Dienstag, 10. Juni 2025

Radio Liria përhap trashëgiminë shqiptare në botë


Në mozaikun e gjallë kulturor të Austrisë, Radio Liria shquhet si një pishtar i kulturës dhe muzikës shqiptare. Që nga fillimi i saj në vitin 2017, ky stacion radiofonik i është përkushtuar shërbimit ndaj komunitetit shqipfolës, duke ofruar një përzierje unike të tingujve tradicionalë dhe bashkëkohorë shqiptarë.

E krijuar nga gazetari dhe letrari Haxhi Muhaxheri, Radio Liria është më shumë sesa thjesht një stacion radiofonik; është një qendër kulturore. Duke transmetuar ekskluzivisht në shqip, ajo ofron një gamë programesh që përfshijnë muzikë shqipe, melodi popullore dhe këngë tradicionale popullore. Ky diversitet i pasur muzikor jo vetëm që argëton, por edhe përforcon lidhjet kulturore për dëgjuesit e saj, shumë prej të cilëve janë pjesë e diasporës së gjallë shqiptare të Austrisë dhe më gjerë.

Misioni i stacionit shtrihet përtej argëtimit të thjeshtë. Duke shfaqur një shumëllojshmëri zhanresh muzikore shqipe, Radio Liria luan një rol vendimtar në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqipe brenda Austrisë. Ajo shërben si një platformë thelbësore për banorët shqipfolës, duke u ofruar atyre një pikë referimi për trashëgiminë e tyre kulturore, ndërsa i mban gjithashtu të informuar rreth lajmeve dhe ngjarjeve të komunitetit.

Dëgjuesit që dëgjojnë Radio Liria mund të presin të përjetojnë meloditë shpirtërore të muzikës popullore shqiptare, ritmet e gjalla të këngëve bashkëkohore shqipe dhe gjithçka midis tyre. Ky programim i larmishëm siguron që stacioni të gjejë jehonë me një audiencë të gjerë, duke kapërcyer boshllëqet breznore dhe kulturore brenda komunitetit shqiptar në Austri dhe në të gjithë botën ku ata jetojnë.

Me angazhimin e saj të palëkundur për ruajtjen e kulturës dhe lidhjen me komunitetin, Radio Liria mbetet një zë i çmuar në Austri, duke shpërndarë përmes transmetimit në internet thelbin e traditës dhe muzikës shqipe në të gjithë botën.



Radio Liria Spreads Albanian Heritage to the World

In Austria’s vibrant cultural mosaic, Radio Liria stands out as a beacon of Albanian culture and music. Since its inception in 2017, the radio station has been dedicated to serving the Albanian-speaking community, offering a unique blend of traditional and contemporary Albanian sounds.

Founded by journalist and writer Haxhi Muhaxheri, Radio Liria is more than just a radio station; it is a cultural hub. Broadcasting exclusively in Albanian, it offers a range of programs that include Albanian music, folk melodies, and traditional folk songs. This rich musical diversity not only entertains, but also strengthens cultural ties for its listeners, many of whom are part of the vibrant Albanian diaspora in Austria and beyond.

The station’s mission extends beyond simple entertainment. Featuring a variety of Albanian musical genres, Radio Liria plays a crucial role in preserving and promoting Albanian culture within Austria. It serves as an essential platform for Albanian-speaking residents, providing them with a point of reference for their cultural heritage, while also keeping them informed about community news and events.

Listeners who tune in to Radio Liria can expect to experience the soulful melodies of Albanian folk music, the vibrant rhythms of contemporary Albanian songs, and everything in between. This diverse programming ensures that the station resonates with a wide audience, bridging generational and cultural gaps within the Albanian community in Austria and throughout the world where they live.

With its unwavering commitment to cultural preservation and community connection, Radio Liria remains a valued voice in Austria, broadcasting the essence of Albanian tradition and music to the world through online broadcasting.

Mittwoch, 8. Februar 2023

Imri Trena: RADIO LIRIA

Poeti Imri Trena


RADIO LIRIA
(Në 7 vjetorin e themelimit)

Radio Liria
Si shkëndija
M`i sjell afër
Trojet e mia

Radio LIRIA
Si diell n`agim
Ag i dritës
në mërgim

Radio LIRIA
Ditë e natë shndërritë
Atdheut tonë
I falë dritë dhe rritë

Radio LIRIA
Vatër përplot thesare
Zë i pastër shqip
Emblemë Kombëtare


Autori i poezisë është themelues dhe kryeredaktor i Radio Zëri i Arbërit 

Freitag, 20. August 2021

Mehmet Rrema: KJO ËSHË RADIO JONË - RADIO LIRIA



KJO ËSHTË RADIO JONË, RADIO LIRIA...

Fluturoj mbi re, fluturoj nën re
Ulem mbi mal, mbi det ulem
Përqafoj horizotet ku i thonë Shqipëri
Që nuk ranë në gjunjë as për krajl e mbret

U flas shtruar në log burrash legjendave
Aty ku Gjergj Elezi, për tokë shtriu bajlozin
Në Krujë tek rrapi ku Ballabani hëngri dhe
Se tradhëtoi kryetrimin e Madh - Gergjin

Ndalem në Vraninë ku vetë Oso Kuka
Mbi djemt e Nikollës, flakë ndezi barotin
Se nën robëri shqiptarit nuk i shkon buka
Në gjunjë ai bie vetëm para Zotit

Udhëtoj mbi valët që përhap Radio Liria
Krujë, Medvegjë, Kumanovë Çamëri e Vlorë
Ndalem në Drenicë, ku madhëdhtore liria
Në shekuj u firmos me pushkë në dorë

Hipur në krah të shqipes në valët e Lirisë
Shikoj atdheun tim shekujsh kafshuar
Herë dëgjoj ninulla, herë këngët e trimërisë
Dhe zërin e Haxhiut, moderotor i përkushtuar

"Mirëmëngjes Atdhe" nga zemra e Evropës
Me këngë dhe valle nga më të bukurat
Përshëndet shqiptarët nga çdo kënd i botës
Ua uron mirësinë dhe ditët e lumtura

Kjo është radio e jonë, Radio Liria
Kulturës së kombit ngado i bën jehonë
"Mirëmëngjes Atdhe" - na vjen nga Austria
Për dije dhe kulturë kemi nevojë gjithmonë

Nëpër botë ngado ku jemi shpërndarë
Valët e Radio Lirisë na e shuajnë çdo mall
Nuk e di pse ndjehemi më shumë shqiptarë
Me artin dhe kulturën tonë përherë krenar.

17.08.2021

Dienstag, 29. Dezember 2020

Mehmet Rrema: DUKE DËGJUAR RADIO LIRINË

Mehmet Rrema, shkrimtar

Ndjen vërtetë kënaqësi njeriu kur dëgjon valët e Radio Lirisë, nën drejtimin e folësit të talentuar e të shkathtë Haxhi Muhaxheri. Është përnjëmend bukur të dëgjosh zërin e kthjelltë e bariton të këtij moderatori që flet ngadalë e më kujdes, që flet rrjedhshëm e 
pastër shqip, që komunikon hareshëm e në menyrë miqësisht me dëgjuesit...

E përmend këtë "shqip", jo se gjuha shqipe është e veçantë nga gjuhët tjera, sepse të gjitha gjuhët në vendin e tyre e për vendin e tyre janë njëlloj të bukura, e tingëllojnë bukur, vetëm atje. Unë e përmenda,  për të theksuar se ai, ndryshe nga shumë të tjerë, e përdor me shumë kujdes qoftë në të folur, ashtu edhe në të shkruar. E përdorimi i saktë i gjuhës kombëtare është detyrë e çdonjërit. Ç'rëndësi, mund të thotë ndonjëri, ka nëse në bisedat apo diskutimet tona përdorim një shqipe të pastër apo një shqipe të rinovuar. Le të rinovojnë edhe gjuhën, ashtu siç kemi rinovuar gjiëçka, siç kemi rinovuar gjithë jetën shoqërore, ekonomike e kulturore. Ç'të keqe ka se në vend të fjalës rëndon, të përdorim fjalën agravon, në vend të fjalës frymëzim të përdorim fjalën inspirim e mijëra shembuj të tillë që në ditët e sotme i gjejmë të përdorura nëpër radio, televizione e gazeta e takime elektorale sidomos nga përfaqësues të politikës, të cilët me siguri dua të them se nuk e dijnë as kuptimin e fjalës së huaj të huazuar e as dëmin që i bëjnë gjuhës shqipe. Them që nuk e dijnë sepse nuk dua të pranoj se e bëjnë qëllimisht. 

Përzierja e fjalëve të huaja në një gjuhë kur ajo ka fjalët e veta, vetëm për të treguar se përdoruesi ditka edhe një, dy, tre apo disa gjuhë të tjera, për mendimin tim, nuk e ndihmon por e dëmton gjuhën tonë. Gjuha, është shqiptare dhe nuk pranon qoftë më të voglin cenim. Ajo është kristali, është diamanti, që çdo papastërti e nxjerr në pah.

Ndonjëri, sigurisht, nga ata që kanë maninë të përdorin sa më shumë fjalët e huaja, si një shenjë e zhvillimit të gjuhës në marrëdhënje me kohën në të cilën jetojmë, mund të thotë se këtij i paska mbetur ora. Gjuha, ashtu si çdo gjë tjetër, është diçka në lëvizje, në zhvillim, e, si e tillë do të pësojë ndryshime. Po. Është e saktë. Edhe gjuha duhet të ndryshojë, të hyjnë edhe fjalë të huaja,sigurisht, kur nuk kanë një kuptim, në gjuhën shqipe, siç është rasti i futjes së teknologjisë e cila ka dhe fjalorin e vet. Të ndryshojë e të pasurohet gjuha jonë me fjalët tona të reja me kuptim të qartë e në vendosjen e duhur, por asnjë herë për hirë të zhvillimit, të bëjmë përzierje të dëmshme. 

Çfar do të thotë ky, mund të thotë dikush?! Ne e përdorim gjuhën, përdorim dialektin se këtë na kanë folur gjyshërit, por jemi në vitet e zhvillimit të vrullshëm e si të tillë, ne njohim gjuhë të huaja, të pasura e ç'të keqe ka një fjalë e huaja mes fjalëve tona? Ka një të keqe dhe të madhe. Gjuha jonë duhet të jetë e kulluar, e qartë, e pastruar nga huazimet e panevojshme. Të jetë e tillë sepse një fjalë e huaja mes dy fjalëve tona, shpesh nuk e gjen veten siç duhet, e kuptimi prishet dhe më e keqja është se duke i mbushur gjuha me fjalë të huaja humbet identitetin. Dhe… a ka më keq për një komb se sa t'i  zbehet identiteti i gjuhës. Ka rezistuar shumë gjuha jonë, e cila ka mbajtur gjallë identitetin tonë kombëtar. Shumë janë munduar të na e mohojnë. E kanë quajtur gjuha e djallit, na kanë quajtur të egër, njerëz me bisht, çfarë epitetesh nuk kanë përdorur, vetëm që të mos flitej gjuha jonë, vetëm që gjuha jonë të zevendsohej me të tjera. Dhe historia përsëritet. Asnjëherë nuk mund të mendohet se ndaj gjuhës e kulturës nuk ka synime. Armiqtë gjithmonë kanë menduar se duke mohuar një gjuhë, sigurisht, mohohet një komb, sepse gjuha dhe kultura është ajo që na dallon nga kombet e tjerë. Ajo është pasaporta me të cilën ne njihemi në botë. Për këtë arësye është e domosdoshme të flitet bukur, pastër e qartë. Ndaj për këtë shkak dhe moderatori Haxhi Muhaxheri e përdor drejtë dhe nuk abuzon me gjuhën e nënës. 

Mbase dikush do të thotë se çfar hyn në këtë diskutim Radio Liria. E mora vetëm si shembull, pasi ka edhe të tjerë drejtues emisionesh, të cilët e flasin bukur, por ka edhe shumë që përdorin huazime, por këtu, dua të flas jo vetëm për gjuhën por edhe për kulturën që kjo radio përcjell tek dëgjuesit nëpërmes valëve të saj. Nga valët e kësaj  radio, dëgjohet muzikë e pastër shqipe.

Prapë këtu mund të ketë dikë që të mos jetë dakord me mua dhe drejtuesin e programit, të nderuarin Haxhi Muhaxheri. Mundet, por muzika është pjesë e pandarë e kulturës tonë, shtu siç janë edhe gjinitë tjera, siç është letërsia e teatri, piktura e gjithë degët tjera të kulturës, por Radio Liria e drejtuar nga Muhaxheri në valët e sajë përcjell nga të gjitha gjinitë. I përcjell me profesionalizëm duke zgjedhur e transmetuar për dëgjuesit ato që janë më të mirat. I përcjellë sepse ashtu si gjuha, edhe kultura është shtylla tjetër e identitetit të një kombi, e pikërisht aty, në atë pjesë ku është edhe më delikate, ndërhyrjet dashakeqe janë edhe më të fuqishme. Një komb pa kulturën e tij kombëtare humbet pak nga pak fytyrën e tij, kthehet në një të dehur që nuk di të gjej shtëpinë e vet e shkon të flejë ku t'a zërë nata. Ruajtja e pastërtisë se kulturës kombëtare dhe përhapja e sajë, është, pa dyshim, detyrë e çdonjëri. 

Është detyrë e çdonjërit sepse ajo në vetvete është një tërësi arritjesh nëpërmes përpjekjeve titanike të popullit në shekuj. Kultura nuk është një gjë që mund të krijohet në një çast apo në një periudhë të caktuar. Jo ajo është një rrjedhje e gjatë shekullore trashëgim brezash e gjeneratash. Ajo, sigurisht, kalon nëpërmes transmetimeve ekonomiko-shoqërore. Ajo është qëndrimi i njeriut ndaj fenomeneve dhe epokave. Është letërnjoftimi jo i një njeriu, por i një kombi. Është i një kombi, sepse kultura kombëtare është tërësia e përpjekjeve të çdo anëtari të këtij kombi, prandaj edhe i përket të gjithëve, atyre që ishin, këtyre që janë dhe atyre që do të vijnë. Ajo është një zinxhirë i përbërë nga disa hallka, prandaj është detyrë të ruhet çdo hallkë e saj, sepse në qoftë se njëra hallkë këputet, nis të shkatërrohet i gjithë zinxhiri i kulturës kombëtare e për pasojë mikrobi i hyrë e shkatërron, duke na çuar në humbje të identitetit kombëtar. 

Në shoqërinë njerëzore, ndërsa sistemet ekonomike mund të ndjejnë apo të jenë të njëjta me njëra tjetrën nga mes dy a më shumë kombesh, kulturat e tyre dallohen. Është pikërisht ky dallim që përcakton kombin, është ky dallim që duhet të ruhet me egoizëm e rreptësi sepse pikërisht këtu ndërhyrjet dashakeqe janë më të dëmëshme.  Por, a janë të gjithë të përkushtuar ashtu si Haxhi Muhaxheri? Rëndom në kanalet tona televizive dhe radiofonike, më shumë dëgjojmë muzikë të huaj se muzikën tonë kombëtare. Dëgjojmë një lloj muzikë të re të quajtur tallava, një lloj përzierje e cila është pa identitet, që nuk i përket asnjë kombi e që bëhet vetëm për interesa komerciale.

Në disa programe gjoja artistike, vetëm art, e sidomos art kombëtar nuk bëhet. Duan të bëjnë humor, por nuk arrijnë, e për të çorientuar mendjen e shikuesve apo dëgjuesve, vihen në përdorim fjalë banale e  xheste fizike apo mike, sa për të bërë spektatorin për të qeshur. Por a jemi të sigurtë për çfarë qeshin spektatorët? Mos vallë qeshin me paraqitjen prej kllouni të artistit, sepse shprehjet e tyre nuk janë as humor, as ironi, e as sarkazëm. 

Ndryshe ndodh me valët e Radio Lirisë. Ato përcjellin kulturë të pastër kombëtare, këngë të bukura popullore mbështetur në folklorin tonë të bukur e të pasur, pëtcjellin muzikën tonë të lehtë por të pastër, muzikë me tekst të plotë e të qartë, jo një këngë me katër fjalë e pa kurrëfarë mesazhi. Njëherit, valët e Radio Lirisë përcjellin humorin e bukur dhe teatrin e vërtetë, përcjellin e shpërndajnë më përkushtim kulturën e bukur kombëtare. Kjo është arsyeja pse ia vlen të përgëzohet stafi i vyer i kësaj radioje dhe drejtuesi i saj Haxhi Muhaxheri.

29 Dhjetor 2020

Mittwoch, 10. Juni 2020

Zëri unik i muzikës shqiptare

Hanife Sejfullah Reçani
Hanife Sejfulla Reçani

Hanife Sejfulla Reçani është këngëtare e njohur. Nga populli u kurorëzua me epitetet “Bilbil i Pollogut” dhe “Bleta e Pollogut”, e me të vërtetë ajo ishte dhe do ngelet bilbil që nuk i shteret zëri në vesh të popullit të vet, dhe bletë që gjithë nektarin e mbledhur nga trashëgimia jonë, e shfaqi në skenat ku debutoi 50 vjet me radhë. Hanife Sejfulla Reçani, veç se është “bilbil” dhe “bletë” e Pollogut, është edhe bijë e Lumës, trevës me virtyte të larta kombëtare shqiptare. Ishte e bija e Sahit Myrtës – Keçës, familje kjo me tradita e zakone tipike malësore shqiptare. Gjyshi Ismail Keça, bashkë me dy djemtë Sahitin dhe Malën për shkak të kushteve të vështira, në vitin 1934 u shpërngulën nga Shkinaku (Grykë – Çajë) i Lumës, duke kapërcyer Korabin dhe dolën në fushën e Pollogut, konkretisht në Gostivar. Këtu u pritën mjaft mirë nga vendasit, ashtu si qindra matjanë e dibranë që u shpërngulën në këtë periudhë. Pikërisht në këtë ambient, lindi dhe u rrit Hanife Keça. Ajo këngën e pat trashëguar nga familja e saj, të cilët e vazhduan traditën e tyre edhe pas shpërnguljes nga Luma, ku në odat e burrave, përveç kuvendeve, muhabeteve e shakave, ia merrnin edhe këngës. Gjyshi, Ismaili qe mjeshtër për lojë me çifteli, babai Sahiti gjithashtu luante në çifteli, ndërsa xhaxhai në lahutë. Motrat e saj, Fatimja e Xhemilja, si dhe vajzat e xhaxhait Lemja dhe Sevdija, kishin zë bilbili dhe i binin dajres. Vëllezërit Bajrami, Halimi, bashkë me djalin e xhaxhait Hakikun këndonin gjatë përcjelljes së gjyshit me çifteli. Talenti i motrave nuk mundi të promovohej më, shkaku se u martuan nëpër ambiente ku nuk kultivohej kënga. Hanifja u martua në moshë fare të re, diku si 17 vjeçare, por bashkëshortin, profesorin e nderuar të gjimnazit të Gostivarit Feim Sejfullai-Reçani, e pat përkrahësin më të madh të saj, i cili realisht rridhte nga një familje me vyrtyte kombëtare. Talenti i saj u zbulua herët, si nxënëse e klasës së dytë apo të tretë, gjatë manifestimit të këngëve dhe valleve të pionerëve në podiumin e vendosur në rrafshin e Leunovës dhe Niqvirovës, komuna e Mavrovës. Si 12 vjeçare, bashkë me shoqen e saj nga Gostivari Hidajete Vishka, të cilat u veçuan nga mësuesi i tyre i parë, i ndjeri Xhemail Pollozhani, së bashku edhe me mësuesen dibrane Lamika Bollçishta Kërliu, morën pjesë në organizime të ndryshme në Mavrovë, ku Hanifja hodhi hapat e para si këngëtare. Përveç kësaj, Hanife Sejfulla Reçani dallohej si një vajzë shembullore dhe e shkëlqyer në mësime, gjë e cila i ndihmoi të krijonte portretin e saj si artiste, qysh në moshë fare të vogël. 

Profesor Lorenc Andoni, në vitet e ’60-ta qe redaktor i muzikës në Radio Prishtinën. Ai duke gjurmuar për këngëtare tjera me vlera, meqenëse numri i tyre ishte i pakët (njiheshte vetëm Nexhmije Pagarusha, Nafije Smahoviqi, pak më vonë Liljana Çavolli…), kishte hasur në emrin e Hanifes. Hanifja në këtë periudhë si duket kishte pushuar paksa nga angazhimet artistike, dhe Lorenci me të hetuar këtë shkon drejt e në shtëpinë e saj. Këtu pritet me tradita të larta lumjane nga bashkëshorti dhe nga Hanifja vetë, e profesor Lorenci nënvizon se Hanifja duheshte detyrimisht të vjen të inçizojë në Radio Prishtinën, por ajo si 20 vjeçare, me dy fëmijë atëkohë Teutën e Ilirin, s’pranoi duke potencuar se e ka mbaruar punën me këngën. Në këtë moment, i shoqi Feimi, i kthehet: “Do të dëgjosh këngë, ndaj duhet edhe të këndosh…”. Lorenci, pasi e has dëshirën e flaktë të saj për të kënduar, i thotë se udhëtimi për në Prishtinë do i sigurohet me makinë speciale, e pas këtyre fjalëve, i shoqi Feimi, i thotë: “Oj lumjane, populli ynë shkon përpara, kurse ti don ta shpiesh prapa… 

Koha jonë është kohë e përfytirimit tipik, kohë e kthesave ku populli e legjenda përmes këngës shtojnë vlerat e komunikimit… Kënga shekullore rinohet tek fjala e popullit, këto thesare duhet të barten brez pas brezi…”. Fjalët e të shoqit, si duket u bënë frymëzim dhe shtysë që Hanifja të vazhdojë rrugëtimin artistik, për të përmbushur kështu amanetin e të parëve. Në Prishtinë pritet ngrohtësisht, ku i inçizoi dy këngët më të popullarizuara të saj: “Bien tri daire” dhe “Dil aty ku dole mbramë”. Pas inçizimit të këngës së parë, ajo merr një kompliment nga producenti i radios, duke i thënë se ka qenë e shkëlqyer. Ky qe një emocion i veçantë, i cili derdhi talentin e artistes sonë gjatë inçizimit të këngës së babait të saj “Dil aty ku dole mbramë”. Në vitin 1964, bashkë me vëllain Halim Keça, Hanifja merr pjesë në manifestimin garues midis Koçanit e Gostivarit, ku nën përcjelljen me kitarë të të vëllait, marrin vendin e parë, duke nderuar kështu jo vetëm qytetin e lindjes, por gjithë krahinën veriore. Në vitin 1971 i vjen ftesa përsëri nga prof. Lorenc Andoni dhe Isak Muçolli për të inçizuar këngë të tjera.

Tashmë, Hanifja e pat më të lehtë, meqenëse ishte popullarizuar tej mase dhe publiku kërkonte ta dëgjonte edhe me këngë të tjera. Pas kësaj, punëtorët e UDB-së e akuzojnë pse ka kënduar në Prishtinë e jo në Shkup, ndaj u trasua iniciativa e Talat Avçes dhe e muzikologut Ismail Hoxha që ta ftojnë për të inçizuar në Radio Shkupin. Të parën këngë për ta inçizuar e caktuan “Për midis pazarit të Durrësit” dhe kënga e dytë që planifikohej ishte “Mori cucë matjane”. Atëherë, z.Hoxha i thotë Hanifes së këto dy këngë, me të dëgjuar, i ka ndaluar Bllago Ivanov nga Radio Shkupi. Siç pat rrëfyer vetë artistja, ishte prekur nga vendimi që ishte marrë, por e pat ngushëlluar veten me arsyen se metëvërtetë ndryshonte cilësia e inçizimit nga ajo e Radio Prishtinës, kur dijmë se melosin shqiptar, në Radio Shkupin mundoheshin me çdo kusht ta kthenin në muzikë bullgare. Realisht, Hanifja hasi në ndihmesë të madhe nga kryeredaktori i Radio Shkupit Talat Avçe, i cili bashkë me babain dhe të afërmit e saj, e ndihmuan Hanifen që të shkolloheshte në formimin e zërit të saj. Ai fillimisht e paskësh dëgjuar inçizimin e Hanifes realizuar nga Parashqevi Maleska, kështu e fton atë në ambientet e radios që drejtonte. Hanife Sejfulla Reçani bashkë me shoqërinë “Besa” të Gostivarit, në vitin 1985 ishin ftuar të vizitonin Shqipërinë, e mes artistësh të tjerë, në këtë udhëtim qenë: Luan Hajra, Nazmie Hoxha, Fitim Domi (humorist), Shaban Çekaj, etj. 

Fillimisht Hanifja nuk e pranoi këtë oferët për dy arsye: e para, se duheshte të udhëtojë pa bashkëshortin dhe e dyta, sapo i kishte ndërruar jetë i ati. Megjithëkëtë, nëna e saj bëhet shkaktare që ajo të shkojë dhe në kthim e sipër, nga malli i Shqipërisë, t’i sjellë një grusht dheu. Ajo, në Tiranë i kishte djemtë e hallës, te të cilët i pëlqeu një lule kaktusi, të cilën nënës do t’ia çonte si “selam” nga mëmëdheu. Kushërinjtë ia dhuruan me gjithë dëshirë, por e gjithë lumturia që ndjeu Hanifja, u shua në kufi, ku gjithë çka patën, forcat policore ua hodhën pa pikë mëshire. Bashkë me Shaban Stafajn dhe Maksut Deharin e themeluan shoqërinë “Besa” të Gostivarit, e cila funksionoi fuqishëm 8 vjet me radhë. U paraqit me këngë dedikuar fatit të femrës shqiptare, për kurbetin, që u bë fat kolektiv dhe plagë e pashëruar për shqiptarët, por një pjesë të mirë të repertoarit të saj e përbëjnë edhe këngët lirike, siç kemi: “Dukanja”, “Pse je hidhnu ti me mua”, “Prej Tetove në Gostivar”, etj. Në vitin 1970 u shpall “Këngëtare e vitit” për interpretimin e këngëve të Pollogut e të Sharrit. U nderua me disa çmime e mirënjohje, por më e fundit iu dha një vit më parë nga presidenca e Kosovës “Medalja Presidenciale e Meritave”. Debutoi në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, por edhe nëpër shumë shtete tjera të Evropës, ku duartrokitjet nuk kishin të ndalur. 

Kur është fjala te Hanife Sejfulla Reçani, çdokush që merr guximin të flet për vlerat e saj, duhet të mendohet mirë. Është e vështirë të gjesh një artist me një bagazh artistik të mbushur vetëm me suksese. Rasti i Hanifes ndryshon nga gjithë të tjerët, pothuajse të gjitha krijimet e saj janë bërë hite, janë frymëzim i brezave të rinj artistik dhe që realisht i rezistuan dhe vazhdojnë t’i rezistojnë çdo furtune të kohës. Faktorët e një fenomeni të këtillë janë të shumtë: fillimisht malli i shkëputjes nga mëmëdheu (Luma) e një familjeje me tradita të mëdha atdhetare plot 83 vjet më parë, vokali i magjishëm i kësaj artistjeje, të cilën artiste e bëri vetë talenti i saj dhe e ngriti lartë populli që dijë të vlerësojë atë që i përkushtohet atij, më pastaj edhe gjetja e temave që e preokuponin shoqërinë shqiptare, përpunimi i tyre në mënyrë magjepsëse që pushtoi dejet e shpirtin e kombit, por edhe thirrja që i bëri popullit të vet që të mos harrohet tradita kombëtare e të luftohet për mbrojtjen e saj. Kulmin e saj e arriti në vitet ’60-’70 kur një plejadë e mirë artistësh dolën nga ai sistem monist, por nga kjo fatkeqësi, lindi mrekullia: populli ynë shënon histori me brezin e këtyre artistëve… 

Sado që t’jua ndryshonin bashkëkohanikeve të Hanifes emërtimet: Gonxhe Manaj në Gonxhe Manakovska, Mirvete Bellova ta prezantonin si Mirvet Bellovska, apo Nafie Stojkut t’i thonin Nafije Stojkoviç, aq më tepër kulturës shqiptare do t’i gufonte dëshira për të luftuar në përmirësimin e gjendjes së popullit shqiptar. 

Të veçantë e bënin edhe momentet kur i ofronin pagesë për ta paguar nëpër manifestime, e ajo, ashtu siç ishte, përgjigjej: “Unë nënçmohem nëse më paguani, sepse i këndoj popullit tim. Asnjë artist nuk duhet ta sakatojë këngën e bukur shqipe për para…!”. Këngët emblemë të saj do ngelen: “Bien tri daire”, “Prej Tetove në Gostivar”, “Moj fusha e Korabit”, “I hipa pamporit”, “Kënga e çobanit”, “Dil aty ku dole mbramë”, “Pse je hidhnu ti me mue”, etj. Në repertoarin e saj kemi një pasuri prej afro 200 këngësh, njëra më e suksesshme se tjetra. Vitet e fundit të jetës i kaloi pranë gjirit familjar, ashtu e sëmurë në shtratin e vdekjes, ku përkujdesje pat vetëm nga bashkëshorti, fëmijët e familjarët. Zemra e saj pushoi së rrahuri më 17 nëntor 2017, duke lënë pas vetes fëmijët, familjen, neve që e vlerësojmë thesarin e saj artistik, mbi të gjitha, la pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në zemrën e artit të kombit tonë. (koha.mk)

Dienstag, 19. März 2019

Shyqyri Alushi, artist që i dha shpirt këngës shqipe.


10 maj 1934 - 18 mars 2019

Shyqyri Alushi ka lindur në Shkodër më 10 maj të vitit 1934. Këngëtar i shquar i ahengut dhe këngës popullore qytetare shkodrane në gjysmën e dytë të shekullit XX-të. Rrjedhë nga një familje me origjinë fshatare. Prej babait të tij Alushit, trashëgon pasionin për muzikën popullore. Shyqri Alushi ishte këngëtar dhe muziktar popullor në fyell dhe zumare.

Realisht Shyqriu bëhet këngëtar nëpër ambientet muzikore të shtëpive dhe lagjeve të Shkodrës duke dëgjuar drejtpërsëdrejti ose nga pllakat e gramafonit mjeshtra të ahengut si Shuk Prifti, Sadik Spahija, Marku i Kranjanes, Sait Hoxha, Hasan Prezën etj. Në moshën 10 vjeçare këndon me shokët e lagjes dhe më 1956 këndon këngët e para popullore në koncertin me rastin e inagurimit të kinema “Republikës” në Shkodër.

Për një kohë të gjatë Shyqri Alushi këndon si këngëtar nëpër dasma në Shkodër dhe në të gjithë fshatrat e  rrethit të Shkodrës, në lulishte, lokale të ndryshme si dhe në shtëpinë e oficerave. Në lulishten “1 Maji”, Shyqriu shoqërohej nga orkestra popullore e Adil Ujkashit. Në vitin 1974-1986 këndon si këngëtar profesionist pranë Estradës së Shkodrës deri sa doli në pension. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet dhe koncertet e organizuara në Shkodër si dhe në të gjitha përfaqësimet e folklorit muzikor shkodran në festivalet folklorike kombëtare dhe në Kosovë. Ka marrë pjesë gjithashtu edhe në shumë turne ndërkombëtare si në Rumani, Portugali, Turqi, Francë, Gjermani, Mali i Zi etj.

Shyqyri Alushi mbahet si këngëtari i fundit i ahengut shkodran. Më 1984 i jepet titulli “Artist i Merituar”, në vitin 1996 në festivalin e këngës popullore qytetare i jepet “Çmimi i Karrierës”. Me rastin e 65 vjetorit të lindjes, Bashkia e Shkodrës i jep titullin “Krenaria e Qytetit”. Gjatë gjithë jetës së tij artistike ka marrë edhe shumë çmime dhe dekorata të tjera. Në Shkodër të gjithë e thërrasin “mjeshtri i ahengut shkodran”. Ndër këngët e arta të repertorit të tij përmendim: “Thotë lulja për lulen”, “Kur natyra kenka veshur”, “Nëpër fusha në kodrina”, “Pranvera filloi me ardhë”, “T’parën herë kur jena pa”, “Eni more shokë”. Regjistrimet e tij muzikore janë kryesisht pranë Radio-Tiranës dhe Radio-Shkodrës.

Intervistën e parë të pasluftës së Kosovës në vitin 2001, Shyqri Alushi me shumë dashuri e kishte dhënë për programin ‘Top Folk’ të Fitim Behlulit, atëherë tek Radio Dukagjini, me rastin e pjesëmarrjes së tij në koncertin e parë artsitik në Kosovën e lirë, e ku bashkë me mjeshtrin e fis-hamronikës, Luan Borovën e njderë kishin përzgjedhur Pejën për shfaqje.

Paraqitjen e fundit në Kosovë, Shyqri Alushi e kishte vitin e shkuar në koncertin solistik të këngëtarit të njohur Shkëlzen Jetishit-Xenit, në Gjakovë.

Shyqyri Alushi, padyshim, ishte dhe mbetet njëri nga viganet e këngës shqipe që do të kujtohet përherë. U nda nga jeta më 18 mars 2019.

Këngët e artistit të madh Shyqyri Alushi, zën vend të rëndësishëm në fonotekën e Radio LIRIA dhe transmetohen krahas këngëve të kolosve tjerë të muzikës shqiptare, si: Bik Ndoja, Ibrahim Tukiqi, Xhevdet Hafizi etj.

Montag, 3. Dezember 2018

Këta janë redaktorët në Radio LIRIA



Alketa Maksuti Beqari është autore dhe redaktore e emisionit "Bërthamë"
Rizah Sheqiri është autor dhe redaktor i emisionit "Femijët e Lirisë"
Haxhi Muhaxheri është kryeredaktor, autor dhe redaktor i disa emisioneve.