme. Kalimtarët ecnin skaj tyre më shpërfillje. Si t'ua kishin betonuar këmbët, ai dhe ajo nuk lëviznin. Panë njëri-tjetrin gjatë e të befasuar. Nga buzët nuk u dilte asnjë fjalë, nuk arritën as ta përshëndesin njëri-tjetrin. Shihnin dhe nuk besonin.  
Sa shumë kishte për t'i thënë. Sa mall pati. Deshi t'i shprehte gëzimin e takimit , por nuk arriti.  Ajo u çmagjeps, pas hutimit të parë nga shtangie e dhimbshme. Eci tutje më një shfryrje emocionale plot mllef e zemërim. Turfullonte. Iu duk sikur edhe trupi i dridhej nga zemërimi. Ajo nuk ia kishte harruar shkujdesjen e pafalshme. Ai mbeti në rrugë duke e ndjekur më shikim kohë të gjatë. Ujët e lumit, në brigjet e të cilit kaluan qaste të këndshme, rrodhi njëzet vjet pa u ndalur. Aq kohë nuk e panë njëri-tjetrin. E dëshpëroi edhe pamja e saj ndryshe në fytyrë e në shtatë. Ai nuk e shihte vetën. Më thinjat e flokëve nisi të  mësohej, shtati i mbushur iu bë pjesë e përditshmërisë. Kur e kujtoi edhe një herë fytyrën rrëzellitese të së dashurës nga takimi i parë në filmin "Rrëfimi i dashurisë" , një komb ia shtrëngoi fytin, diçka ia ngushtonte frymëmarrjen. Sikur të mos qe në rrugë do t'ia plaste vajit.  Mbase më mirë të mos e kishte takuar kurrë. Do t'i mbetej në kujtesë fytyra engjëllore. Por, prapë i thoshte vetës që nuk do ta zhbënte këtë takim për asnjë çmim në botë... 
... Në kinema shkonte vetëm , druante që fundin e një dashurie të re nuk do ta përballonte. Nga çdo ndarje vuante, ndërsa nuk e gjente forcën t'i thoshte ndal kësaj jete të ujkut vetmitar. Nga errësira e kinemasë asnjëherë nuk çmagjepsej, errësira më dritën farfuritëse të kino projektorit e qetësonte, e bënte të përhumbet dy orë, duke mos e marr vesh as kush ishte, as ku ishte. Fundi i filmit gjithnjë e trondiste, e shkëpuste nga ëndërrimet. Mezi ngrihej nga karrigia.  Dëshpërohej që duhej t'i kthehej jetës reale. Me dëshirë do të vazhdonte filmin e dytë, të tretë. Dikur në qytete të mëdha ku kalonte një pjesë të jetës profesionale shihte deri në katër filma në ditë, sa shkëputej nga magjia e rrëfimit të parë, niste magjia e rrëfimit të dytë, të tretë. Dita i kalonte nga një seancë filmi në tjetrën.  Donte të  mos shkëputej kurrë nga kjo botë e fotografive lëvizëse, ashtu si alkoolisti që nuk dëshiron të shkëputët nga gota e rakisë.
....Personazhet e ekranit përpëliteshin në mes të ëndrrave, gjakimeve e jetës reale më pengesat e pakapërcyeshme. Gazetarit të  dashuruar baskja e bukur i përfundoi ndër duar, pasi u qëllua nga aeroplani armik. Ai barte trupin e saj të pajetë, duke mos e pranuar fundin e dhimbshëm, kërkoi ndihmën e një infermiereje. Për një qastë sikur ndërruan rolin me gazetarin amerikan. Ai po e mbante ndër duar shtatin që përpëlitej për jetë a vdekje të vajzës  së rinisë së tij.
- Kush e plagosi?, - pyeste i habitur, pa marr përgjigje nga askush, ndërsa vraponte rrugicave të qytetit të tij. Herë-herë kthehej nga të tjerët që ta kërkonte ndihmën e tyre, por askush nuk iu gjend pranë, njerëzit kalonin shpërfillës. Bjondja  e bukur e rrëzëllitëse, bëhej më e zbehtë, buzët iu bënë të bardha si muri. Ajo nuk ia kërkonte ndihmën, ndërsa e ndjente që kishte dhimbje, vuante. Pastaj bjondja i shndërrohej në zeshkanen e syve të mëdhenj. "Po kjo ç'pati?" Pyeste, por  askush nuk i kthente përgjigje.
Dikur hija e tij iu hakërrua: "I plagose! Vuajtje e dhimbje le prapa, asnjë kujtim të mirë".  Deshi të arsyetohej, por hija u shkri, u zhduk.
I përhumbur me shtatin e vajzës ndër duar doli nga qyteti, iu qep një rrugice të rrëpinjët pa e marr vesh kur iu shndërruar zeshkania në flokëkuqe më shikim të perënduar që  po jepte shpirt.  Për një qastë iu errësua çdo gjë, dikur iu zbardhë pamja. "Edhe këtë e plagosa unë", nisi të pyeste vetën, sepse askush nuk ishte pranë tij. "Sa shumë dashuri të plagosura, mbase i vrava".
 ... Shikonte në ekran i përqendruar, ndërsa në vend të epilogut të filmit i doli epilogu  i jetës së tij më shkronjat e shpejtësisë telegrafike: një jetë e çuar dëm, inventar i pijetoreve, vetmitar i rrugëve të braktisura, i mëshiruar rrugicave të braktisura nga plakat.
I kapsalliti sytë, nuk besonte: filmi po e jepte epilogun për te e jo për pasojat e luftës e për zhdukjen e qytetit martirë të Guernikës. U ndezën dritat. Ai rrinte i kruspullosur. Mbylli sytë,  fytyrat e këndshme e mbërthyen trurin e tij, i bëhej që ishte në kinema duke shikuar "Love story". Shtrëngonte të dashurën, i pëshpëriste në vesh, ndërsa ajo i buzëqeshte. Lotët margaritarë i shkëlqenin në sy. Ai shkrihej nga lumturie...
... Dikush e thërriste, e shkundte, i thoshte të zgjohej, jehona i vinte nga larg, e bezdiste, donte t'i thoshte "mu hiç" qafe, e sheh se jam i zënë, por nuk ia thoshte dot. Shikuesit e kishin boshatisur sallën e kinemasë. Vetëm ai, i kruspullosur në karrige. Dy vajzat e reja, kujdestare të kinemasë e shkundnin, ai nuk lëvizte.

"Pse e pengoni", u thoshte hija e tij që e vejëronte nga tavani trupin e mekur. "Ai këtë fund donte". Vajzat u alarmuan, thirrën ndihmën e shpejt. Hija si më përtesë u largua nga trupi, doli nga dera gjysmë e hapur. Trupi i kruspullosur me një buzëqeshje të harruar në cepat e buzëve e shquante në mesin e sallës së kinemasë.



Partizania Vidna
(Masakra malazeze në Katundin e Ri me 1945)

    Sa herë me dilte para ia shqyeja sytë. Me gozhdonte figura e saj. Gjithnjë e lidhja me një djalosh të moshës sime, emrin e të cilit kurrë nuk e mësova, por ma turbullonte mendjen imazhi  i gishti tregues, kur tërhiqte këmbëzën; gryka e mitralozit që villte zjarr, përderisa jehona e krismave shpërndahej në Luginë, duke i trembur sorrat maje verrash. Fushëpamjen time e mbulonte pastaj figura e çunit që shihte i lemerisur nga rreshti i burrave në këmishë e të linjta, përballë togës së pushkatimit. Pastaj i goditur nga breshëria e plumbave, koka i binte para këmbëve të një duzine burrash rreshtuar në një vi me te.
    Gruaja që mi ngatërronte imazhet quhej Vidna, apo shoqja Vidna, sikurse e thërrisnin ata që rrinin me te. Vështirë ta dalloje nga burrat. Ecte me hap ushtarak e me kurrizin paksa të kërrusur, vishte pantallona burrash e sako të gjerë civile të kohës së shkuar, që nuk i ndërronte verë e dimër. Ishte kockëgjerë, me trup të ngjeshur, lëkurë të errët të fytyrës, sy të vegjël zhbirues, të futur në zgavrat e kafkës së madhe. Nuk vinte buzëkuq, nuk mbante zbukurime, nuk e pashë të rrinte a te kuvendonte me gra. Zëri i vinte i thellë si nga shpella, paksa i çjerr si zë burri. Buzët e holla e gjoksi dërrasë, mezi i dilnin në pah në shtatin e lartë. Vetëm tulet e ngjeshura në të prapmet e bëshme e shquanin nga burrat. Nuk e di pse ziente nga zemërimi, t'i ngulte sytë e errët nga zgavrat e thelluara që ta fusnin lepurin në barkë.
    Kisha dëgjuar për te netëve të dimrit. Korrenti i bezdisë me përshkonte edhe disa kohë pasi largohesha nga orbita e shikimit të saj. Megjithatë, edhe të nesërmen ndalesha shumë hapa para se të më afrohej, prisja te më kalonte, duke e shikuar pa ia shqitur sytë. Në imagjinatën time kishte marr përmasa të çoroditura, s' më besohej që ishte ajo për të cilën flitej. Përpiqesha t'ia shquaja gishtin tregues, por nuk ia pashë asnjëherë. Kur nuk bisedonte me burra, apo kur nuk zihej me jevge, partizania Vidna me shihte me përbuzje, sepse s'dija ta fshihja kureshtjen, nuk e përmbaja habinë, sikur ta shihja fantazmën ditë me diell. Një herë mu hakërrua me zemërim në gjuhën serbe: "Pse më shikon si budalla?"      
    Partizanen Vidna, e takoja gati çdo ditë,  kur shkoja në shkollë. Nuk i shmangesha edhe po të doja depos së Kryqit të Kuq, ku punonte. Rrinte duarkryq pranë rrugës, ose kthehej nga diku, herën tjetër merrte e jepte me jevgat e varfra që i përgjëroheshin,duke ia kërkuar edhe një grusht miell më shumë. Ajo nuk lëshonte pe, ishte e paepur ne vendimet e veta, ndërsa jevgat qanin, kur i dëbonte me zërin e saj të çjerr, i shante me fjalë të pista, apo i kërcënonte me refrenin: "Të gjithëve duhej t'u pushkatonim!"
    Thuhej se vrasjet i kishte në gjak. Nga bëmat për vrasjet e kisha krijuar figurën e saj, atëherë kur nuk e njihja. Për te kisha dëgjuar që kur dija për vete. Sytë e frikësuar të djaloshit të moshës sime që priste para togës së pushkatimit me ndiqnin prapa.  
"Me ketë gisht kam shkrepur mbi njëzet e gjashtë burra", tregonin kur lavdërohej, ndërsa e rrëkëllente ndonjë gotë raki të fortë kumbulle me një frymë. "Por shoqja Vidna, thonë se pati edhe një kalama", merrte guximin t'ia kthente dikush. "Pa qenë kalama nuk bëhet burrë", e kalonte ajo vërejtjen e bashkëbiseduesit me qeshje djallëzore.
   Kisha dëgjuar për katundarët fatkeq buzë Drinit të Bardhë, që pësuan nga dora e shoqes Vidna, partizanes malazeze, një mëngjes të ftohtë dimri, kur edhe lumi qe ngrirë. Në mesin e burrave në të cilët shkrepi, pa iu trembur syri, ishte një djalosh trembëdhjetë vjeç. Ai nuk e dinte  pse i nxorën nga shtëpitë, as pse po rreshtoheshin partizanët me Vidnen prapa mitralozit.
    Unë nuk duhej t'i dëgjoja rrëfimet e familjarëve, sepse me linin pa gjumë net të tëra, por me mbyste kureshtja, prandaj nuk më shpëtonte asnjë fjalë. Shpesh më dëbonin nga dhoma, kur nisnin rrëfimet, Kurse unë rrija prapa derës, i strukur dhe dëgjoja.
    Nga rrëfimet e shkëputa mora vesh se si partizania Vidna atë ditë të kobshme iu ngjesh mitralozit të rëndë,  mbylli njërin sy si nëpër filma me partizanë e gjermanë, por nuk shënjonte në ushtarë armiq, ashtu si bënin në filma, ajo i korrte me breshërinë e mitralozit gjerman katundarët e përgjumur, që i mblodhi toga e saj më të zbardhur dita, i rreshtuan para një gardhi, në këmishë e të linjta. Katundarët para se t'i korrte mitralozi shihnin të hutuar me copa gjumi në sy. Ndërkaq, partizanët malazezë të brigadës së Bokelit, i shtynin me kondak pushke e me bajoneta. I mbajtën këmbëzbathur në acar, ndonjëri u përpoq t'ia mbathte, por binte nga breshëria e plumbave në lumin e akullt. Të tjerët të lidhur duarsh dy nga dy me nga një copë teli a spango, prisnin e dridheshin.  Dy -tre fëmijë nisën të qanin. Nëna e djaloshit të rreshtuar për pushkatim, u përpoq ta nxirrte nga rreshti të birin e llahtarisur, por një partizan e goditi në kokë me kondak pushke. Ajo ra pa ndjenja, pastaj e tërhoqën zvarrë.
Gratë  qanin pa zë, të mpira nga tmerri.
    Partizania Vidna, prapa mitralozit, u drejtohej grave fatkeqe, që ia kishin zënë pamjen: "Hiquni prej rruge kudra!".  Thonë se dy nga të rreshtuarit, shpëtuan për një fije floku, duke kërcyer gardhiqet pupthi. Djaloshi i lemerisur para se të binte nga plumbat, i tha babait pranë: "babë, po tutna". Babai nuk bëzajti, ia shtrëngoi dorën. I pushkatuan para grave e nënave.  Kufomat ua lanë ndanë gardhit. Nuk u dëgjua asnjë britmë. Në borën e bardhë gjaku shquhej thekshëm, trupat e ngrohtë ende avullonin, ndërsa brigada partizane me Vidnen në krye vazhdoi tutje.
    Katundi i Ri ishte vetëm një pikë ndëshkimi. Katundet tjera me të dëgjuar breshërinë e mitralozit e të pushkëve, ia mbathën maleve të Dydeshit. Por disa katunde nuk ishin më fat, katundarët i kapnin në gjumë.
    Emri i shoqes Vidna ua ngrinte zemrat katundarëve të Luginës së Drinit e të Lumbardhit. Ajo mbolli vdekje ngado që shkoi. Në qytet pushkatimet nuk i bënin ditë me diell, por i ekzekutonin natën të burgosurit që i nxirrnin nga Kulla e Sheremetit, të shndërruan në burg. Kodrat sipëri Pejës, u mbushën me varre masive. Prapë emri i partizanes Vidna përmendej me mitralozin gjerman, që s'pushonte tërë natën.
   Askush nuk kishte dëgjuar më parë për te. Dinin se erdhi më brigadën partizane të Bokelit nga Mali i Zi: vajzë e heshtur, e zymtë me pantallona të zhgunit ngjyrë kafe e opinga të lidhura me spango. Tregonin skena makabre kur partizanët malazezë pushkatonin civilë, ndërsa ajo u printe në këngë e valle rreth kufomave.
Asnjë partizan nga kjo brigadë nuk u kthye mbrapshtë, të gjithë u vendosën kolonë në tokat e shtëpitë e të vrarëve. Vidna u vendos në Pejë, ia rrëmbeu shtëpinë një qytetari, duke e nxjerr në rrugë me familje. Nëpër tubime nga Peja, në Istog, Klinë, e katunde, ajo ngrinte kërcënueshëm gishtin tregues, duke u hakërruar: "me ketë gisht kam ekzekutuar qindra armiq". Revolen e mbante në brez. Kur zemërohej e nxirrte nga këllëfi dhe e tundte në ajër. Pas disa vjetësh e tërhoqën nga paraqitjet publike, u bë e bezdisshme për pushtetin. Për ta qetësuar ia dhënë depon e Kryqit të Kuq  që të merrej me jevga. Jetonte e vetëm në një shtëpi të madhe të qytetari fatkeq që ia mbathi jashtë vendit.
#     
Shumë vjet më vonë u interesova për shoqen Vidna. Disa thanë u kthye nga erdhi pesëdhjetë vjet më parë, të tjerët tregonin se kufomën e saj që qelbte e gjetën pas disa ditësh në shtëpinë ku jetonte. Treguan se asnjë ish-partizan nga brigada e Bokelit nuk mbeti në Rrafsh të Dukagjinit, ata që nuk vdiqën, ikën në Mal të Zi para se të futeshin trupat e NATO-s. Por mua me ka mbetur shprehi kur kaloj nga rruga e gjimnazit, e kthej kokën nga ish depoja e Kryqit të Kuq, gjithnjë në pritje se mos me del fantazma e partizanes Vidna me lëkurë të errët të fytyrës e sy zhbirues.                    

Samstag, 17. Juni 2017

Promovohet albumi "Melodi malli" i këngëtarit Burim Caka

17,06.2017 / Sonte në ora 20:00, në "Radio Liria" bëhet promovimi i albumit të parë të këngëtarit Burim Caka, që mban emrin "Melodi malli":

Burim Caka, u lind më 04. 03. 1975 në fshatin Vatë! Shkollen fillore e kreu në Doganaj të komunës së Kaqanikut, ku edhe shpalos talentin dhe pasionin për muzikë, mbase që në moshën 6 vjeçare, filloi lozë telat e qiftelisë. Andaj, pas përfundimit të semimaturës, u regjistrua në shkollën e muzikës "Prenk Jakova" në Prizren. Meqë ishte koha e ndryshimeve të mëdha gjatë vitit 1991, ku mbretronte një situatë e rëndë në Kosovë, nuk iu mundësua vazhdimi në këtë shkollë. Kthehet prap në vendlindje për t'u regjistrua në gjimnazin "Skënderbeu" në Kaqanik.

 Në vitin 1986 anëtarësohet në SHKA "Zëri i Rinisë" në Dubravë të Kaqanikut, ku bënte kilometra të tërë këmbë, vetëm për dëshirën dhe dhe vrullin që kishte për artin muzikor. Pra, këtu fillon karriera e tij aktive, për të vazhduar edhe sot (në mërgim).
 Burimin e shohim edhe në mediat e asaj kohe, si në Radio Prishtinën e atëhershme, Televizionin e Prishtinës, me Sh.K.A. "Zëri i Rinisë" në emsionin TINGUJ BURIMOR,...etj.

Më pastaj, për shkaqe objektive, SHKA "Zëri i Rinisë", ndërpreu aktivitetin. Burimi nuk rri dot duarkryq. Kështu, gjurmon hapsira ku mund të luaj rol aktiv në kultivimin dhe ngritjen e vlerave të thesareve tona kombëtare. Me të dëgjuar për nismën e re në fshatin Doganaj, nga një grup entuziastësh, Burimi anëtarësohet në SHKA "Idriz Seferi" të këtij lokaliteti. Këtu pati edhe rol udhëheqës në grupin e instrumentalistëve. 
 Mori pjesë në shumë shfaqje e manifestime me karakter kombëtar. Aty njihet, edhe me bashkëshorten, dhe u bënë shtylla të kësaj SHKA.

 Në vitin 1995, për shkaqe të rënda ekonomike, Burim Caka merrë rrugën drejt emigracionit, për ta ndihmuar Familjen. Natyrisht, ishte shtërnguar së tepërmi hallka e mbijetesës, sikur edhe e frymëmarrjes. Andaj, Burimi sakrifikoi veten, profesionin dhe pasionin për t'u mos gjunjëzuar para pushtuesit serb. Vite të tëra, larg Familjes, larg atdheut, larg brigjeve e pemishteve të vendlindjes, Burimi, për asnjë çast nuk i ndahet muzikës. Bile, sikur e jetësoi edhe fjalën e urtë popullore: "vaji i burrit është kënga"! 

 Burimi, edhe sot jeton e vepron në Austri, bashkë me bashkëshorten Xhevën dhe fëmijët.

Ky është albumi i parë!
__________________
Biografinë e këngëtarit e pëgatiti për Radio LIRIA, Hasan Qyqalla.

Shkrimtari dhe veprimtari Ajet Shala në "Radio Liria"


  • Radio LIRIA,17.06.2017 / Shkrimtari dhe veprimtari Ajet Shala, sonte në ora 22:00, do te jetë mysafir në emisionin "Fjala artistike në Radio LIRIA" ku do të flitet për krijimtarinë e tij letrare dhe veprimtarine atdhetare. Autor i emisionit, Haxhi Muhaxheri.

Biografia:

Ajet Shala u lind në fshatin Kopiliq, KK Skënderaj. Shkollimin fillore e kreu në Turiçec. Ndërsa, gjimnazin në Skënderaj. Studimet universitare në Prishtinë, në fakultetin juridik. Është jurist i diplomuar, gjeneratë e viteve të 80-ta, aktivist dhe pjesëmarrës i dalluar në çështjen kombëtare dhe në demonstratat e vitit 1981. Pas diplomimit në juridik një kohë si i pa punë dhe me ndërhyrjen e Serbisë në  sistemin kushtetues në   vjeshtën e vitit `89 detyrohet të largohet nga atdheu për në mërgim, pikërisht në Zvicër. Nga viti 1990 është kontribues shumë i dalluar në çështjen kombëtare, në veçanti në vendlindje dhe në komunën e Skënderajt, donator i parë i medikamenteve kyqe të kërkuara në atë kohë në Kosovë, duke i ofruar Shoqatës Nëna Terezë, në Skënderaj medikamente në vlerë 3600 fr. Klubit Futbollistik “Drenica” në Skënderaj i ka dhënë paisje në veshmbathje sportive në vlerë prej 3750 fr. dhe që nga viti `90 e gjer në fillim të luftës në Kosovë.

Përmes Shoqatës Nëna Terezë për çdo vit u shpërndau nevojtarëve të fshatit Kopiliq nga 5000 kg miell falas.

Shkollës së Turiçevcit, në vitin `96 i bleu drutë për ngrohje në vlerë prej 2000 DM dhe komplet xhamat e shkollës në vlerë 650 DM, si edhe për disa vite me radhë ndihmë në libra e fletore nxënësve të kësaj shkolle. Aktivistë i dalluar i Grupit të Emergjencës në Zvicër, pas fillimit të luftës.

Me kontribut prej 18.000 fr.ch kryesisht në fondin “Vendlindja thërret”, ndihmë Shtabit të UÇK-ës në Aqarevë me armatim e municion, aktivist dhe shtyllë në Lëvizjen mbarë kombëtare UNIKOMB, ku në verën e vitit 2012, organizoi tryezën shkencore në Skënderaj për heroin që sfidoi historinë, Milosh Nikollë Kopiliqin dhe bëri rindërtimin e inaugurimin e Bunarit të Milosh Kopiliqit në Kopiliq të ulët, i vjetër që nga viti 1350. Në praninë e 500 pjesëmarrësve, për projektin e bunarit shpenzoi mbi 7.500 € Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë bëri mbi 200 mirënjohje për heronjtë, martirët dhe familjet e martirëve, gjatë këtyre 100 viteve, përmës Lëvizjes UNIKOMB, në vlerë mbi 1000 € dhe shumë raste të panumërta si kontribute më të vogëla.
Ajet Shala është autor i dhjetë, vëllimeve poetike, liriko-epike: 


Libra të botuar brenda viteve 2013-2016

  1. “NË KRAHËT E MJELLMËS”                
  2. “ATDHEU BRENDA VETES” 
  3. “PLISI I DHEUT DARDAN”  
  4. "LIRICHE DEI MONTI" në italisht “Lirika e bjeshkëve” 
  5. “KODI I URËS” 
  6. "ANTOLOGJI PËR ÇLIRIMTARËT: ILAZ KODRA E ANTIGONA FAZLIU" 
  7. "KROI I FJALËS"
  8. "ANTOLOGJI IDEALIT TË DËSHMORIT SEJDI KRALANI *BALLISTI* 
  9. “BISEDË ME ATDHEUN” 
  10. ”RRAPI ARBËROR” 


Njëherit, autori është pjesëmarrës i shumë antologjive dhe i pranishëm nëpër faqet e gazetave dhe revistave që publikojnë shkrime letrare qoftë në vend qoftë në ato elektronike. Për Autorin u shkrua në shumë vende si në Kosovë e Shqipëri, ashtu edhe në një numër të konsideruar të gazetave për lexuesit shqiptar, që dalin në Romë, Athinë, Londër, por edhe në gjuhën e vendit ku jeton autori, në Zvicërr. 

Antologjisti Ajet Shala, më parë se një dokumentarist është krijues shpirtëror, njohës i jashtëzakonshëm i trashëgimisë dhe pasurisë sonë popullore, si dhe interpretues i saj, madje njërit prej zhanreve më të lashta të krijimtarisë gojore: eposit legjendar dhe atij historik. Në të vërtetë, më parë se sa të përgatiste këto dy vëllime antologjike ai e provoi kujtesën e tij me interpretimin e një vëllimi këngësh epike, e provoi penën e tij me disa vëllime poetike, dhe vetëm në fund mori iniciativën për të përgatitur dy antologjitë me poezi përkushtuese për dy çlirimtarët e kombit: Heroin Ilaz Kodrën dhe dëshmoren Antigona Fazliun. Dhe në vazhdim nxjerr edhe Antologjinë për dëshmorin e kombit Sejdi Kralani, dhe vëllimin më të ri poetik. "....."  Po të shihet krijimtaria e tij poetike e botuar në pesë vëllime, nuk është vështirë të vlerësohet se pjesa më e madhe e krijimtarisë letrare të tij është me poezi përkushtuese, poezi me motive historike dhe në mënyrë të veçantë poezi që shprehin madhështinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht poezi për dëshmorët e saj.

Donnerstag, 15. Juni 2017

Aktori Ismet Krasniqi - Lala, sonte në Radio "Liria"

Ismet Krasniqi - Lala
16.06.2017 / Aktori i njohur Ismet Krasniqi - Lala do të jetë sonte në orë 21:00 mysafir në Radio LIRIA, gjegjësisht në emisionin "Personazhi yne" të autorit Haxhi Muhaxheri.
Do të ketë edhe befasi për dëgjuesit, sepse për ta nderuar personazhin e sontëm do të vijnë edhe personalitet tjera të njohura, si: aktor, gazetar, shkrimtar, piktor, rapsod etj.


Biografie e Ismet Krasniqit e përgatitur nga Gjon Gjergjaj

Ismet Krasniqi Lala u lind me 16 mars 1951 në Drenoc Komuna e Malishevës. 
U diplomua në Fakultetin Filozofik Dega  Filozofi-Sociologji.
Është aktor profesionist i teatrit, filmit dhe humorit. 
Ka mbaruar Akademinë e Arteve Dega e Aktrimit, klasa e prof. Enver Petrovcit.
Ismeti i takon radhës së atyre krijuesve që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në disa fusha kulturore e artistike. Ka zhvilluar një veprimtari të gjerë teatrore në Klinë, Vlorë, Prishtinë, Mitrovicë, Malishevë, Vushtrri, Pejë, Gjilan, Dardanë , Sarandë,  Lezhë, Gjirokastër, Shkodër, Vlorë, Bajram Curr, Fushë Arrës, Vau Dejes, Permet, Libohov, Tiranë, Shkup, Tuz, Malsi e Madhe, Troboin, Rozhajë, Gjermani, Slloveni, Kroaci, Zvicer, Gjermani  dhe anembanë Kosovës. Në 100 Vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar, la përshtypje të mira me rolin e Ismail Qemalit dhe Kurt Selacit daja i Azem Galices në filmin e  e regjisorit Halil Budakova. Angazhime të shumta pati në dhjetëra e dhjetëra promovime letrare. Simpatike janë edhe filmimet e produksioneve në lëmin e filmit e humorit e serialeve televizive, hobi e ka fotografin.

Është anëtar i Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi”. Ka qenë kordinator për Kosovë e aktualisht është kryetar Pegasi Albania-Kosova dega në Klinë. Punën  e filloi në gazeten e studentve “Bota e re”, pas perfundimit te studimeve  punoi profesor në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Aktivitetet në Kulturë i filloi me 1969 në shtëpin e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, pjesen me te madhe te punes ne jeten e ti e vazhdoi në këtë Instutucion te kultures duke qene drejtor i shtepise se kultures e më von udheheqes i teatrit “Osman R. Gashi” prej nga edhe u pensionu me 16 mars te vitit 2016. Në skenen e shtepise se kultures  e filloi karjeren prej aktori ne vitin 1970 me shfaqjen “Plaku i Maleve” me regji te Osman R. Gashi, ndersa karieren e punës e mbylli me shfaqjen “Gjyshi im është kuller” teksti Vlora Zhutaj Gashi e regjisor Alban Gashi.

Është themelues i Festivalit të Grupeve Amatore Teatrale të Femijeve (FGATF) në Klinë.
 Ismet Krasniqi eshte  ideator e organizator i manifestimit nga trashegimia kulturore “Dita e Plisit’ të mbjtur gjere me tani ne krushevë të Vogël, në Kullen Muze të Gjon Nikë Gjergjaj (edicioni i parë 2014), Në Kullën e Zenel Berishës në Dabedol të Klinës ( edicioni i dytë 2015) dhe në kullën e Vehbi Ukë Isufaj-Qendra rajonale e Turizmit në Junik ( edicioni i tretë 2016).

Edhe tani eshte mjaft aktiv ne realizimin e shume projekteve nga kultura keto dite pregatit dokumentarin “Dueti legjendar Salih e Feriz Krasniqi” i cili u shfaq edhe ne RTK dhe u prit mire nga opinioni.

Për punen e tij u shperbly dhe u dekoru me Çmime, Diploma e falenderime, po permenim disa prej tyre:

Juria e Festivalit Folklorik “ I kendojme lirise” ne Kline 2001, I ndan diplome per paraqitje te shkelqyshme skenike ne festival ne rolin “ Plaku i Festivalit”.

Festivali rajonal i teatrove Peje, juria e festivalit ia jep diplome për aktorin veteran, viti 2001

Shoqeria Kulturo Artistike Valet e Liqenit” Ladorisht – Struge i jep Mirënjohje për bashkpunim të ndërsjellte, viti 2006.

Komuna Kamenice-Drejtoria per Arsim e Kulturë, Festivali i Teatrove “ Lulekuqet e Prillit” ia jep çmimin Aktori me i mire i Festivalit.

Shoqata e Rapsodeve “Hivzi Sylejmani” Prishtinë, ndan Mirënjohje per kontributin e dhën në lëmin e folklorit, viti 2007.

Kuvendi Komunal- Drejtoria e Arsimit, me rastin e 7 marsit-Dites se mesuesit 2007, ndan Mirenjohje per bashkpunim dhe ndihmese kulturore dhene shkollave te Komunes se Klines.
Komuna Drenas-DKRS, “Festivali Ditet e Humorit Nderkombetar-Drenasi 2009” ndan Mirenohje me motivacion, per kntribut te vecant te dhene ne fushen e humorit.

Teatri “Naser Kodra” Senderaj ndan Mirenjohje per kontributin dhene ne realizimin e filmit dokumentar “Shaban Polluzha-Komandanti Plak” viti 2010.

Festivali I teatrit Vushtrri, ndan Mirenjohje, në shenje respekti për punen dhe veprimtarin e tij ne teater, viti 2010.

Komuna e Klines-DKRS, ia jep çmimin tradicional Komunal, KRIJUES I VITIT 2012, për angazhim e sukses të treguar në veprimtarinë e krijimtarisë se letrave, botuese,teatrore e kulturore ne nivel komunal e kombëtar.

Shoqata Kulturore "Dardania" Montebeluna-TV Itali, i ndau medalje në shenjë bashkëpunimi në 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Lidhja Nderkombetare e Poeteve,Shkrimtareve dhe Artisteve “Pegasi” Albania i jep titullin e lart” AKTOR I VITIT 2013 PER KOSOVEN I LNPSHA “PEGASI” Albania. Me motivacion: “ KONTRIBUT I SHQUAR NE LEMIN INTERPRETUESE”.

Klubi i Shkrimtareve dhe Artisteve” Tropoje – Juria e Manifestimit Tradicional “ ORA E POEZISË 2013”, ia jep çmimin ne dyte per poezin “Jo, ti per mua nuk ke vdekur”.
Shoqeria Kulturore Artistike “Mirdita” i jep MIRENJOHJE, për mbeshtetje profesionale të veprimtarive të përbashketa mes krijuesve të Klinës dhe Mirditës.

Klubi I Shkrimtareve “Vorea Ujko” ne 20 vjetorin e veprimtarise botuesei jep Cmimin per poli-Art “KORI I MUZAVE” per veprimtarin  ne lemin e aktrimit, librit publicistik, teatrit si dhe veprimtarive te shumta kulturore e letrare.

UNI-ART jep Mirenjohje per kontribut mbi 40 vjet te suksesit ne fushen e artit dhe cultures, ne teater dhe film.

UNIKOMB  me rastin e 103 vjetorit të pavarësisë, i jep Mirenjohje, për kontribut të vecantë dhjetëvjeqarë për çeshtjen kombëtare si poet, folklorist, aktor i pasionuar dhe si model i gjalle i brezave të artisteve me të rinje.

FALENDERIM, për kontributin dhënë Manifestimit “DITET KULTURORE E SPORTIVE “ në përkujtim te Xheladin Gashit-Komandant Plaku.

Ansambli “ SHQIPONJA DUKAGJNIT” Gjakove, ne 40 Vjetorin e Ansamblit i jep Mirenjohje. Motivacioni: Mbeshtetje, perkrahje dhe bashkpunim.

JURIA E Festivalit Nderkombetar “ ART PA KUFI I MONOLOGUT KLASIK 2015” I mbajtur ne Sarandë i jep çmimin “Aktori me i mire i festivalit”.

Qendra e Kultures “ Rexhep Mitrovica” Mitrovicë, shpreh Mirenjohje artistit për pjesemarrje në Festivalin Tradicional te Komedisë, 2015.

Klubi Letrar “PODGURI” Istog, falenderon per pjesmarrje ne konkursin e pare letrar poetik mbarëkombëtar, 2015, çmimi “Dr. Ibrahim Rugova”.

Shoqata për Kulturë dhe Letersi “Tafil Kelmendi” e Malishevës, ia ka dhën çmimin “Dr. Tafil Kelmendi”, për kontributin e dhëne në fushën e kulturës, konkretisht të letrave shqipe.

Komuna Klinës – DKRS, me rastin e pensionimit më 16 mars 2016, i jep Mirenjohje për kontribut shumëvjeqar në zhvillimin e teatrit te Klinës dhe kulturës në përgjithesi.

Lidhja Nderkombetare e Poeteve,Shkrimtareve dhe Artisteve “PEGASI” Albania-Kosova i jepet “ ÇMIMI I LARTË PEGASIAN”, motivacioni: Promovuesi vlerave tradicionale e kulturore, artist i palodhur i skenes dhe aktiviteteve skenike mbar trojeve shqipetare.


Merret me shkrime eseistike e letrare dhe ka të botuara këto vepra letrare:

  • “Qesh e Qaj jetën tonë” – me humor,  botoi  KSH “Vorea Ujko”Klinë ( 2005 ),f. 133
  • “Folklori art i pavdekshëm” -Kronikë festivalesh, botoi KSH “Vorea Ujko” Klinë ( 2006 ) f. 206
  • “Lindja e Luftëtarit” dramë, botoi, KSH “Vorea Ujko” Klinë ( 2008 ),f. 55
  • “Dasma e Lulanit” – Komedi,  botoi KSH “Vorea Ujko” Klinë, ( 2008 ) f. 121
  • “Rrezet e reja”- poezi në frymën popullore, botuoi KSH “Vorea Ujko” Klinë( 2011 ), f. 
  • “Shekuj zgjojnë nga gjumi”-dueti Salih e Feriz Krasniqi, botuoi “Epoka e Re” Prishtinë ( 2012)
  • “Porosia e gjyshit” - poezi për fëmijë, botoi KSH “ Vorea Ujko” Klinë  ( 2012 ).
  • “Rrugëtim nëpër Amësi”- botoi KSH “Vorea Ujko” Klinë ( 2013 )
  • “Këndvështrime kulturore” - botoi KSH “Vorea Ujko” Klinë ( 2013)
  • “Frrok Haxhia, ky bard i Folklorit Kombëtar”-monografi,  botoi “Rozafa Prishtinë ( 2014 )
  • “Dita e Plisit”,bashkëautor Prend Buzhala e Ismet Krasniqi, botoi KSH “Vorea Ujko” Klinë (2014)
  • “Zogu dhe Loni”-poezi për fëmijë, botoi  KSH “ Vorea Ujko” Klinë 2015
  • ”Dita e Plisit 2” bashkëautor Ismet Krasniqi e Prend Buzhala Klinë 2015 botues “Rozafa” Prishtinë, f. 256
  • Libri: Ne hapsirate e artit: Ismet Krasniqi, botoi :Rozafa: Prishtine 2016
  • Libri: Arti i daltuar: bashkautor Ismet Krasniqi e Idriz Berisha, botoi :Rozafa:2017
  • Libri: Dita e plisit 3” bashkautor Ismet Krasniqi e Prend Buzhala, botoi :Rozafa: Prishtine 2017


Tani është në proces të botimit libri "Foleja e Shqipes", poezi, botues Shoqata kulturore e letrare “Tafil Kelmendi” Malishevë.

Z. Ismet Krasniqi i ka edhe tri vepra të përgatitura për botim:
Librin kushtuar duetit legjendar Salih e Feriz Krasniqit “SHEKUJ ZGJOJNE NGA GJUMI”, librin “ DASMA TRADICIONALE NE TROJET SHQPETARE: dhe libri per femije “ YLBER MBI KALA”.

Është i pensionuar dhe jeton në Klinë.


Përgatiti: Gjon Gjergjaj

Freitag, 9. Juni 2017

Mendime te huazuara nga dr. Sali Bytyçi

Dr. Sali Bytyçi
Para se të lindnin ideologjitë, ishim ne, prandaj për mua një shqiptar është më i vlefshëm se të gjitha ideologjitë.

...kurrë mos pritni të zihem me ndonjë vëlla shqiptar për ndonjë fe apo për ndonjë profet! Nëse do të kem pasoja për “mosqëndresë” në këtë çështje, jam i gatshëm të përgjigjem vetë dhe prej asnjë njeriu në fytyrë të Tokës nuk kërkoj të më shpëtoj paraprakisht nga çdo lloj gjykimi!

Amerika na ka ndihmuar në luftë kundër së keqes serbe, të keqen tonë duhet ta luftojmë vetë.

Te popujt tjerë ndeshen e mira me të keqen, ndërsa tek ne shqiptarët ndeshet e keqja me të keqen.

Kur kacafyten pasionet, arsyeja duhet të qëndrojë anash.

Zakonisht, intelektuali i drejtohet arsyes, politikani irracionalitetit, prandaj në politikë ka aq shumë mistifikime, mitizime dhe, për rrjedhojë, edhe abuzime që një mendje e shëndoshë e ka vështirë t’i arsyetojë.

Shyqyr Zotit që në Kosovë nuk ka xhungël se, aq i lanë mendtë pas pushtetit disa liderë politikë sa, edhe me ndonjë kope majmunësh do të bënin koalicion!

Si religjionet, ashtu edhe partitë politike, sa më të vjetra që janë, edhe fanatikët i kanë më të shumtë.

Secili flet, po edhe e dëgjon Zotin e vet, ama Zoti i dikujt është Djalli.

Tek ne dezertoret flasin per luften, plagjiatoret per shkencen, komunistet per demokracine dhe shejtanet per fene… 

Vetëm një popull që është pa kurrfarë perspektive e vret kohën në biseda pafund për fe e politikë.

Nuk bëj kompromis me asnjë njeri mbi faqe të dheut për mendimet e mia. 

Ne te shkuaren duhej t'i nenshtroheshe censures ideologjike, tani censures se turmes.

Aq na rëndon e liga sa, për të shkuar drejt së mirës, duhet të tërhiqemi zvarrë...

Kush është mësuar të rrijë në kalë, në kalë do të qëndrojë, kush është mësuar në këmbë, i rrofshin këmbët!

Ne momentin qe njerezit i lene mitet pas shpine, fillon ndryshimi.

Fatkeqësia e këtij populli është se, në historinë e tij rreth dymijë vjeçare, më shumë derdhi gjak duke luftuar në mes vete sesa duke u mbrojtur nga të tjerët…

Kur rroken thi me thi, fiton thiu më i fortë, po edhe ai që humb thi mbetet.

Kurrë mos prisni t’i mbajnë parimet komunistët e konvertuar në demokratë.

Në faqen e bardhë edhe pika e zezë më e vogël vërehet, ndërsa në të zezën edhe ato më të mëdhatë janë të padukshme!

___________
Keto mendime i huazuam pa lejen e autorit nga profili i tij ne Facebook

Donnerstag, 8. Juni 2017

Katër vështrime për librin "Hidra e mllefit" të Shaip Beqirit

Poeti Shaim Beqiri dhe përmbledhja e tij poetike "Hidra e mllefit"


Nga: Natasha Lako

POETI NË PROCESIN E DIAMANTIT ME FJALËN

Shaip Beqiri: Hidra e mllefit / Hydra des Zorns, Limmat Verlag, 2014, Zürich

Duket që poezia nuk ka radhë përderisa ne i kthehemi deri sot moshës së saj mijëravjeçare. Gjeneratat e poetëve vijnë ta thonë atë nga e para.. Këtë bën edhe Shaipi Beqiri, duke shënuar rënien e një sipari të ri pas asaj që kanë përgatitur breza të tërë poetësh të gjuhës shqipe. Përmend fjalën rënie, përderisa në natyrë edhe gjethet bien si fjalët. Shaipi rrëzon fjalën e përkohshme, hapin e përkohshëm, mendimin e përkohshëm, duke i falur Kosovës një shpirt të fshehur në një mollusk që quhet Hidra e fjalës. 
Prishtina ka shumë pranë shpellën e famshme të stalaktiteve dhe stalagmiteve. Në Bern kemi poetin që e ngrin dhe e shkëlqen fjalën si në procesin e diamantit, ku përjetësia luan me të përditshmen. 
Shaip Beqirit i duhet gjithë jeta e tij për të na sjellë këtë poezi, gjithë durimi, mbrylja, tkurrja e të pavërtetave dhe padrejtësive derisa të burojë një dashuri ku edhe dhembja ngrin e shfaqet me një fytyrë krejt të re të kristaltë. Kjo është poezia e përplasjes më të thellë, gati elegjiake për ekzistencën deri në përjetësi. Më vjen mirë që ajo, para se të tingëllojë për lexuesin shqiptar, po shkon të tingëllojë për lexuesin e gjuhës gjermane, pasi është zhveshur nga të gjithë pozat që e dallojnë njeriun nga njeriu. 
Shaip Beqiri ka metaforën e tij për jetën e qenies njerëzore, të ngërthyer te pesha e jashtëzakonshme e fjalës që të rrëzon në thellësi. Përsëri fjala rrëzim. Rrëzim është edhe triumfi vetë, duke krijuar një dimension dhe hapësirë, ku gjithçka është afër dhe larg. Do të doja të isha sot në Prishtinë pranë kësaj poezie të madhe, që i vjen letërsisë në gjuhën shqipe, si dhe pranë autorit të saj. Ndodhem në një qoshk të një zgjatimi tokësor euroaziatik që të bën të mendosh se një pasuri kaq e shumëllojshme njerëzish jeton në të njëjtën koordinatë tokësore jo vetëm prej dheu, por edhe prej trualli të sotëm poetik, ku poezia e Shaip Beqirit shpreh komplekset e europianit të sotëm. Gjendem edhe unë në Akuarium, Shaip Beqiri. Ju lutem lexojeni këtë poezi atje në Prishtine, për të dëgjuar se ku ndodhet sot çdo njeri i kësaj bote.


Shaip Beqiri

AKUARIUMI

Ti je deti im i trilluar 
Ndërmjet dy humnerave 
Të së njëjtës natë

S`e dëgjon hapin që afrohet 
As valën që po na braktis

E unë jam uji i zi 
I fshikës sate bredhëse 
Zbraztësia jote e tmerrshme

Ndërmjet dy heshtjeve të kaltra 
Ta vë gurin tim të fjalës

Jam i vetmi virus 
Që shumohet 
E s`shtohet 
Në natën tënde të kthjelltë

Ti gjëmon me zë të shterur 
Në këtë guaskë të tejdukshme 
Larg bregut tënd të gjallë

Po nga frika s`shërohesh dot 
Me ujin e Bjeshkave të Nemura

Kam dashur me të lënë vetëm 
Ndërmjet dy gjurmave të hapit 
Që të nxori fshehtas nga pylli 
Kur po hyje në ëndrrën time

Ti je det i fashitur 
Përfundi qiellit të arnuar

Uji yt i vdekur i verdhë 
Frymon me mushkëri të shqyer 
Në kraharorin e natës plot yj

Unë kam dashur me të lënë 
Në pyllin e dendur të hijeve

Përshëndetje të gjithëve nga Natasha Lako.

Më 21 Janar 2015


______________________________


Nga: Adem Gashi

NJË ITINERAR TRONDITËS POETIK

Shaip Beqiri: Hidra e mllefit / Hydra des Zorns, Limmat Verlag, 2014, Zürich

Në fakt këtë paraqitje e kisha ndërmend ta përqendroja te kryefigura gjuhësore e këtij vëllimi, tek oksimoroni, po duke e parë strukturimin e brendshëm të 45 poezive, në katër njësi, me një poezi uverturë e me një përmbyllëse; me tri poezi që kanë për tituj shenjën e kronosit (1981, 1989, 1998) e me sa të tjera që përmbajnë dëshminë e toposit ku janë krijuar (Kosovë, Shqipëri, Zvicër etj.) më erdhi më për mbarë të them se ky libër është një itinerar tronditës poetik. 
Duke e njohur që në krye të herës krijimtarinë letrare të Shaipit, madje edhe para botimit në nivel libri, mund të them se ai i ka ndenjur besnik me goxha fanatizëm verbit fillimtar. Po, do s’do ta pranojë ai, i ka marrë pak haraç edhe shkapërderdhja në gazetari e publicistikë. 
Prirja prej filigranisti në kompozimin e lirikës (dikur ai na e sillte atë në formë përsosmërie deri në numërim shkronjash të vargut me makinë mekanike shkrimi) është ruajtur në të gjithë librat e tij. Ç’është e vërteta, në “Hidrën e mllefit” e gjej pak më dorëlëshuar. Fundja, ky veprim s’është mani pedantërie, po pasion i gdhendjes së vargut. 
Pesë vëllimet e tij poetike në shqip, bashkë me këtë Hidrën dygjuhëshe, kanë tituj me togfjalësha: Fontana e etjeve, Flatrat e gjymta, Eklipsi i gjakut, Rekuiem për veten, Prangat e praruara, gjithnjë mbi bazën e oksimoronit. Shaipi kufirin latent ndërmjet metonimisë dhe metaforës thuaja e bën të paqenë. 
Po të rrumbullakos shifrën sipas parimit të matematikës më rezulton se ai sivjet mbush katër dekada të krijimtarisë poetike. Shaipi është poet i pastër sepse konceptin për poezinë thuaja e shenjtëron. Jeton me të e për të. Më duket se Pol Valeri ka thënë me një rast: punë e poetit nuk është trandja e tij poetike, por transmetimi i saj te lexuesi. Këtë transmetim Shaipi e bënë me mjete shumë të zgjedhura gjuhësore, me figura e trope nga më të larmishmet. Kjo që e zura ngoje më herët, bie fjala, oksimoroni, brendapërbrenda mban edhe mllefin e ironinë. Ç’është ky mllef akilian brenda qenies së këtij autori? Them se atij jeta i dha më shumë goditje e munxa, trysni e vurrata se sa ditë të lumtura. Shaipi rrallë qesh, rrallë buzëqesh. Edhe më rrallë e gjeni të tillë në vargje. Është i ngrysur, i rëndë sepse poezia e tij nuk ka narracion e fabul, nuk ka subjekt. Poezia e tij është gjendje (shpirtërore, mendimore, emotive, fizike). Çudi sa bukur e ka formuluar këtë Migjeni! Ngjarje pa lëvizje. Në këtë pikë jemi të njëmendjeje me Lankshin.
Shaipi sjell mëvetësi të dukshme me poezinë e tij. Ajo që i themi origjinalitet. Këtu ndahem një çikë me Hansin. Ndikimin e Vasko Popës nuk e gjej në atë masë sa thotë ai në lirikën e Kosovës, sikundër nuk i përjashtoj as nuancat e përngjasimit të Shaipit me të. Madje këtu ka një poezi përballëse me Popën, poezia Oshënari. 
Ky vëllim poetik na vjen edhe me një element që s’është i ri te Shaipi, por këtu sikur kulmon e bëhet këmbëngulës. Pavarësisht organizimit formal të strukturës poetike me katërvargësh, trevargësh e dyvargësh; pavarësisht se nganjëherë edhe rimon e mbushet aliteracion, në planin kuptimor sa funksionon si lirikë kompakte, poezia e tij mund të bëjë jetë edhe në njësi më të vogla, si strofat. Ato, po aq sa janë integrale brenda një lirike, mund të lexohen edhe si të mosvarme. Mund ta provoni këtë me cilëndo poezi të këtij vëllimi. 
Fjalësi (leksiku) i Shaipit në këtë libër është i begatë, madje shumë i begatë. Nganjëherë gjatë leximit të bëhet e pashmangshme konsulenca e fjalorit. Ai aktivizon fjalë të vjetra e të rralla të shqipes, idioma e krahinorizma që e nuancojnë bukur valerin poetik. Ja disa prej tyre: stukohej, rroshponjat, gopç, guzhma, gamuj, gorre, zhapëllima, zhargina e shumë e shumë të tjera. 
Kjo Hidra e mllefit mua më dëshmon edhe një fakt, një fakt të gëzueshëm: Gjeneratori krijues i Shaip Beqirit më vjen me potencial e tension si në ditët më të mira, pa lodhje metalesh (term i fizikës) e pa u ligur. Këtu marr dorë ta uroj me zemër vërsnikun tim, Shaip Beqirin.

Prishtinë, Janar 2015


______________________________


Nga: Sali Bytyçi

POET I BALADAVE MODERNE

Shaip Beqiri: Hidra e mllefit / Hydra des Zorns, Limmat Verlag, 2014, Zurich

Nëpër streha psherëtimash
Po ik duke u kthyer në një gur
Nën të cilin nuk rritet bari
As gjarpri s’fle kurrë 
(Gjyçi, f. 24)

Shaip Beqiri me kohë i ka krijuar shenjat letrare nga do të kalojë itinerari i poezisë së tij. Poezi e veçantë si me leksikun, me figuracionin, po edhe me sintaksën e saj. Nuk është vëllimore. 
Vëllimi me poezi të zgjedhura, shqip dhe gjermanisht, “Hidra e mllefit” i Shaip Beqirit, është i ndarë në katër cikle: “Purpuri i muzgut të mbramë”, “Endja galaktikave të dehura”, “Rekuiem gjakut të kukullave” dhe “Pëlhura në kryq të bardhë”. 
Librit i paraprin poezia “Zhapëllima”, e cila është një program letrar në vargje i poetit, poezia e të cilit është dhiatë e subjektit poetik, e krijuar “Me pika dyshimi të brejtur” (6). 
Në të tre ciklet e parë ka nga një poezi, të emërtuara me numra: “1981”, “1989” dhe “1998”, në të cilat shenjohen tri kohë – periudha dramatike të Kosovës: e para shenjon kohën e kryengritjes së rinisë së Kosovës kundër regjimit komunist jugosllav në fillimvitet ‘80; e dyta qëndresën kosovare ndaj degradimit të statusit të Kosovës në fundvitet ’80 dhe, e fundit, kohën e kryengritjes luftarake në fund të viteve ‘90, e cila i dha fund regjimit serb mbi Kosovën shqiptare. Në këto tri kohë jeton e përsiat subjekti lirik i poezive të Shaip Beqirit.
Poezitë e këtij libri, edhe pse janë të krijuara përgjatë më shumë se tri dekadash, pjesa më e madhe gjatë kohës që autori i saj kaloi në Perëndim, si me tematikën, ashtu edhe me gjuhën e veçantë, përbëjnë një tërësi poetike sikur të ishin shkruar me një frymë, e jo për decenie me radhë.


Këngëtimi baladisht fatit të njeriut të tij

Njeriu, si qenie fizike, lëviz në hapësira nga më të ndryshmet, ndërsa si qenie shpirtërore, edhe pse nuk është i penguar nga rrethanat e jashtme, lëviz në një hapësirë të paradestinuar për të. 
Në rastin konkret, si qenie fizike, ky njeri është autori i poezive të vëllimit poetik “Hidra e mllefit”, një qenie që lëviz nga atdheu i tij në Perëndim; si qenie shpirtërore, ai është subjekti lirik i këtij vëllimi, i cili kryesisht lëviz nëpër kujtesën e Unit të tij. Ndaj, në këto poezi, herë pikëtakohen autori dhe subjekti lirik, herë ndjekin rrugë të ndryshme: i pari lëviz në gjeografinë reale: Kosovë-Evropë Perëndimore; i dyti në të shkuarën, në mitin dhe realitetin e kësaj hapësire; nëpër pikëllimin, dëshpërimin, shpresat dhe përpjekjet për të mos u tretur në dhe të huaj. Lëvizja në një gjeografi të tillë poetike bën që nga vargjet të krijohen poezitë në të cilat, baladisht i këndohet fatit të njeriut, që detyrohet të lëshojë vendin e tij. Prej momentit që ky njeri largohet nga vendi i tij, ai fizikisht jeton atje ku ka arritur, po shpirtërisht vazhdon të sillet në vendin e lindjes, aty ku ka lënë çdo gjë të veten. Normalisht që, gjallimi në vendin e huaj assesi nuk përbën një jetë normale, po një jetë që është në kufijtë e absurdit:

Tash fikim fundçet e shpresave
Në pëllëmbat prej kristali 
(“Gjysmëbiseda” - Martin Camajt, f. 16)

Në poezitë e këtij vëllimi, poeti shkruan vargje për largimin nga atdheu, por edhe vargje për dëshirën dhe shpresën që, edhe i vdekur, të kthehet në vendin e tij. Mospajtimi me të qenët larg vendit të tij, kthehet në “material” për mekanizmin krijues të poetit, nga i cili shpërthejnë vargjet me kuptime të ngrysura ekzistenciale:

Ndonjëherë më jepet
Të kthehem në strehën time të parë
Të shoh të mbramin muzg duke rënë
Sipër muranës ku çdo gjë timen kam vënë
(Murana, f. 10)

Jeta në vend të huaj, shenjohet me sintagmën “në strehë të huaj”. Kjo hapësirë shenjohet herë si një mur që s’kalohet, herë si një breg nga i cili subjekti lirik do të largohet, megjithatë ai këtu vetëm si qenie fizike jeton.
Subjekti lirik i poezisë të Shaip Beqirit është subjekt që shtegton pandalur në kohë dhe hapësirë. Kjo lëvizje i ngjan udhëtimit “nëpër pyll nëpër natë” (f. 6), prandaj ai, vazhdimisht është në kërkim të një shtegdaljeje, e cila atë do ta shpinte “tutje këtij bregu”, në të cilin është i ngujuar (Amfibe, f. 100). Dhe, nëse në çdo shtegtim njeriu orientohet nga një objekt udhëndriçues, i cili e drejton për atje ku është nisur, subjekti lirik i kësaj poezie orientohet nga ylli i tij, i cili gjendet mbi realitetin zotërues. Por kjo ndodh vetëm në ëndërr, vetëm në ëndërr e kalon përtej hapësirës reale në të cilën jeton, vetëm në ëndërr kalon në “tjetër planet” (f. 20)
Gjeografia poetike në të cilën jeton subjekti lirik është “udhëkryq stuhish” (f. 84), “tokë e djegur” (f. 84), “fushë lulëkuqesh” (f. 84), “midis gërmadhave” (f. 104); ndërsa dheu i huaj për të është “arkivol i madh gjelbërimi”. Jeta e këtij subjekti më tepër kalon duke u endur në iluzione, sesa në realitet:

Prapë më ndjek udha
Gjarpër që del nga kulla
(Zhargina, f. 116)

Në këtë ikje poeti, i vetëdijshshëm për qenien e tij kombëtare, nuk mund të mos mendojë për Shqipërinë, për vendin amë, për shpresën e shqiptarëve se ajo do të bëjë diç për njerëzit e vet. Po Shqipëria nuk është vendi që i mbledh bijtë e saj të shpërndarë nëpër botë, sepse është kthyer në një ishull i cili bën monolog me veten: “U bëre ishull brenda vetes / Të ribëhesh duke u zhbërë gjithnjë”, ndërsa sa i përket historisë, shprehet se atë gjithnjë ia shkruan kopilët: “Historinë ta shkruan kopilët / E udha t’u mbyll në hanxharë” (Shqipëria, f. 62)
Po në këto përsiatje poeti hedh sytë pak më larg, pak më larg ishullit të quajtur Shqipëri, hedh sytë te Ballkani, i cili është i ndarë në kufij që ngjasojnë me majat e thikave dhe i cili është i mbushur me përrenj gjaku:

Kufinj
Gurë të ngulur si maja thikash
Përronj të ndërkryer gjaku
(Ballkani, f. 86)

Në një poezie tjetër shprehet absurditeti i një jete anormale, në të cilën subjektin lirik e vret absurditeti. Ndodh kjo në një rrugë në të cilën “jermërisht” njerëzit shkelin njëri-tjetrin. Fjala “padashur”, e përdorur në këtë poezi, shpreh ironinë, e cila në poezinë e Shaip Beqirit shkon krahas ligjërimit baladesk. Ironia dhe tonet baladeske janë gjithëpërfshirëse në poezinë e Shaip Beqirit:

Në ecjen tonë jermërisht
Duke shkelur padashur njëri tjetrin
Kapim miza dheu e flutura krahëshkruara
Dhe ua nxjerrim sytë me thonjtë tanë
Duke i lëshuar ndër orbita të tjera
(Gjahu përrallor, f. 118)

Poezitë në të cilat jepen momentet e largimit nga atdheu dhe ato në të cilat jepet jeta në mërgim, janë poezitë më të bukura dhe njëherësh më të dhimbshme të Shaip Beqirit. Këto poezi na e kujtojnë poezinë e poetëve të Rilindjes Kombëtare, si Ndre Mjeda e Gjergj Fishta, po na kujtojnë edhe baladat e poetit çam, Bilal Xhaferri:

Të mbetesha veç një gur
Një gur i vogël i lëmuar
Në bregun tënd prej rëre
Që e lëpin vala e madhe
Dhe një zog të bëhesha
Në johapësirën e ankthit tënd
(Nata e fundit në atdhe, f. 26)

Hapësira në poezinë e Shaip Beqirit jo rrallë shenjohet si johapësirë. Një rrënjë e lidh për tokën e tij subjektin lirik të poezisë së Shaip Beqirit. Humbja e hapësirës së vjetër, humbja e atdheut, nënkupton krijimin e një hapësire të re, ndërsa ferra shenjon hapësirën e lënë shkret. Koha është e armiqësuar nga njerëzit që iu ka rënë fati të jetojnë:

Ngadalë krijon hapësirë të re
Duke u përshkuar si krimbi
Nëpër kohën që na dëbon
(Therra në prag, f. 56)


Kudhër e përmbysur apo Mish i gjallë...

Subjekti lirik i poezisë së Shaip Beqirit, në fillim metaforizohet si “kudhër e përmbysur”, në të cilën farkëtohet fati i huaj, për të përfunduar në “mish të gjallë”. Sintagma “mish i gjallë”, duke u shkruar me disa ndryshime, e karakterizon më së miri subjektin lirik të poezisë së tij, por edhe të poezisë shqipe të viteve ’90, pra një zhveshje totale e tij: “zhveshje deri në asht”, “mish i gjallë” “i tëri mish i gjallë”. Po edhe mbyllja në vete ndodh si “mish i gjallë”, si një qenie që del jashtë lëkurës së saj:

Mish i gjallë
Dilnim nga lëkurat tona
Dhe ndryheshim në kullë
(Dytëshori, f. 36)

Subjekti lirik i poezisë së Shaip Beqirit jeton në mes të të kundërtave, në mes atdheut që e ka lënë pas dhe Perëndimit. Sjellje rreth vetes si përpjekje për ta ruajtur identitetin individual dhe kombëtar dhe si rezultat i kësaj përpjekjeje kthimi i tij në “mish të gjallë”. Edhe kur arrin të çlirohet nga ëndrrat, ai nuk mund të lirohet nga malli për atdheun e tij:

Po sillem rrotull vetes
I tëri mish i gjallë
Çmbrehur nga ëndrrat
Sall në mall mbërthyer
(Zhargina, f. 116)

Ky subjekt “mish i gjallë”, atdheun e vesh në vend të lëkurës, ose e vesh atë si këmishë të të çmendurit: “Të mvesha në vend të lëkurës / Këmishë të çmenduri të mbërtheva” (Nata e fundit në atdhe, f. 26). Më tej, jeta e tij kalon në iluzione dhe në mirazhe:

Papritur më regëtin një fije drite
Që më shpur matanë kulisave
Ku rrah çurgu lëbyrës i ditës
Me kujtimin ujor të kësaj bote
(Prapa kulisave të territ, f. 46)

Jeton me dyshimin për të ardhmen e vet, por edhe me shpresën se nuk do të tëhuajësohet në botë, nuk do të shkrihet në të, por do të qëndrojë në identitetin që e ka. Kapja për rrënjën, përpjekjet për të mos u tretur në këtë botë të trazuar, e mbajnë me shpresë në jetën e përditshme këtë subjekt lirik.
Poezia moderne është poezi e imazheve, po edhe e metamorfozave. Për t’i përballuar tëhuajësimit, subjekti lirik i poezisë së Shaip Beqirit shpëtimin e gjen te kthimi i tij në diçka të pandjeshme, në diçka që i bën ballë kohës - kthimi i tij në gur:

Nëpër streha psherëtimash
Po ik duke u kthyer në një gur
Nën të cilin nuk rritet bari
As gjarpri s’fle kurrë (f. 24)


Përfundim

Në vëllimin poetik “Hidra e mllefit”, të poetit Shaip Beqiri, ka mjaft poezi të cilat i regjistrohen në mendje lexuesit, vetvetiu, për të mbetur aty për një kohë të gjatë si kujtesë e një kohe me ngritje e rënie të mëdha, me përpjekje e dështime të vazhdueshme, me iluzione e deziluzione të shumta. 
Subjekti lirik i poezive të Shaip Beqirit është ai i poezisë së sotme shqipe të viteve ’90. Ai është një njeri i zhveshur nga gjithçka, por në të njëjtën kohë në kërkim të gjithçkaje që i është marrë, në kërkim të “veshjes” së tij, të qeniesimit të tij në kohë dhe hapësirë. Ai është një njeri që shkon drejt hanxharit (Xhelati im i ngopur, f. 90). Njeri që jeton në mes ëndrrave e mallit, në mes dyshimeve dhe besnikërisë, në mes Atdheut e Perëndimit, në mes dritës dhe errësirës, ndërmjet rrufeve e fjalës, udhëtim nëpër kurthet që i ngrehen nga të tjerët, 
Të kundërtat, në mes të të cilave jeton ky subjekti lirik i poezive të vëllimit poetik “Hidra e mllefit”, në rrafshin formal janë të shprehura përmes paralelizmave opozicionalë, ndërsa në atë përmbajtësor përmes tingujve baladeskë, të shoqëruar me ironi. Ndërsa vetë poezia e tij është poezi e imazhit surrealist, sepse subjekti i cili është bartës i frymës së saj jeton në një realitet i cili duke u shprishur i humbet format reale, duke u kthyer kështu në një pamje surreale. Pra, gjithë ajo që shprishet para syve të këtij subjekti lirik, merr pamje fantastike në vargjet e poetit Shaip Beqiri, pamje poetike, në të cilat krijohet një botë sa surreale, aq edhe baladore, duke e ruajtur kështu imazhin autokton të surreales.

Prishtinë, Janar 2015


______________________________


Nga: Bujar Salihu

RRUFEJA POETIKE E MLLEFIT

Shaip Beqiri: Hidra e mllefit / Hydra des Zorns, Limmat Verlag, 2014, Zürich

Ky libër nuk është i imi
As i dhembjeve të huaja

Pa dyshimin më të vogël, këtë libër e lexova si librin tim të pashkruar; pa ashtu pa asnjë mëdyshje në këtë liber i takova edhe të gjitha dhembjet e mia, sepse ky libër më kujtoi zhapëllimat, sidomos ato të stinës së gjetheve të rëna, sepse ky është libër i rënë nga dega e thyer e mllefit, është përfundimisht i dhembjeve të mia të mira, sepse prapë më ndjek udha dhe ai gjarpri që del nga kulla. 
Ky është libri i flatrave të shogura të fjalës prapa një bjeshke të madhe, aty ku mbaron edhe rrëfimi i përrallës, një udhëpërshkrim i rëndë dhe i mundimshëm, që të gjithë e kemi të freskët; një libër sikur të ishte shkruar në faqet e bardha të një guri të moçëm, sikur të ishte shkruar pikërisht mbrëmë...
Hidra e mllefit është ndërthurur në katër cikle: "Purpuri i muzgut të mbramë", "Endja galaktikave të dehura", "Rekuiem gjakut të kukullave" dhe "Pëlhura në kryq të bardhë". Nuk është e rastësishme që tri ciklet e para përmbyllen me nga një poezi që titull kanë vitet e vlimeve të mëdha, 1981, 1989 dhe 1998.
Na u desh një lexim i kujdesshëm për të parë se që të tria këto poezi kanë një lidhje organike të qëllimshme, apo thënë ndryshe janë vazhdim i njëra tjetrës. Kjo hetohet sidomos me faktin që vargu i fundit i poezisë së parë është vargu i parë i poezisë së dytë dhe vargu i fundit i poezisë së dytë është vargu i parë i poezisë së tretë, gjë që analogjikisht del se ’98-ta ishte vazhdim i ’89-es sikurse që edhe ’89-ta ishte vazhdim i ’81-es.
Kjo më së miri mund të ilustrohet me vargjet:

I çel udhë pranverës drejt zemrës sime
Flatër e ndezur gjak duke kulluar
Mbi shtatë shtylla vdekjesh

Tek parafrazimi i mësipërm kemi tri vargje që i shkëputëm nga tri poezitë emblematike të këtij libri. Siç vërejmë këtu poeti ka ndërtuar rrëfimin e tij momumental, si ligjërim poetik në njërën anë dhe si refleksion historiko-social në anën tjetër, me një drejtpeshim të kujdesshëm, të denjë dhe faktik… Një shembull i mirë që na kujton teorinë e Aristotelit për raportin në mes të historisë dhe letërsisë, të poezisë në këtë rast.

Cikli i parë "Purpuri i muzgut të mbramë" fillon me poezinë "Ritmi e asgjë" ku Beqiri konstaton se erdhi koha të hyjmë në lëkurën e njëri tjetrit, të zhvishemi deri në asht, në sytë e njëri tjetrit të shikohemi thellë, si në një pasqyrë të thyer… Pra që në fillim kemi një thirrje realiste që himnizon dashurinë, një fillim të ri, gdhirje të re me dritare të hapur, e që papritur në fund kemi një thirrje sa metaforike po aq edhe dramatike:

Koha është të vdesim moj
Ende pa jetuar
(Ritmi e asgjë, f. 12, 14)

Ciklin e dytë „Endje galaktikave të dehura“ e dominojnë poezitë e temave të mëdha, siç janë: „Flamuri“, „Kosova“, „Shqipëria“ poezia për Drinin e ndonjë tjetër, të cilat, siç thamë, jo vetëm që janë tema të mëdha por edhe janë realizime monumentale, të rralla e të veçanta në letërsinë shqipe:

Mes dy dhembjeve të mia
Çeli trëndafili yt i zi

(Shqipëria, f. 62 )

apo:

E kisha edhe një flamur
Që e mbaja në gjysmështizë

(Flamuri, f. 58)

Besoj se citimet e mësipërme shpalosin përmasat e thella të dramës së madhe kombërare nëpër të cilat kaluam…
Gati të gjitha poezitë e këtij cikli kanë veçantitë e veta jo vetëm të natyrës gjuhësore e stilistike, por edhe tematike, përderisa Gjysmëbiseda“ dhe „Dytëshori“ kanë një ngjashmëri tematike, edhe pse tek e para kemi një bisedë imagijnare, por tejet të ndjerë që korrespondon jashtëzakonisht mirë edhe me fatin e heroit lirik (Martin Camaj) në këtë poezi dhe anatemimin e tij:

Sharrëxhinj po të ishim
Ditës do t’ia prenim gjunjtë
Diku thellë në pyllin e hijeve

(Gjysmëbiseda, f. 34)

Në ciklin e tretë kemi një grindje metaforike me antiheroin, me atë që është vënë në djegie të së vërtetës, në beteja të përgjakshme mes gurëve të vendosur si maja thikash, në vënie mburojash nga ajo lukunia e tërbuar e ujqve të stepës:

Në të njëjtën pjatë shqyenim
Mishin e gjallë të jetës
Për fitoret e vdekjes

(Xhelati im i ngopur, f. 90)

Në ciklin e fundit të titulluar „Pëlhura në kryq të bardhë“, tek e cila figurativisht na përftyrohet flamuri zviceran, pra Zvicra, ku tani e njëzet vjet autori jeton e krijon, është mbase pjesa më e mllefshme e librit; Zvicra, ky vend i mrekullive, nuk është tjetër përveç një cengë që i lidh gojën autorit të saj të gjallë. Zvicra del të jetë një dritë e humbur, një fatamorganë... Gati të gjitha poezitë e këtij cikli janë shkruar në pëlhurën me kryq të bardhë, duke ia bërë edhe varrin të bardhë…

Nëse do të duhej të përfytyronim një libër me bukuri të rralla artistike, të cilët i hasim relativisht rallë, do të thosha se „Hidra e mllefit“ jo vetëm që është një befasi e këndshme, por ajo para së gjithash është një mësim i mirë jo vetëm për ata që lexojnë poezi, por edhe për ata që e shkruajnë atë. Këtë libër e karakterizon një ligjërim shumë i veçantë, skajshmërisht origjinal, me një thellësi meditative, me gjerërsi tematike e saktësi poetike të rralla, diçka që në qasje herë të kujton Fishtën e herë Lasgushin; një libër që rri shumë pranë dy librave poetikë më të bukur e më të realizuar në poezinë bashkëkohëse të krijuar në letërsinë shqipe në Kosovë: „Lum Lumi“ i Ali Podrimjes dhe „Lirikë me shi“ i Azem Shkrelit.
Por, çka në të vërtetë e karakterizon poezinë e Shaip Beqirit? Janë disa veçanti të saj që dua t`i shtroj në vazhdim:


1. Gjuha poetike

Gjuha që ka zgjedhur Beqiri, apo më saktë thënë, gjuha që ka krijuar në poezinë e tij ky poet, është një gjuhë e kulluar me kujdesin dhe përkushtimin më të madh krijues. Ajo të lë përshtypjen e një poezie të përkryer në rrafshin gjuhësor, e tillë siç e kishte cilësuar me kohë Ibrahim Rugova: „Poezi e disiplinës së saktësisë poetike dhe logjike, që ndryshe mund edhe të cilësohet si harmoni e mirë midis saktësisë poetike dhe imagjinatës racionale“. Pra, është një gjuhë estetikisht ekselente, me shumësi koloriteti imagjinativ, me çka është e mundshme të përshkruhen edhe gjëra të cilat në dukje janë të papërshkueshme; u kuptuam se kjo arrihet falë një gjuhe interpretative, një vokabulari të rrallë e shumë të pasur të poezisë së Shaip Beqirit.

Në grahmën time urdhrin e dhashë me një rrufe 
Dhe midis dy gurëve të padukshëm rashë përdhe

(Nemitja, f. 108)


2. Stili

Identifikueshmëria stilistike e Beqirit është tashmë e njohur në letrat shqipe falë homogjenitetit të tij krijues. Pavarësisht se çfarë teme trajton në poezinë e vet, gjithnjë kemi të bëjmë me besnikëri stilistike jo vetëm të individualitetit krijues, të origjinalitetit të tij krijues, por edhe të përpikshmërisë teorike-stilistike. Pra rrafshin stilistik Beqiri e ka zotëruar përmes një lirizmi deri në himnizim, dhe kjo vërehet që nga poezia e parë e deri tek ajo e fundit e librit, pa lejuar as më të voglën rrëshqitje.


3.Vlerat e përbotshme apo perlat letrare

Po qe se flasim për vlerat letrare të këtij libri poetik, mbase fare lehtë mund të konkludojmë se Shaip Beqiri ka arritur që diskursin e vet letrar ta shfaqë suksesshëm në arenën e madhe të letrave:

Oh 
Të mbetesha veç një gur 
Një gur i vogël i lëmuar 
Në bregun tënd prej rëre 
Që e lëpin vala e madhe

(Nata e fundit në atdhe, f. 26, 28)

Vargjet që cituam më lart mbase dëshmojnë për vlera të papërsëritshme, unike që në vete bartin mllefin e madh, por më parë janë një qortim vetvetes. Kjo poezi si e tillë mbase është përshkrimi më i mirë i mundshëm i ndjenjës së rëndë të çdonjërit që ka bërë natën e fundit në atdhe. Poezitë si kjo janë të rralla dhe gati të papërsëritshme. Personalisht atë do ta konsideroja si poezinë më të realizuar që kam lexuar ndonjëherë për plagën e madhe të mërgimit. Por poezi të tilla në këtë libër kemi shumë dhe, për kënaqësinë tonë, do doja që në vazhdim të shkëpus edhe dy momente të tjara që gjithashtu na dalin të jenë në majat poetike të letrave shqipe:

Ndonjëherë më jepet
Të kthehem nën strehën time të parë
Të shoh të mbramin muzg duke rënë 
Sipër muranës ku çdo gjë timen kam vënë

(Murana, f. 22)

Janë këto vargjet që shprehin aktin tjetër të dramës shpirtërore, por tani nga bregu tjetër, pas asaj që, siç do thoshte poeti, tani që këmësha e mërgimit ngadalë po ia nxë frymën dhe kjo nuk është gjë tjetër vetëm se një gjendeje e pashpresë, plot mllef:

Vetëm njërën e bart me vete
Edhe kur e zhvesh këmishën e lëkurën
Ajo do të gjëllijë në mua edhe pasi të më ndalet fryma

(Murana, f. 22)



4.Tema dhe mesazhi poetik

Janë të shumta e të nduarndurta temat që ka trajtuar Shaip Beqiri në këtë libër: aty ka konstatime të rënda, dialogë të vështirë, kujtime të plagosura, rënkime të thella, thirrje, përshkrime të përkryera të plagëve që nuk po mbyllen, kërkim rrugëdaljesh, monologë netësh të gjata në pritje të dritës që po vonohet... Dhe të gjitha këto ai i gdhend me një mjeshtëri gjuhe metaforike dhe me gjetje të përsosur idiomatike.

Në jetën time të thyeshme
Përnatë kapërcej pragun e ëndrrës
Dhe dal në tjetër planet

(Balasti, f. 20)


5. Përfundim

Është fat i mirë që „Hidra e mllefit“, falë përkthimit brilant të Hans-Joachim Lanksch, pa dritën e botimit edhe në gjuhën gjermane.
Hidra e mllefit është kufoma e gjallë e mllefit tonë të papërfunduar!

Zürich, 25.10.2014